Kulturë

“Zjarri” bashkon fëmijët në “Dodonë”

E shtuna në “Dodonë” ka vjet që është një lloj feste e shprese se teatri në Kosovë e ka të garantuar publikun. Stërmbushet me fëmijë e shkas për këtë, kësaj radhe ka qenë premiera e shfaqjes “Zjarri” nën regji të Melihate Qenës. Rrëfen historinë e vajzës së vogël me emrin Lena që luan me zjarrin. Atmosfera që krijojnë fëmijët në publik, është “shfaqje” paralele në “Dodonë”

Do kohë për t’u ngritur perdja, përderisa në foaje, zhurmshëm fëmijët presin të futen në sallë. Kur ndizen dritat, sytë drejtohen krejt te skena, publiku bie një grimë në qetësi. Në teatrin “Dodona” që edhe tre vjet feston katër dekada, një pamje e tillë është gati rituale tashmë, e shkas për këtë, të shtunën ka qenë premiera e shfaqjes “Zjarri” në regji të doajenes, Melihate Qena. Fëmijë të moshave të ndryshme, duke filluar nga ata që ende rrinin mbi prehrin e nënës, e deri tek ata që tashmë vijnë edhe vetë në teatër, janë pjesë e publikut besnik. Siç rëndom vepron ky teatër, shfaqja u dha në dy herë radhazi. Në të dyja rastet salla ka qenë plor.

Në shfaqje kukullash, atmosfera dallon shumë nga ajo e shfaqjeve për të rritur. Gjatë tërë kohës në sallë ndjehet ngazëllim i fëmijëve dhe herë pas herë edhe komentet e tyre. Qetësia vjen vetëm atëherë kur në skenë rritet dramaciteti, ndërsa ndërrimi i akteve bëhet përherë me muzikë, e cila i bën fëmijët të hidhen në këmbë e të vallëzojnë nga vendi.

“Zjarri” rrëfen historinë e vajzës së vogël me emrin Lena. Kur e ëma e saj niset për të blerë diçka, e këshillon të bijën që të mos ia hapë derën stufës. Por, Lena nuk arrin t’u rezistojë lutjeve të zjarrit, por e pëson. Zjarri ai kaplon tërë shtëpinë. Si përfundim shtëpia e gjithçka brenda saj digjet dhe Lena pendohet për veprimin që bën. E sikur çdo shfaqje apo tregim dedikuar fëmijëve, edhe “Zjarri” ka një mesazh: sugjeron që fëmijët duhet të kenë kujdes e t’i dëgjojnë përherë këshillat e prindërve. Në realizimin e kësaj shfaqjeje, regjisorja Melihate Qena ishte bazuar në tregimet e shkrimtari rus Samuil Marshak, i cili kishte shkruar për fëmijë por edhe për të rritur.

Për aktoren Roza Berisha, e cila tashmë ka mbi tri dekada që punon në shfaqje si këto, loja para fëmijëve është më e vështirë për shkak se, për dallim nga të rriturit, ata nuk mund ta fshehin zhgënjimin apo gëzimin e tyre.

“Meqenëse në teatrin e kukullave unë luaj që tridhjetë e ca vjet për mua është kënaqësi e madhe, sepse mendoj që publiku më i sinqertë për ta parë një shfaqje janë fëmijët. Ata nuk mund t’i mashtrosh të thuash: ‘po mirë ishte’. Ata ose e pëlqejnë ose s’e pëlqejnë shfaqjen”, ka thënë Berisha, pas reprizës së parë të “Zjarrit”.

Ndonëse jo me kaq përvojë sa kolegia e saj, një gjë të tillë e ka pohuar edhe aktorja tjetër, Vjosa Tasholli.

“Për dallim nga Roza që punon tash e tridhjetë e sa vjet, unë i kam tri- katër vjet që luaj për fëmijë dhe padyshim dallimi është shumë i madh, përgjegjësia është shumë më e madhe kur luan për fëmijë por edhe kënaqësia është më e madhe”, ka thënë Tasholli.

Deri në përfundimin e “Zjarrit” provat kanë zgjatur jo më shumë se tri javë, megjithatë aktorët kamë punuar intensivisht, me qëllim që shfaqja të inskenohet në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Provat zakonisht Meli nuk i zgjat shumë që është mirë, sepse asgjë s’bën kur e zgjatë. Tri javë kemi punuar me Melin. Provat kanë qenë shumë intensive. Jemi lodhur pak, por lodhja kalohet”, ka thënë Berisha.

Përveç shfaqjeve për fëmijë, “Dodona” e ka të njohur edhe skenën e mbrëmjes megjithatë, interesimi i fëmijëve është më i madh sesa ai i të rriturve.

“Ndoshta është fat për prindërit, që shfaqjet e fëmijëve janë në fundjavë dhe me gjasë ata janë më të lirë. Shfaqjet për të rritur janë zakonisht ditëve të punës kështu që ndoshta pasi ta përfundojnë punën edhe janë të lodhur e përtojnë të vijnë por e shtuna, shfaqjet për fëmijë janë plot dhe normalisht kjo për ne është kënaqësi”, ka thënë Tasholli.

