Të rinjtë që kërkojnë lirinë tek përjetojnë një konflikt nga gjeneratat e vjetra, është në esencën e animacionit polak “Zima” që ka fituar Çmimin kryesor të “Anibarit”, i cili ka përmbyllur edicionin e 15-të të dielën mbrëma. Në njëfarë forme ilustron edhe frymën e vetë Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Animuar, i cili sivjet ka ardhur zëshëm me thirrjen: “Shembe patriarkatin!”
Është rrëfim që haset në secilin vend. Por kësaj radhe vjen nga Polonia. Në shtetin që i takoi bllokut të mbyllur të Lindjes, të rinjtë janë në hall me lirinë e tyre. Konflikti midis gjeneratave është i përhershëm. Me krejt telashet e peripecitë që nuk ndalen. Nuk bëhet fjalë për betejë, por për luftë që s’i dihet fundi. Rrëfimi i animuar nën titullin “Zima” me aurorë Tomek Popakul dhe Kasumi Oz ka fituar Çmimin kryesor të edicionit të sivjetmë të festivalit ndërkombëtar të filmit të animuar, “Anibar” në Pejë. Juria në përbërje të Jane Lyngbye Hvid Jensen nga Danimarka, Nadja Andrasev nga Hungaria, Yiorgos Tsangaris nga Qiproja, Gerben Schermer nga Holanda e Amanda Bonaiuto nga SHBA-ja ka vendosur që ky film të jetë fituesi i Garës Ndërkombëtare.
Në historinë gati gjysmorëshe në një hapësirë të ftohtë, kafshët përfshihen bashkë me krejt besëtytnitë rreth tyre. Vendet që kanë telashe me liri individuale, grupore e ekonomike edhe legjendat i kanë të mëdha.

Në mbrëmjen e së dielës në “Kino Liqe” në parkun “Karragaq” të Pejës, pjesëmarrës e mysafirë janë bërë bashkë për të finalizuar edicionin e sivjetmë, të 15-in me radhë të “Anibarit”. Nata e fundit, e shtata, është një lloj feste. Bashkohen krejt, organizatorët, vullnetarët, mysafirët, juritë, shikues e të tjerë për të festuar një edicion të veçantë. Këto ditë nën temën “Shembe patriarkatin!” në katër lokacione – përfshirë atë ku filmat janë dhënë në "VR" – audienca ka parë 158 filma në 10 kategori. Prej orës 10:00 kur janë shfaqur animacionet për fëmijë e deri në 23:00 kinematë kanë qenë në dispozion të atyre që duan filmat e animuar. Pothuajse të gjitha rrëfimet direkt ose indirekt i kanë shkuar për shtati temës së sivjetme. Patriarkati është telash global. Bëhet edhe më i rëndë në vendet si Ballkani. Por arti mbetet armë kreative për të prekur mendësitë.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve, sikurse ajo e hapjes, është moderuar nga aktorja Zana Berisha. Ka nisur me dy video ku janë përmbledhur ditët e “Anibarit”. E para ka shpërfaqur pothuajse krejt aktivitetet e zellin që kanë organizatorët bashkë me përkrahjen që marrin nga qytetarë e institucione. Kurse e dyta ka shpërfaqur punëtoritë e mbajtura ku sivjet janë mbledhur rreth 60 fëmijë e të rinj duke marrë hapat e parë e duke mësuar teknika të animacionit. “Anibar” sivjet as në konkurrencë e as në programe të veçanta nuk ka pasur asnjë film të animuar vendor. Për këtë edhe ka pasur kritika. Madje ata që e shohin Festivalin pak më me sy kritik vazhdimisht me të drejtë kanë shtruar pyetjen: “Ku është prodhimi i kësaj ngjarjeje”.
Por në natën finale janë dhënë katër filma të gjeneratës së shtatë të Akademisë së Animacionit, derivat ky i “Anibarit”. Kritikët janë të gatshëm: “Shtatë gjenerata, asnjë film në garë a programe speciale?”. Filmat e shkurtër të të rinjve të Akademisë janë rrëfime të lehta fillestarësh. Paraqesin momente qesharake të ndjekjes së mushkonjave brenda shtëpisë e prekin edhe ambientin e botën e kafshëve. Organizatorët synojnë që një ditë vendi të ketë garë kombëtare. Mbetet të shihet se cili do të jetë rezultati i donacionit prej 480 mijë eurosh të shtetit francez për animatorët e rinj.
Pjesa e ndarjes së çmimeve është njëfarë ceremonie më vete. Sipas jurisë së Garës Ndërkombëtare, filmi fitues “Zima” paraqet të rinjtë që kërkojnë lirinë ndërsa përjetojnë një konflikt pritshmërie nga gjeneratat e vjetra.
“Duke përdorur kafshët si metafora për mbajtjen e traditave mizore, ata gjithashtu dëshirojnë një jetë ndryshe”, shkruhet në arsyetim.
Te Gara Studentore me Mirënjohje Speciale është shpërblyer filmi “Adios”, që sipas jurisë paraqet një ndryshim të papritur në marrëdhëniet mes babait dhe djalit me saktësi të përqendruar. “Ndërsa distanca mes tyre është rritur ndër vite, tani i riu më në fund largohet nga vendi ku u rrit. Gjuetia e tyre e lamtumirës nuk shkon sipas planit. Historia paraqet një përshkrim të butë të ndryshimit të lidhjes dhe burrërisë”, shkruhet në arsyetim.
