Lajme

Pensionet e pamjaftueshme, problem kryesor i të moshuarve

*Teksti dhe storja janë përgatitur në kuadër të projektit “Dëgjonani"!

Përballimi i shpenzimeve mbetet sfidë për shumë pensionistë. Ata thonë se me 120 eurot e pensionit bazë, nuk mund ta mbulojnë as koston e barnave. E, në hapësirën ECR që KOHA ua ka ofruar qytetarëve, 30 për qind e atyre që u përgjigjën deklaruan se çështja më e rëndësishme për pensionistët është rritja e pensionit. Pas kësaj, janë listuar: Sigurimi i medikamenteve pa pagesë, përmirësimi i shërbimeve shëndetësore e ofrimi i shërbimeve publike gratis. Ekspertë të politikave sociale bëjnë thirrje që qeveria e re ta reformojë sistemin pensional

Në një tavolinë shahu në Shoqatën e pensionistëve invalidorë të punës, temë e përhershme diskutimi ndërmjet Bajram Malokut dhe bashkëmoshatarëve të tij është sfida e përballimit të shpenzimeve mujore me një pension prej 120 eurosh.

Maloku thotë se me shumën që merr, nuk arrin ta mbulojë as koston e barnave.

“Nuk është i mjaftueshëm. Ato as për barna nuk dalin, për çështje shëndetësore, e jo për probleme tjera”, thotë ai. “Obligimet e tjera familjare me nxemje, me rrymë e me mbeturina, duhet me i pagu e nuk mjafton”.

Në hapësirën ECR që KOHA ua ka ofruar qytetarëve për të treguar se çfarë duhet të bëjë qeveria e re për pensionistët, 30 për qind e atyre që u përgjigjën deklaruan se çështja më e rëndësishme është rritja e pensionit. Pas kësaj, çështje me më shumë rëndësi janë listuar me nga rreth 20 për qind sigurimi i medikamenteve pa pagesë e përmirësimi i shërbimeve shëndetësore. Rreth 15 për qind e identifikuan si çështje me më rëndësi ofrimin e shërbimeve publike gratis, 8 për qind politikat e përfshirjes sociale, kurse 7 përqind si çështje me më rëndësi përmenden sigurimin e banimit.

Pensioni i pleqërisë aktualisht është në vlerën 120 euro, kurse ai kontributpagues rreth 250 euro.

Por, 78.8 për qind e atyre që u përgjigjën në hapësirën ECR, thanë se shpenzojnë mbi 200 euro për gjëra esenciale, si ushqimi, banimi, barna e të tjera.

Sherif Kastrati drejton Shoqatën e Pensionistëve. Ai thotë se brengë kryesore mbetet pensioni i pamjaftueshëm.

“Më e rëndësishmja, ta ceku pagën. Paga është aq e vogël sa nuk i plotëson as kushtet minimale për ta ushqyer një person”, ka thënë Kastrati.

Ai ka shprehur besimin se reforma në skemën e pensioneve do ta zgjidhte problemin.

“Këto probleme... e vetmja mundësi është që të bihet ligji mbi fondin pensional”, ka thënë Kastrati. “Ky ligj ekzistues nuk i plotëson standardet evropiane... Të gjitha qeveritë e din që ky ligj nuk i plotëson, por deri më tash nuk është ndërmarrë asgjë.”

E eksperti i politikave sociale, Artan Mustafa, tregon se cili opsion do të ishte i duhuri për t’i adresuar nevojat e pensionistëve.

“Mënyra se si mund të bëhet kjo përmes reformës së sistemit pensional është duke ndërtuar, duke shtuar diçka të re ndërmjet pensionit bazë universal dhe kursimeve pensionale të obligueshme. Pra, ajo që mund të shtohet është pikërisht një lloj i një pensioni, i cili do të ndërtohej, duke i marrë pensionet e sotme kontributdhënëse, skemën e pensioneve të sotme kontributdhënëse”, ka thënë Mustafa.

Krahas kësaj, Mustafa sugjeron që fokusi të vihet edhe te sigurimi shëndetësor.

“Reforma e ardhshme, duhet t’i japë prioritet sistemit pensional dhe sistemit shëndetësor, për shkak se ato të dyja janë dy karakteristikat më të fuqishme të çdo shteti të mirëqenies”, ka insistuar ai.

Gati 70 për qind e atyre që u përgjigjën në hapësirën ECR, e vlerësuan si të dobët mbështetjen që aktualisht ofrojnë institucionet për pensionistët.

E në pyetjen se çfarë ndryshimi do të prisnit nga Qeveria e re, 28.5 u përgjigjën “rritjen e pagave”, 18.8 për qind “përmirësimin e shërbimeve shëndetësore”, 18.5 për qind “sigurimin e barnave pa pagesë”, e 14.1 për qind “ofrimin e shërbimeve publike pa pagesë”, 11.8 për qind “mbështetje për jetesën e përditshme” dhe 6.8 për qind “sigurim të banimit”.