Kulturë

“Zot! Ç’drithërimë…”, Elbenita Kajtazi shkëlqen në Cardiff

Gjashtëmbëdhjetë zëra unikë po garojnë në edicionin e sivjetmë të një prej ngjarjeve më të njohura të muzikës operistike. Në mesin e tyre është edhe sopranoja shqiptare që jeton në Gjermani, Elbenita Kajtazi, e cila në kryeqytetin uellsian po garon për kurorën e “BBC Cardiff Singer of the World”, si dhe për çmimin “Song Prize”

Pesha e të qenit në një garë të fortë mund të mos jetë ndier aspak kur pasioni i interpretimit e ka bërë punën e vet. Me një performim subtil, sopranoja e njohur shqiptare Elbenita Kajtazi ka mësyrë të mërkurën mbrëma skenën e “BBC Cardiff Singer of the World”.

Në edicionin e 20-të me radhë të kësaj gare – e cila zgjat deri të shtunën – virtuozja e lindur në Mitrovicë e ka ngjitur për herë të parë Kosovën në një nga ngjarjet më të njohura të muzikës operistike.

Nëpërmjet një videoje gjashtëminutëshe, edhe mediumi i njohur britanik BBC ka sjellë një shkëputje nga interpretimi mjeshtëror që Kajtazi i ka bërë operës “Roméo et Juliette” të Gounodit.

Në mjedisin impozant të St David’s Hall të përshkuar nga një ndërndërrim ndriçimesh nga roza në të kaltër, artistja shqiptare e ka nisur me një ton dramaciteti vargun e parë: “Dieu! quel frisson court dans mes veines?” (Zot! Ç’drithërimë po lëvrin në venat e mia).

Duke i bashkëshkrirë në mënyrë të harmonishme vokalet e saj dhe afinitetin aktoresk, nën shoqërimin e Orkestrës Kombëtare të Walesit, duartrokitjet e vetë instrumentistëve kanë qenë “pagëzimi në zjarr” për një sprovë të kaluar me sukses.

Si një kënaqësi të papërshkrueshme e ka cilësuar sopranoja e njohur performancën e së mërkurës mbrëma.

“Nga zemra ju uroj gjithë të mirat dhe faleminderit shumë për përkrahjen. Ishte kënaqësi e papërshkrueshme ta reprezantoja Kosovën për herë të parë në Cardiff-Wales”, ka shkruar Kajtazi në një afishim në faqen e saj zyrtare në “Facebook”.

Vlerësime të larta për këtë performancë ka bërë edhe Ministria e Kulturës.

Nëpërmjet një kumtimi të bërë të enjten, institucioni më i lartë i kulturës në Kosovë ka vlerësuar se përfaqësime të tilla “na bëjnë krenarë gjithmonë”.

“Paraqitja në një skenë të tillë ku u shoqërua me një orkestër të tërë dëshmoi edhe një herë që sukseset e saj nuk kanë mbarim”, thuhet në kumtesë.

Sipas Ministrisë së Kulturës, “për herë të parë në histori ajo ka prezantuar Kosovën në këtë garë, ndërsa interpretoi një repertor të larmishëm të veprave botërore dhe shqiptare”.

“Krenare”, ka qenë postimi i shkurtër i sopranos së njohur shqiptare, Ermonela Jaho, e cila në faqen e saj zyrtare në “Facebook” ka shpërndarë videon e BBC-së nga ky performim i Kajtazit.

Në edicionin e sivjetmë, ku po marrin pjesë 16 konkurrentë nga 15 vende të ndryshme, Kajtazi ka zgjedhur të konkurrojë në garën e këngës dhe atë të operës.

Në një afishim të bërë ditë më parë, nga dhoma e hotelit, sopranoja kishte thënë se izolimi po e ndihmonte të përgatitej e të fokusohej më mirë për garën “jashtëzakonisht të vështirë”.

Ajo kishte paralajmëruar se repertorin e këngëve e kishte përzgjedhur asisoj që në mes të tyre të ishin krijime nga Berg, Strauss, Debussy, Brahms, Bridge, Liszt e Rachmaninoff.

Pos sopranos 30-vjeçare nga Kosova, në edicionin e sivjetmë të “BBC Cardiff Singer of the World” marrin pjesë edhe: Christina Gansch, soprano 31-vjeçare nga Austria; Chuan Wang, tenor 32-vjeçar nga Kina; Nicolai Elsberg, bass 31-vjeçar nga Danimarka; Stephganie Wake-Edwards, mezzo-soprano 27-vjeçare nga Anglia; Natalie Kutateladze, mezzo-soprano 29-vjeçare nga Gjeorgjia; Álfheiður Erla Guðmundsdóttir, soprano 27-vjeçare nga Islanda; Michael Rakotoarivony, bariton 28-vjeçar nga Madagaskari; Ankhbayar Enkhbold, bariton 32-vjeçar nga Mongolia; Gihoon Kim, bariton 29-vjeçar nga Republika e Koresë; Jusung Park, bass-bariton nga Republika e Koresë; Evgeniia Asanova, mezzo-soprano 26-vjeçare nga Rusia; Masabane Cecilia Rangëanasha, soprano 27-vjeçare nga Afrika e Jugut; Reginald Smith Jr, bariton 32-vjeçar nga Amerika; Maria Brea, soprano 30-vjeçare nga Venezuela si dhe Sarah Gilford, soprano 29-vjeçare nga Uellsi. Këta këngëtarë shoqërohen nga BBC National Orchestra of Wales dhe Orchestra of the Welsh National Opera, me dirigjentët e njohur Andrew Litton dhe Michael Christie.

Sipas “analeve” të kësaj ngjarjeje, Kajtazi megjithatë nuk është e para këngëtare shqiptare që pushton skenën në Cardiff. Më 1997, sopranoja Erla Kollaku e kishte përfaqësuar aty Shqipërinë.

Ndryshe, “BBC Cardiff Singer of the World” është një garë e çdo dyvjetshme që organizohet në bashkëpunim me Operën Kombëtare të Walesit, si dhe me mbështetjen e qytetit të Cardiffit.

Kjo garë është e hapur për të gjithë ata këngëtarë që janë në fillimet e karrierave të tyre profesionale, nga mosha 18 deri në 32 vjeç. Pasi një procesi përzgjedhës në tri faza, konkurrentët e zgjedhur, zakonisht deri në 20 syresh, ftohen të garojnë në Cardiff për të performuar muzikë operistike e koncertale përballë një jurie me emra të shquar.

Kjo garë ka filluar nga BBC Wales më 1983 në nderim të hapjes së sallës St David në Cardiff, ku ndodhet Orkestra Kombëtare e Wellsit.