Pas 24 vjetësh nga masakra më e madhe gjatë luftës në Kosovë, ajo e Mejës së Gjakovës në të cilën forcat serbe vranë 370 civilë shqiptarë, autoritetet treguan se për këtë krim janë akuzuar 53 persona.
Përfaqësues të Prokurorisë Speciale bënë të ditur se që nga 2018-a janë ngritur 33 aktakuza kundër 89 personave, shumica nga të cilët dyshohen për përfshirje në masakrën e Mejës.
Prokurorja Drita Hajdari tregoi detaje të aktakuzës.
“Aktakuza është e strukturuar në tri pjesë – pjesa e parë përfshinë 5 të akuzuar që kanë planifikuar masakrën e Mejës dhe fshatrave të tjera, pjesa e dytë e përfshinë grupin prej 11 të pandehurve të cilët në bashkëkryerje me grupin e parë kanë zbatuar planin për masakrën e Mejës, ndërsa grupi i tretë prej 37 të pandehurve përben ekzekutorët direkt të cilët kanë kryer masakrën”.
Për një tjetër masakër të madhe, atë të Dubravës, tashmë është mbajtur shqyrtimi fillestar gjyqësor.
Prokurori Ilir Morina tha se krahas këtij të akuzuari, dyshohen edhe 88 persona të tjerë.
“Nën hetim janë 88 të pandehur. Ky hetim ka filluar qe një kohë të gjatë pasi ishte lëndë e EULEX-it. Një të pandehur e kemi në paraburgim. Është sfidë të kryhet një hetim lufte për dy vjet, por këto janë mundësitë ligjore. Me ligj paraburgimi është 2 muaj. Për të pandehurit e tjerë vazhdojnë hetimet, domethënë Masakra e Dubravës nuk përfundon me këtë aktakuzë”.
Prokurorë të Speciales treguan se një pjesë e provave për këto raste të krimeve të luftës u janë transferuar nga EULEX, e të tjera relevante janë marrë edhe nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë.
Kryeprokurori i Speciales, Blerim Isufaj, tha se organi i akuzës është përballur me shumë probleme që lidhen me trajtimin e rasteve.
Gjatë luftës së dy dekadave më parë, rreth 13.500 vetë u vranë e rreth një milionë u dëbuan nga shtëpitë e tyre. Shumica dërrmuese e viktimave janë shqiptarë. Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, për këto dhe krimet e tjera, deri më tani janë dënuar gjithsej 72 persona. Prej tyre, 38 janë shqiptarë, dhe 34 pjesëtarë të forcave serbe.