LAJMET E MBRËMJES

Forcat speciale e shoqëruan kandidaten e vetme serbe nga shtëpia deri në vendvotim

Të drejtën për votë e ka ushtruar kandidatja e vetme serbe në zgjedhje, Sllaxhana Pantoviq. Që prej daljes nga shtëpia e deri në qendrën mobile të votimit, dhe anasjelltas, ajo është përcjellë në çdo hap nga forcat e Policisë së Kosovës. E pasi votoi, e shprehu bindjen se në Komunën e Zveçanit, ku edhe garoi për kryetare, do të pasojë ndryshimi nga qeverisja 10-vjeçare e Listës Serbe

Nga shtëpia e deri te qendra më e madhe mobile e votimit në Zveçan, kandidatja e vetme serbe për zgjedhjet në veri, Sllaxhana Pantoviq, është përcjellë në secilin hap nga forcat e Policisë së Kosovës.

Ajo të drejtën për votë e ushtroi në tetë të mëngjesit në vendvotimin në Zherovnicë të Zveçanit, ku kandidon për kryetare.

E pas votimit, e shprehu bindjen për ndryshime në këtë komunë, pas qeverisjes 10-vjeçare nga Lista Serbe.

“Pres që për qytetarët e Zveçanit do të jetë më mirë sesa që ka qenë deri më tani, që zgjedhjet do të mbahen të qeta, në mënyrë të qetë dhe pa incidente, sepse mendoj se zgjedhjet po mbahen dhe duhet të mbahen në paqe, në dashuri dhe respekt për popullin dhe jo me urrejtje, kërcënime dhe shantazhe”, tha Sllaxhana Pantoviq.

Me gjithë thirrjet nga Lista Serbe dhe nga udhëheqësit në Serbi për bojkotim të procesit, Pantoviq u shpreh optimiste se serbët do të dalin në votime.

“Mendoj që populli do të dalë, do t’i ngjallet ndjenja. Kush del e falënderoj, kush nuk del po njësoj. E çfarë të them në këtë situatë që është specifike. Nuk kam koment. Nuk mund të them përafërsisht sa votues pres që do të dalin porse në çdo rast shpresoj se do të ketë”, tha Pantoviq.

Pas përfundimit të deklarimit për media, Pantoviqi u shoqërua sërish nga forcat policore deri në shtëpinë e saj që ndodhet pak metra larg qendrës së votimit. E në hyrje të shtëpisë i ka qëndruar gjatë gjithë ditës një njësit special i Policisë së Kosovës.

Kjo siguri asaj i është ofruar pas presionit nga Beogradi zyrtar për t’u tërhequr nga gara zgjedhore. Me gjithë këtë presion, ajo u pat zotuar se nuk do të zmbrapsej.

Qytetarët e Zveçanit, përveçse për kryetar të komunës, votuan edhe për përbërjen e asamblesë komunale.