Aktori, Ermal Sadiku, i cili ka një vit e gjysmë që punon në teatrin e kukullave, ka çmuar punën me regjisoren, Melihate Qena, e cila pas përfundimit të shfaqjes, s’ka pranuar të prononcohet.

“Bashkëpunimi me Melin ka qenë shumë i mirë. Kam shumë respekt për të sepse është shumë e veçantë në punën e saj, ka qejf të kërkojë shumë nga aktorët, nga teatri dhe ajo njihet edhe si një ndër themelueset e këtij teatri. Ndihem i nderuar që kam punuar me të në këtë shfaqje”, ka thënë Sadiku. Në shfaqjen “Zjarri” luajnë edhe aktorët: Arta Lahu, Avdi Azemi, Avni Hoti dhe Leonit Maloku, ndërsa me elemente të skenës kanë luajtur: Bedri Maloku, Fadil Bekteshi dhe Albert Gashi.

Orari i të shtunave për shfaqjet për fëmijë, është traditë e kahershme e “Dodonës”, teatri i cili në kohën e okupimit të Kosovës, ka qenë oazë e artistëve.

“Për çdo të shtunë, në teatrin ‘Dodona’, në orën 12 dhe 13 ka shfaqje për fëmijë. Përveç rasteve kur i bie të ketë festë shtetërore, atëherë festë ka edhe ‘Dodona’. Mirë është. Salla mbushet. Përndryshe janë shfaqje të cilat punohen në periudha të caktuara së bashku edhe me ndonjë produksion”, ka bërë të ditur, Valdet Rama zëvendës i drejtorit të teatrit “Dodona”.

Shfaqjet për fëmijë janë në repertor edhe gjatë ditëve të javës me ç’rast mundëson edhe bashkëpunimin me kopshte apo shkolla të ndryshme të qytetit.

“Por tani menjëherë, qysh më datën 1 shkurt do t’i kemi dy repriza të shfaqjes të organizuara me kopshte meqenëse shkollat janë në pushim. Pastaj me siguri, prej javës tjetër do të kemi bashkëpunime me shkolla që ta shohin sa më shumë fëmijë dhe ta vazhdojmë atë kontinuitetin e punës që e bën ‘Dodona’ me organizimin e shfaqjeve të fëmijëve. Pastaj në mbrëmje do të ketë organizim të shfaqjeve të mbrëmjes”, ka thënë Rama teksa ka shtuar se këto ditë do të dalë edhe programi i shkurtit.

Tërë këto aktivitete por edhe numri i vizitorëve, janë tregues se, pas periudhës pandemike, ky teatër tashmë i është kthyer normalitetit.

“Në fakt, në njëfarë mënyre po më duket që ia kemi dalë ta ruajmë shpirtin punues. Punën e kemi kthyer në nivele normale. Tani është duke u zhvilluar ritëm normal i të shtunave me shfaqje të orës 12 dhe 13. Ka shfaqje të organizuara me shkolla me kopshte pastaj ka shfaqje për të rritur në mbrëmje, pra është ritmi i zakonshëm. Shikueshmëria në shfaqjet e fëmijëve është në nivelin e kënaqshëm, ndërkaq të skena e mbrëmjes është pakëz më dobët”, ka treguar Rama.

“Dodona” ka krijuar edhe traditën e vet. Shumë prindër të cilët si fëmijë kanë parë shfaqje aty, tashmë i sjellin fëmijët e tyre.

“Në fakt kalova shumë mirë. Është një nostalgji, një dashuri gjithmonë për teatrin ‘Dodona’. Neve na kujtohet edhe në kohën e fëmijërisë sonë. Ka qenë një ndër vendet e vetme ku kemi ardhur të argëtohemi, të mësojmë dhe në një kohë të suprimimin ka qenë vend edhe i gjuhës shqipe, e i aktiviteteve tona”, ka thënë Meliza Haradinaj-Stublla, ish-ministre e Jashtme, e cila në teatër ka sjellë fëmijët e saj.

Për Prishtinën e cila nuk ofron edhe shumë mundësi aktivitetesh, teatri “Dodona”, konsiderohet si një vend ideal për t’i sjellë fëmijët.

“Po kryesisht vikendeve i sjell fëmijët. Mendoj se është shumë e rëndësishme duke e marrë parasysh që në Prishtinë zakonisht nuk ka shumë aktivitete për fëmijë përveç playgroundëve. Është shumë e rëndësishme me i sjellë fëmijët këtu, sepse edhe po mësojnë diçka edhe po shohin gjëra interesante”, ka thënë Rineta Krasniqi.

Ndërkaq e bija e saj, Sparta ka treguar se pse i pëlqeu kjo shfaqje.

“Më ka pëlqyer më shumë në fund që u mposht zjarri. Së bashku me nënën dhe motrën e vogël, vij të shoh shfaqje në çdo pushim”, është shprehur ajo plot emocion.

“Zjarri” është bashkëprodhim i “Dodonës” me organizatën joqeveritare, “Antigona&M” ndërsa është përkrahur nga Komuna e Prishtinës.