LAJMET E MBRËMJES

Scholz: E paimagjinueshme që dy vende të cilat nuk e njohin njëra- tjetrën të bëhen anëtare të BE-së

Mesazhe të qarta për rëndësinë e Procesit të Berlinit, dialogun Kosovë-Serbi dhe rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian ka përcjellë të premten kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, gjatë qëndrimit në Prishtinë e Beograd. Ai ka lavdëruar institucionet e Kosovës për sanksionet e vendosura ndaj Rusisë, ndërsa ka hedhur kritika ndaj pushtetit në Serbi për mosrreshtim me vendet e BE-së. Përveç kësaj, Scholz ia ka bërë të qartë Serbisë se duhet të njohë Kosovën në mënyrë që të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian

Kosova dhe Serbia nuk do të mund të anëtarësohen në Bashkimin Evropian pa e njohur njëra-tjetrën, ka theksuar kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, të premten, gjatë qëndrimit disaorësh në Prishtinë. Scholz është pritur me ceremoni shtetërore nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me të cilin pas takimit kanë mbajtur konferencë të përbashkët.

“Një marrëveshje politike mes të dy vendeve është një kusht i rëndësishëm për investime dhe vende pune e me këtë edhe për perspektivën e të rinjve në Kosovë. E qartë është se marrëveshja në fund duhet të zgjidhë edhe çështjen e njohjes së Kosovës, sepse është e paimagjinueshme që dy vende të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën të bëhen anëtare të BE-së”, ka thënë Scholz, duke shtuar se Gjermania mbështet emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, në ndërmjetësimin që është duke iu bërë bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Përveç njohjes së Kosovës, shefi i Qeverisë gjermane ka kërkuar nga Serbia që të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian dhe të rreshtohet krah saj në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

“Duhet t`i pranojë të gjitha - legjislacionin, demokracinë, hapjen, transparencën dhe këtu bën pjesë gjithashtu që të kemi një politikë të përbashkët kundrejt vendeve të tjera dhe këtu bën pjesë po ashtu dhe regjimi i sanksioneve të cilin e ka vendosur Bashkimi Evropian ndaj Rusisë dhe kjo duhet të pranohet nga një vend i cili dëshiron të anëtarësohet në BE dhe për këtë është e rëndësishëm që një vend i cili synon BE-në nuk duhet të ketë iluzione për sa i përket saj”, ka theksuar Scholz.

Kancelari gjerman është shprehur i rezervuar në qëndrimin për iniciativën “Ballkani i Hapur”, mbështetjen parimore për të cilën kohëve të fundit e kanë konfirmuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës e edhe disa nga zyrtarët e Bashkimit Evropian. Ai ka thënë se Gjermania prioritet të madh e ka përparimin e Tregun të Përbashkët Rajonal.

“Është e rëndësishme që të arrihen përparime që janë të arritshme dhe në qoftë se më lejoni të shtoj të gjithë duan të shkojnë në BE, atje edhe ashtu ekzistojnë dhe janë të vlefshme rregullat e lirisë së lëvizjes. Prandaj kushdo që do t`i bashkohet BE-së duhet t`i ndjekë ato”.

Thirrje për t’iu përkushtuar Tregut të Përbashkët Rajonal, shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor, ka bërë edhe kryeministri Albin Kurti. Me përkushtimin që kanë ndaj Procesit të Berlinit, Kosova, sipas Kurtit, tregon përafrimin dhe orientimin e saj me politikat e BE-së për rajonin.

“Ne nxisim dhe inkurajojmë çdo vend në Ballkanin Perëndimor që të angazhohet për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe të punojë ngushtë me Këshillin për Bashkëpunim Rajonal si mekanizëm i mbështetur nga Bashkimi Evropian e ku kërkojmë qasje parimore, të drejtë e trajtim të barabartë e gjithëpërfshirës dhe ku përfitues janë qytetarët”, ka thënë Kurti, në konferencën e mbajtur të premten.

Sikurse për dialogun, kryeministri Albin Kurti e fajësoi Serbinë edhe për ngecjet në zbatimin e zgjidhjeve të ofruara në Procesin e Berlinit. Sipas tij, në bisedimet me Serbinë, Kosova është palë kreative, konstruktive dhe e përkushtuar.

