Ekipe të Komunës së Podujevës e vazhduan aksionin e rrënimit të ndërtimeve pa leje në Batllavë. Aksioni, që pati filluar në nëntorin e shkuar, ishte ndërprerë shkaku i tërheqjes së kompanisë së angazhuar për rrënim. Në Komunë bënë të ditur se në plan për rrënim janë katër vila
Pas ndërprerjes prej afro 7 muajsh, Komuna e Podujevës e ka vazhduar të premten aksionin për rrënimin e ndërtimeve pa leje rrëzë liqenit të Batllavës. Këto ditë pritet që të rrënohen katër vila, të cilat ndodhen në zonën e dytë të liqenit.
Në Komunën e Podujevës thanë për KOHËN se aksioni është ndërprerë në fundvit pasi që kompania e angazhuar për rrënim u tërhoq.
“Kanë qenë disa telashe herën e kaluar për shkak se kompania e rrënimeve e ka ndërprerë punën. Me gjithë insistimin tonë që të përfundojë i gjithë aksioni i rrënimit të vilave për të cilat ka pasur vendim për rrënim, kompania u tërhoq dhe iu ka shkëputur kontrata”, thuhet në përgjigjen e Komunës.
Rrënimet kanë rifilluar, pasi Komuna lidhi kontratë të re me një operator tjetër ekonomik.
Aksioni fillimisht e parashihte rrënimin e 8 vilave. Por, zyrtarët komunalë thanë se në zonën e Orllanit janë 59 ndërtime pa leje, të cilat janë në faza të ndryshme të shqyrtimit dhe se për hapa të mëtutjeshëm do të vendoset porsa të përfundojë ky shqyrtim.
KOHA ka raportuar vitin e kaluar se si mali ishte prerë për t’u hapur rrugë ndërtimeve të vilave luksoze në fshatin Orllan.
Inspektorati Qendror për Pylltari dhe Gjueti, i cili vepron në kuadër të Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, ka gjetur një formulë që mundësonte ndërtimet ilegale pa u penguar nga askush. Ky institucion kishte konstatuar situatën, por nuk kishte ndërmarrë masa. Krejt çfarë kishte bërë është raportimi i rastit në Ministrinë e Mjedisit.
Dhe masat kishin munguar edhe pasi Ministria e kishte bërë të qartë se nuk ka kompetencë mbi pronat me pyje shtetërore të Agjencisë. Ndërkohë ndërtuesit privatë e kanë shfrytëzuar këtë situatë, por edhe kohën e pandemisë dhe vakumin institucional gjatë periudhës së zgjedhjeve lokale për t’iu dhënë hov ndërtimeve në këtë pjesë. Vilat e ngritura janë shndërruar në biznese hoteliere, që janë duke u shfrytëzuar nga shumë turistë.
Sipas raportit të Auditorit, mosveprimet nga DQIPGJ-ja mund të konsiderohen si shkelje dhe lejim të dëmtimit dhe degradimit të tokës pyjore, qoftë të atyre publike apo private në këtë zonë.
Në pikën 14 thuhet se inspektorët e monitorojnë dhe inspektojnë ndërrimin e destinimit, kurse pika 19 parasheh marrjen e masave ligjore, duke ushtruar fletëparaqitje për vepër penale dhe kundërvajtëse.
Por, kryeinspektori Besim Zogu në një përgjigje për KOHËN kishte thënë se pas marrjes së informacioneve nga kryeshefi i asaj kohe i APK-së, Ahmet Zejnullahu, ka kërkuar nga inspektorët që të zhvillohen kontrolle të jashtëzakonshme.
“Kemi ardhur në përfundime se tek rasti i ndërtimeve rreth liqenit të Batllavës kanë qenë zona të mbrojtura ujore, për çka lënda është bartur tek MMPHI-ja”, kishte thënë ai.
Në një raport të Auditorit të Brendshëm të Agjencisë së Pyjeve ishte kontestuar se drejtori i Drejtorisë Qendrore për Pylltari dhe Gjueti, i cili vepron në kuadër të APK-së, Besim Zogu, nëpërmjet urdhëresës dhënë inspektorëve që lënda të bartet në Ministri kishte dyshime se është tentuar që të iket nga përgjegjësia për marrjen e masave adekuate ligjore për ndalimin e aktiviteteve të paligjshme për këtë rast. Sipas raportit, me këtë është penguar inspektori në ushtrimin e detyrave të tij ligjore.
Çështja e ndërtimeve pa leje ishte bërë mollë sherri edhe ndërmjet zyrarëve komunalë të Podujevës. Ish-drejtori i Inspektoratit, Besnik Mulliqi, pasi ishte shkarkuar e kishte akuzuar kryetarin e Komunës, Shpejtim Bulliqi, se e kishte penguar të zbatonte ligjin lidhur me ndërtimet pa leje, veçanërisht atyre në Orllan.
Kurse, Bulliqi kishte thënë se Mulliqin e kishte shkarkuar pikërisht për sabotim të punës lidhur me ndërtimet pa leje.