Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se nuk do të ndalen së kërkuari sqarim për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit dhe kthimin e pjesshëm dhe përfundimtar të tyre.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Tahiri ka thënë se partia në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje po hesht lidhur me rastin Dehari.
Ai më tej ka shtruar disa pyetje lidhur me atë se për çfarë kanë shërbyer provat jashtë Institutit të Mjekësisë Ligjore.
“Çka është kjo heshtje në Vetëvendosje për mostrat e rastit Dehari? Kush i vodhi mostrat e rastit Dehari? Ku qëndruan ato për një vit e gjysmë? Për çka shërbyen ato mostra jashtë Institutit? A pati ndërhyrje në mostra në kohën sa ishin jashtë Institutit? Kush i ktheu ato? Pse nuk pranuat ta votoni komisionin hetimor parlamentar për zhdukjen e këtyre mostrave? Nuk mund të fshiheni nga e vërteta! Ne nuk do të ndalemi deri të sqarohet gjithçka”, ka shkruar ai.
Një ditë më parë, Tahiri përmes një konference për shtyp ka bërë thirrje për Prokurorinë Speciale që të vihet para drejtësisë “secili zyrtar shtetëror që ka gisht në zhdukjen e provave të Astrit Deharit dhe në kthimin e pjesshëm dhe përfundimtar të tyre”.