LAJMET E MBRËMJES

PSD-ja akuzon Kurtin se “nuk ia ka bërë vijë” asnjë premtimi

Në dyvjetorin e zgjedhjeve nacionale, në të cilat Lëvizja Vetëvendosje fitoi më shumë se gjysmën e votave, aktivistë të Partisë Socialdemokrate akuzuan Qeverinë për mospunë. Gjatë një aksioni simbolik të organizuar para Qeverisë, ata përdorën frazën popullore “nuk ia kanë bërë vijë”, për ta përshkruar punën e ekzekutivit

Partia Socialdemokrate ka organizuar një aksion të martën, gjatë të cilit aktivistë të saj bënë një vijë në ndërtesën e Qeverisë, që, sipas tyre, simbolizon mospunën e ekzekutivit që udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje.

Aksioni është organizuar në dyvjetorin e zgjedhjeve nacionale, në të cilat Vetëvendosja i fitoi më shumë se gjysmën e votave.

Nënkryetari i PSD-së, Zgjim Hyseni, tha se Qeveria e kryeministrit Albin Kurti as që ka nisur t’i zbatojë premtimet.

“I kanë premtuar 160 çerdhe të reja. Nuk është asnjë. Nuk ia kanë bërë vijë. I kanë premtuar 4000 banesa për çifte të reja. Nuk kemi as gurthemel. Nuk ia kanë bërë vijë. Kanë premtuar pesëfishimin e numrit të inspektorëve të punës. Nuk ia kanë bërë vijë. Kanë premtuar rregullim të shëndetësisë. Kanë thënë s'do të ketë mungesë barnash dhe do të fillojnë sigurimet shëndetësore. Nuk ia kanë bërë vijë. Gjendja është veç më e rëndë. Kanë premtuar pesëfishimin e numrit të inspektorëve të punës. Nuk ia kanë bërë vijë”, ka thënë Hyseni.
Hyseni ka thënë se kryeministri Kurti nuk do të mbahet mend për asnjë punë.

“Kryeministri i obsesionuar me historinë dhe kohën nuk ka mundur të përfundojë më keq. Nga dikush që tërë kohën mendon për historinë, për jetëgjatësinë e tij në politikë, për trashëgimin e tij, te dikush që nuk i zgjat rrena as katër ditë”, u shpreh ai.
Sipas tij, kryeministri Kurti nuk do të mbahet mend për asgjë.

“Rrahje gjoksi e rritje e mendjes; shumë fjalë, shumë numra, shumë shifra. Para 2 vjetëve na thanë se ndodhi diçka e madhe, e jashtëzakonshme. A e dini çfarë ndodhi para 2 vjetëve? Bash asgjë”, ka shtuar Hyseni.

PSD-ja është një subjekt politik joparlamentar, që drejtohet nga grupi i ish-aktivistëve të Vetëvendosjes, të cilët i janë ndarë kësaj partie në 2017-n.