Te Gara e Studentëve ka triumfuar filmi “BunnyHood” nën regji të Mansi Maheshwari. Filmi britanik sipas jurisë vjen me montazh, dizajn të zërit dhe estetikë vizuale të krijuar në një mënyrë freskuese punk.
“Perceptimi i personazhit kryesor për rrethinat e saj ndihet si një ëndërr e ethshme e pafund. Ajo jo vetëm që po humb kontrollin mbi trupin e saj, por Bobby po humb edhe besimin te nëna e saj”, shkruhet në arsyetimin që ka bërë juria në përbërje të Sander Joon nga Estonia, Otto Alder nga Zvicra dhe Luca Toth nga Hungaria.
Juria e Garës Ndërkombëtare ka vlerësuar edhe filmat e Ballkanit në garën e dominuar nga kroatët.
“The Family Portrait” me autore Lea Vidakoviq është shpallur filmi fitues i kësaj kategorie.
“Një portret i një shoqërie në rënie, rënia e një perandorie të errët, zbrazëtia e klasës së lartë, mungesa e dashurisë, një familje e thyer, ndarje dhe mjerim, vendime që çojnë në katastrofa sociale vetëm për pushtet dhe para”, shkruhet në arsyetimin e jurisë. Ky film është një rrëfim nostalgjik për vitet '80 në Split të Kroacisë dhe rikthen vëmendjen te përkujdesja që kanë gjyshëri për nipat. Aty vjen edhe periudha e luftërave në ish-Jugosllavi, kur banorët e Splitit futen bodrumeve.
Në Garën e Filmave për të drejtat e njeriut, e njëjta juri ka vlerësuar edhe video-animacionet muzikore ku me Mirënjohje Speciale është nderuar ekipi i filmit "Stop the Music" i Weronika Anna Mariannas. Është vlerësuar për kreativitet unik vizual, “që na lidhte rrahjet e zemrës me muzikën dhe na la me një shije të ëmbël kur muzika ndaloi”. Në këtë kategori fitues është filmi "Illusion" i Jin Woo, i vlerësuar si videoklip muzikor që prezanton kompozimin e tij magjepsës audiovizual si një tërësi. “Në një univers të rrjedhshëm, asgjë nuk është e sigurt, gjithçka mund të jetë e vërtetë, por mund të jetë edhe një iluzion”, shkruhet në arsyetim.
Te Gara për të Drejtat e Njerut, “Kissing Day” me autore Ligebita Libera ka marrë Mirënjohje Speciale
“Si të shprehësh dashurinë? Një prekje? Një puthje? Por çfarë nëse do të rrezikoje jetën kur puthesh? Një ekip guximtar ka krijuar një histori shqetësuese dhe informuese për aktivizmin LGBTQI+ në Rusi, që na la pa qetësi”, ka arsyetuar juria për prodhimin turk. Filmi vjen me vrazhdësinë e autoriteteve ruse në raport me këtë komunitet. Bazohet në rrëfime personale e këshilla të një nëne për të bijën që të ikë nga vendlindja pasi mund të pësojë. Në këtë kategori filmat janë vlerësuar nga juria në përbërje të Waltraud Grausguber nga Austria, Jalal Maghout nga Siria i vendosur në Gjermani dhe Lucija Mrzljak nga Kroacia. E kjo përbërje, si filmin më të mirë të kësaj gare e ka vlerësuar “Chicken” të Anna Benner.
"Një film që jo vetëm e shkatërron patriarkatin, por gjithashtu thërret për ta djegur atë. Nga katharsisi i zjarrit del një tregim i jashtëzakonshëm. Për qasjen unike vizuale që arrin të përshkruajë dhunën në një mënyrë delikate", shkruhet në arsyetimin e jurisë.
Në këtë edicion Çmimi i Audiencës ka shkuar për "Our Uniform" të Yegane Moghaddam, kurse ai për të rinjtë te “Aeaker” i punuar nga Filip Diviak”. Në këtë garë "The Sprayer" është shpallur më i miri.
Çmimet pa dyshim janë me rëndësi, por në “Anibar” paraqitja e filmave është më shumë mision. Është mision për të ngjallur këtë art në republikën më të re të Evropës, pastaj për të ndikuar në mendësinë nëpërmjet temave që shtjellohen në animacion“.
“Shembe patriarkatin!” sivjet qe jo veç temë, por edhe thirrje me zë të lartë. Nganjëherë ka edhe kontradikta. Ta zëmë gjatë ditës në program e panele jepen arsye përse duhet shembur patriarkati e në mbrëmje interpretojnë brenda organizimit reperë që përmendin organe gjenitale, u drejtohen vajzave me shprehje si “prostituta” e me tekstet e tyre bëjnë thirrje për dhunë gjinore.
Por në krejt pikturën e vet “Anibari” është përmbajtjesor në qëllimet e veta me krejt çalimet. Festivali është frymë mentaliteti për qytetin dhe krejt temat që i merr përsipër i kuron me kujdes. Është festival që bën bashkë një pjesë të qytetarëve që për shtatë ditë shohin alamet prodhimesh, dëgjojnë panele e flasim me aktivistë e artistë të ndryshëm. Është festival që nuk ndalet së luftuari për të drejtat e njeriut, edhe me patriarkatin.