Pos burgimit, Orlloviqit i është shqiptuar edhe gjobë prej 12 mijë eurosh. Kryetarja e trupit gjykues, Valbona Musliu-Selimaj, ka thënë se aktgjykimi i së hënës është i plotfuqishëm, meqë i pandehuri e ka pranuar fajësinë. Po ashtu, është shprehur se dënimi prej 15 muajsh burgim përkon me veprën penale të kryer “pjesëmarrje në turmë”
Nenad Orlloviq është dënuar me 15 muaj burgim dhe 12 mijë euro gjobë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për pjesëmarrje në protestën e dhunshme të 29 majit 2023 në Zveçan, ku u lënduan 93 pjesëtarë të KFOR-it.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, e ngritur më 11 qershor 2024, Orloviq, që ka shtetësi të dyfishtë, të Kosovës dhe të Serbisë, ka përdorur mjete të rrezikshme, përfshirë eksplozivë e armë zjarri në drejtim të pjesëtarëve të forcave të Aleancës Veriatlantike.
Kryetarja e trupit gjykues, Valbona Musliu-Selimaj, ka thënë se aktgjykimi i së hënës është i plotfuqishëm, meqë i pandehuri e ka pranuar fajësinë. Po ashtu, është shprehur se dënimi prej 15 muajsh burgim përkon me veprën penale të kryer “pjesëmarrje në turmë”.
“Koha e kaluar në masën e paraburgimit nga data 23 qershor 2023 do t’i llogaritet në dënimin e shqiptuar me burgim. Ndërsa, për veprën penale të kryer po ashtu në bashkëkryerje pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm nga neni 404, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës ia vërteton dënimin me burgim në kohëzgjatje 6 muaj, por konform nenit 44, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, me pëlqimin e të akuzuarit dënimi me burgim i zëvendësohet me dënimin me gjobë në shumë prej 12 mijë euro”, ka thënë Musliu-Selimaj.
Në rast se nuk e paguan gjobën që i është mundësuar ta shlyejë edhe me këste, banori i Mitrovicës së Veriut do të mbajë burg, ku një ditë do t’i llogaritet 20 euro.
Orlloviq është në paraburgim që nga 23 qershori i vitit të kaluar.
Me veprimet e tij, që sipas aktakuzës njihej me nofkën “Nemac” apo “Gjermani” në shqip, janë lënduar pjesëtarë të shumtë të KFOR-it ditën kur kryetarët shqiptarë të komunave veriore hynë në objektet kryesore komunale.
“...në koordinim me shumë të pandehur të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, kanë marrë pjesë aktive në grupin e personave në kryerjen e veprave penale serioze në atë mënyrë që përmes përdorimit të dhunës i kanë sulmuar dhe seriozisht i kanë kanosur ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorur mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara, si dhe armë zjarri, nga të cilat janë lënduar të paktën 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, tre nga ta nga predhat e armëve të zjarrit, si dhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të cilët kanë qenë në detyrë zyrtare për të garantuar rendin dhe qetësinë publike për të gjithë qytetarët në atë pjesë”, thuhet ndër të tjera në aktakuzë.
Për vepra penale të njërës prej ditëve më të dhunshme të vitit të shkuar janë dënuar edhe Dushan Obrenoviq e Radosh Petroviq. Obrenoviqit i janë shqiptuar 6 muaj burgim e Petroviqit masa i është zëvendësuar me gjobë prej 6 mijë eurosh.
Aktualisht në paraburgim për veprime të dhunshme më 29 maj 2023 janë edhe i akuzuari Dalibor Spasiq, si dhe të dyshuarit Slobodan Miletiq dhe i L.D., të cilin Lista Serbe e ka identifikuar si qytetar serb me emrin Lazar nga Zveçani.
Gjatë përleshjeve të 29 majit 2023, u lënduan 93 pjesëtarë të KFOR-it, disa prej të cilëve kishin lëndime të rënda.
Në Kosovë deri më tani janë arrestuar rreth dhjetë persona për dhunën në protesta dhe për sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, por shumica e tyre u liruan për t’u mbrojtur në liri.
Për shkak të dhunës në veri majin e vitit të kaluar, por edhe sulmit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit në shtator, KFOR-i rriti praninë ushtarak në Kosovë dhe tani ka rreth 4.700 ushtarë.
KFOR-i është përgjegjësi i tretë për sigurinë e Kosovës, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, EULEX.