LAJMET E MBRËMJES

3 policët e kidnapuar u liruan të mbrohen në liri, Sveçla thotë se Serbia duhet të gjykohet

Tre zyrtarët policorë të Kosovës, të cilët u liruan nga autoritetet e Serbisë, arritën në Kosovë të hënën përmes vendkalimit kufitar në Merdar. Ata hynë në makina të Policisë së Kosovës dhe u nisën drejt Prishtinës, nuk u deklaruan për media, por u takuan me ministrin Xhelal Sveçla.

Saktësisht 12 ditë pasi tre policët kosovarë, Rifat Zeka, Beqir Sefa dhe Mustafë Shemi, ishin kidnapuar nga Policia e Serbisë, rreth orës 14 të së hënës kanë arritur në Kosovë.

Vendimi për lirimin e tyre u mor të hënën gjatë seancës gjyqësore në Gjykatën e Kralevës.

Kjo për shkak që Prokuroria e Lartë e Kralevës nuk bëri kërkesë që t’u vazhdohej paraburgimi.

Zyrtari për Informim i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka qenë zyrtari i vetëm që ka pritur prikën kufitare në Merdar, policët e kidnapuar. E këta policë nuk kanë pranuar të deklarohen për media.

Veturat e policisë morën kolegët e tyre e u nisën në drejtim të Ministrisë së Punëve të Brendshme për t’i dërguar në takim me ministrin Xhelal Sveçla.

Takimi nuk u mbulua nga mediat, megjithatë ky institucion lëshoi komunikatë për media.
“Ministri Sveçla shprehi mbështetjen e të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës, duke theksuar përkushtimin që ky rast i paprecedent i Serbisë të mos kalojë pa përgjegjësi. Ky rast i montuar ndaj pjesëtarëve të Policisë duhet të mbyllet pa kushte dhe në tërësi. Serbia duhet të gjykohet për agresionin e saj”, thuhet në njoftim.

E zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, pas lirimit të tre policëve tha që as ndërkombëtaret më nuk kanë dilema që ata u rrëmbyen brenda Kosovës.

“Vendimi i sotëm i gjykatës sё Kralevёs ёshtё certifikimi mё i fuqishëm i bankrotimit tё shtetit ligjor tё Serbisё. Njё gjykatё shtetёrore, merr vendim pёr akomodim tё njё premtimi politik tё presidentit tё shtetit. Njё vendim qё çon nё mbrojtje nё liri tё tre tё “akuzuarve” pёr armëmbajtje pa leje dhe ka brenda vetes edhe konstatimin se ata nё momentin e “arrestimit” ndodheshin brenda territorit tё Serbisё, nuk ka nevojё pёr ndonjё komentim”, vlerësoi Bislimi.

Pavarësisht lirimit nga paraburgimi, të tre zyrtarëve policorë u është ngritur e konfirmuar aktakuza.

Ata ngarkohen për kryerjen e veprës penale "prodhim, mbajtje dhe qarkullim ilegal i armatimit dhe mjeteve shpërthyese," sipas nenit 348, paragrafi 4, të lidhur me paragrafin 2 dhe 1 të Kodit Penal të Serbisë.

Që nga dita kur policët kosovarë u morën nga shteti serb, Qeveria e Kosovës shprehu bindjen se autoritetet serbe "i rrëmbyen" tre policët, për shkak të arrestimit të serbit Millun Millenkoviq nga Policia e Kosovës, më 13 qershor, nën dyshimet se ka organizuar dhunë kundër pjesëtarëve të misionit të NATO-s, KFOR, në veri të Kosovës.

Kjo zonë, e banuar me shumicë serbe, është tensionuar qysh në fund të majit, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave atje të futen në objektet e tyre, pavarësisht rezistencës së banorëve lokalë.