“Serbia fatkeqësisht po vazhdon të bllokojë zgjidhjet që ne ofrojmë edhe në kuadër të Procesit të Berlinit. Kjo vërehet së fundmi me marrëveshjen mbi targat ose situatën mbi koston për energjinë në komunat me shumicë serbe të popullsisë në veriun e Kosovës”, ka deklaruar Kurti.

Kryeministri i Kosovës i kërkoi kancelarit të Gjermanisë mbështetje për liberalizimin e vizave, ndërsa sqaroi se një të tillë e ka marrë për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Kancelari Scholz në konferencë ka folur edhe për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Ai ka theksuar se është i angazhuar që të bindë vendet skeptike për të mbështetur këtë proces.

“Ne angazhohemi që liberalizimi i vizave të vijë sa më shpejt pasi kushtet janë plotësuar dhe për këtë flasim me të gjithë partnerët dhe miqtë në Evropë në mënyrë që ata t’i hapin mendimet e tyre dhe të binden siç jemi bindur ne”, deklaroi Scholz të premten.

Në kontekst të procesit integrues dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, kryeministri Albin Kurti ka folur për praninë e trupave të NATO-s në Kosovë, e të cilën e ka konsideruar të domosdoshme.

“Kemi nevojë për NATO-në në Kosovë deri atëherë kur të bëhet Kosova në NATO. Pra, nuk bën të krijohet kurrfarë vakumi i paqes dhe sigurisë”.

Kurti në konferencë për media paralajmëroi se për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian, Kosova do të aplikojë këtë vit.

“Do të vazhdojmë edhe me aspiratën tonë për statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian, ku planifikojmë të aplikojmë në fund të këtij viti”, ka bërë të ditur ai.

Gjatë qëndrimit të tij disaorësh në Kosovë, kancelari Olaf Scholz është takuar edhe me ushtarët gjermanë që shërbejnë në kuadër të KFOR-it.

Vizita e Scholzit, që është e nivelit më të lartë të shtetit të Gjermanisë në Kosovë, është realizuar në prag të përgatitjeve të samitit të radhës në kuadër të Procesit të Berlinit, që do të mbahet në vjeshtë. Në nëntor të vitit 2011, në Kosovë për pak orë ka qëndruar edhe paraardhësja e Scholz në këtë post, Angela Merkel, porse ajo takimin me kryeministrin e atëhershëm, Hashim Thaçi e kishte realizuar në Aeroportin e Prishtinës.

Pas vizitës bërë Kosovës, ai ka udhëtuar të premten drejt Serbisë.

Vuçiqi i befasuar me kërkesën e Scholzit për njohjen reciproke

I befasuar me deklaratat e kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, për njohjen e Kosovës, është shprehur, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Pas takimit që ai pati me kancelarin gjerman, Vuçiq ka thënë se deri tash i është kërkuar vetëm marrëveshje të përgjithshme të normalizimit të raporteve.

“Askush më herët s’ka folur për njohje reciproke, përveç amerikanëve. Askush në Evropë s’e ka kërkuar këtë, pos asaj që kemi dëgjuar sot në konferencën në Prishtinë. Kjo ‘njohja reciproke’ është befasi edhe për ne. Gjermania është e fuqishme e ne jemi të vegjël”, ka thënë Vuçiq duke shtuar se gjërat po kthehen kundër Serbisë.

Porosinë Serbisë për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, kancelari i Gjermanisë, ia përcolli Vuçiqit edhe në takimin me të.

"Është e rëndësishme që sa më shumë vende t'u bashkohen sanksioneve, sepse është një instrument që ndihmon Ukrainën. Sanksionet janë shumë efektive, shumë më efektive pas sanksioneve të vendosura pas aneksimit të Krimesë në 2014”, ka thënë Scholz. “Paketa e gjashtë e sanksioneve të BE-së kundër Rusisë nuk do të zhduket vetëm pas luftës, por është një kusht për përmirësimin e situatës në mënyrë që Rusia të pranojë faktin se nuk mund të diktojë paqen, por duhet të negociojë dhe të bjerë dakord me Ukrainën për një marrëveshje që do të mbrojë integritetin e Ukrainës.

Pas Kosovës dhe Serbisë, Scholz, të shtunën do të do të vizitojë Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë.