LAJMET E MBRËMJES

10 vjet e tre muaj burg zyrtarëve përgjegjës për aferën 53-milionëshe

Tre vjet e 8 muaj burgim ia ka shqiptuar të mërkurën Gjykata Themelore në Prishtinë ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj. Ai dhe tre zyrtarë të tjerë u gjetën fajtorë për keqpërdorim të pozitës zyrtare, duke i shkaktuar buxhetit të vendit dëm prej 38 milionë eurosh. Avokatët e të akuzuarve kanë paralajmëruar apelimin e aktvendimit

Vetëm 18 ditë pasi u bë ministër, Pal Lekaj nënshkroi një marrëveshje të re me kontraktuesin që ndërtoi autostradën Prishtinë-Hani i Elezit, e për të cilën Gjykata Themelore e Prishtinës konstatoi të mërkurën se e ka dëmtuar buxhetin e shtetit. Gjykata e dënoi Lekajn me 3 vjet e 8 muaj burgim.

Rasti i njohur si “53-milionëshi”, ku të akuzuar për keqpërdorim të detyrës janë Lekaj dhe ish-zyrtarët Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, të mërkurën mori verdiktin e shkallës së parë.

Gjykata i gjeti fajtorë të gjithë.

“Trupi gjykues më datë 31.1.2024 publikisht në emër të popullit bie këtë aktgjykim: Kundër të pandehurve Pal Lekaj, Nebih Shatri, Eset Berisha dhe Besim Tahiri, konform rregullave të procedurës penale nga neni 364, paragrafi 1, janë fajtorë”, shqiptoi aktgjykimin gjyqtarja Violeta Namani-Hajra.

Ndaj Lekajt u shqiptua dënim me burgim prej 3 vjet e 8 muaj dhe dënim plotësues 3 vjet e 6 muaj ndalim i ushtrimit të funksionit publik.

Nebih Shatri dhe Besim Tahiri u dënuan me nga 1 vit e 8 muaj burgim e Eset Berisha me 3 vjet e 3 muaj burgim.

Këta zyrtarë janë dënuar meqë në vitin 2018, Qeveria e Kosovës ka ndarë 53 milionë euro shtesë për kompaninë “Bechtel&Enca” që ka realizuar punimet e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit, për shkak të, siç kishte thënë Qeveria, zgjatjes së afatit të punimeve shkaku i dështimit të ekzekutivit të mëhershëm që t’i paguajë me rregull faturat. Por Qeveria pagoi 53 milionë euro dhe jo 14 milionë euro sa kishte konstatuar kompania mbikëqyrëse “Hill International”, e cila kishte përllogaritur dëmin potencial që i është shkaktuar “Bechtel&Encas” nga mosalokimi i buxhetit konform dinamikës që parashihej në kontratë për kryerje të punëve.

Dënimet ekzekutohen pasi aktgjykimi të bëhet i formës së prerë.

Musa Damati, avokat i ish-ministrit Pal Lekaj, pas seancës gjyqësore tha se do ta apelojë vendimin.

“Vendimmarrja në këtë çështje ka qenë kolegjiale. Pra, nuk është vendimmarrje individuale, por kolegjiale. Vendimi është marrë në mbledhje të hapur, jo nga Komiteti Drejtues Ndërministror, por nga Qeveria e Kosovës dhe madje me vota unanime, pa vërejtje. Prandaj, faktet dhe provat kanë qenë aq shumë shfajësuese saqë ne si mbrojtje këtë vendim nuk mund ta konsiderojmë ndryshe veçse skandaloz”, ka thënë avokati Damati.

E Afrim Salhiu, avokat i ish-këshilltarit Eset Berisha, ka theksuar se klienti i tij nuk ka mundur ta keqpërdorte detyrën zyrtare, sepse ai ka pasur post politik.

“Unë besoj fuqishëm që Gjykata e Apelit do të ketë konsideratë. Ne do ta analizojmë, sepse kemi ofruar një mori provash kundërshtuese të cilat i kemi deponuar në gjykatën e shkallës së parë, e cila nuk i ka marrë për bazë. Gjykata Themelore ka menduar se këta duhet me çdo kusht të dënohen, për të cilin ne mbrojtja mendojmë që është vendim jo i drejtë. Nuk po them skandaloz, por jo i drejtë”, ka thënë Salihu.

Mbrojtja vazhdimisht është thirrur në atë se vendimi ka qenë kolegjial, pra është marrë nga Qeveria dhe jo nga Ministria e Infrastrukturës dhe se po të mos merrej ky vendim, kompania zbatuese e projektit të autostradës “Bechtel&Enca” do ta dërgonte shtetin në Arbitrazh dhe se kostoja do të ishte shumë më e lartë.

Këto argumente i ka hedhur poshtë trupi gjykues sepse, sipas gjyqtarëve, vendimit të Qeverisë i ka prirë rekomandimi i Komisionit Drejtues Ndërministror, i cili ia ka sugjeruar Qeverisë pagesën prej 53 milionë eurove. Mirëpo, gjykata ka gjetur se këtij komisioni, nga ish-ministri Pal Lekaj dhe ish-këshilltari i tij, Eset Berisha, nuk i është prezantuar opinioni i kompanisë mbikëqyrëse “Hill International”, në të cilin thuhet se duhej paguar vetëm 14 milionë euro.

Gjykata gjeti se kompania “Hill International” ishte kontraktuar nga Ministria në vlerë prej 8.7 milionë eurosh, për të mbikëqyrur realizmin e projektit si konsulent ligjor, financiar dhe teknik dhe se më herët asnjë pagesë nuk është kryer pa u certifikuar nga “Hilli”.

Sipas gjykatës, kompania “Hill” ua ka dërguar Lekajt edhe Berishës opinionin brenda afatit të kërkuar dhe se opinioni është pranuar zyrtarisht në Ministrinë e Infrastrukturës. Gjatë shqyrtimeve gjyqësore Lekaj e kishte mohuar ta kishte pranuar këtë opinion.

Fillimisht projekti i autostradës “Arbën Xhaferri” ishte paraparë që të përfundonte më 18 janar 2018. Qeveria e Isa Mustafës, që ishte pararendëse e asaj të Ramush Hardinajt, nuk kishte ndarë paratë e mjaftueshme që punët të përfundonin brenda afatit të paraparë në kontratë. Gjykata gjeti se planifikimi buxhetor për këtë projekt është bërë çdo vit e “Bechtel&Enca” ka punuar me aq mjete sa i janë ndarë.

Ish-ministri Lekaj 18 ditë pasi e mori postin nënshkroi marrëveshje për zgjatjen e afatit të punimeve për 347 ditë nga data e caktuar në kontratën bazë, nën arsyetimin se qeveria paraprake nuk i ka dalë zot projektit me ndarje buxhetore. Sipas gjykatës, në këtë marrëveshje për zgjatje të afatit nuk përcaktohet kostoja financiare, që i ka hapur rrugë “Bechtel&Encas” për kërkesën për 53 milionët. Kompania punëkryerëse pretendoi se gjatë këtij afati, duke mos u kryer punimet me dinamikën e paraparë, asaj i është shkaktuar dëm, i cili sipas “Hillit” ishte 14 milionë euro.

Vite më parë KOHA pati publikuar opinionin e kompanisë “Hill”, i cili nuk i ishte prezantuar Komitetit e më pas as hetuesisë. Pas raportimit të KOHËS hetimet mbi rastin ishin intensifikuar dhe në shkurt të 2022-s Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë.

Autostrada Prishtinë-Han i Elezit e bart emrin “Arbën Xhaferi”, ka një gjatësi prej 55 kilometrash dhe ndërtimi i saj i ka kushtuar buxhetit të Kosovës rreth 600 milionë euro.

Në qershorin e 2022-s, Prokuroria ka nisur proces të ri hetimor për pagesat e Ministrisë së Infrastrukturës për konsorciumin “Bechtel Enka”, që ka ndërtuar autostradën. Përveç 53 milionë eurove në emër të vonesave në kryerjen e punëve, dyshimet janë që këtij konsorciumi i janë paguar edhe 44 milionë euro në emër të punëve shtesë.