Salla e djegur e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve është rikthyer në gjendjen që ka qenë para Festivalit të Këngës në RTK, me gjithë faktin se ka pasur zotime që skena me pajisjet përcjellëse, që kanë kushtuar mbi 150 mijë euro, të mbetet aty dhe të shfrytëzohet për ngjarje të tjera. Ka qenë kryetari i Prishtinës ai që e deklaroi këtë. Tri javë më pas, nuk ka më skenë
Prej kryefjalëve të edicionit të parë të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës, ka qenë transformimi i sallës së djegur në skenë madhështore. Fill pas Festivalit, të shpejta kishin qenë zotimet se do të mbetet me po atë shkëlqim, e aty do të vazhdojnë të organizohen koncerte, festivale e shfaqje të ndryshme. Se do të shndërrohet në ikonë.
Jo më shumë se tri javë kanë zgjatur premtimet e tilla. Kanë rënë në ujë me përfundimin e kontratës për pajisjet e marra në shfrytëzim dhe materialet me të cilat është maskuar salla. Të premten skena është zhbërë në tërësi. Salla e djegur në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, e transformuar për tri netët e Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës, është rikthyer në gjendjen e mëparshme. Krejt elementet që i jepnin pamjet e sallës madhështore janë hequr.
Muret ishin mbuluar krejtësisht me material me ngjyrë të zezë, sikurse ishin shtruar edhe tepihët në pjesën e tribunave të sallës. Në pjesën pranë skenës, publiku qe akomoduar në karrige, të cilat ishin vendosur shkallë-shkallë. Aty ishte mbuluar krejtësisht edhe dyshemeja. Ishin mbuluar shenjat e hapësirës krejtësisht të djegur pas lufte dhe që prej asaj kohe ishte kthyer në një lloj magazine a deponie mbeturinash. Jo veç se ishte mbuluar ajo që nuk duhej të shihej, por përgatitje kishte edhe për pjesën e dekorit. Shkallë me dysheme në formë të valëzuar dhe të dekoruara me drita, bashkë me shenjën gjigante të Festivalit e hijeshonin skenën. Rrjedhjet e ujit në sallë, kaplimi nga zjarri, mundi për të hequr blozën dhe imazhi përplot mbeturina kanë qenë prej atyre që janë përmendur në tri netët e Festivalit.
Tash, skeleti i skenës është krejt çfarë ka mbetur prej imazhit që ishte krijuar për edicionin e parë të Festivalit, ndonëse kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, publikisht kishte bërë të ditur se aty do të vazhdonin të mbaheshin ngjarje kulturore.
“Koncerte, festivale, shfaqje të ndryshme, të gjitha këto do të realizohen tash e tutje në skenën e re të krijuar në ish-sallën e djegur të Pallati të Rinisë. Ky institucion u përket qytetarëve, artistëve, sportdashësve e të gjithëve që duan të shprehin talentin e tyre në këtë skenë. Me këtë u pajtuan drejtori i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, bashkë me ekipin fantastik të skenografëve, gjatë vizitës që ua bëmë hapësirave të Pallatit”, kishte shkruar kryetari Rama në rrjetin “Facebook”, më 2 nëntor. Në natën finale të Festivalit kishte thënë se po planifikohet rivitalizimi i gjithë Pallatit të Rinisë.
“Ne jemi duke bërë fizibilitetin e gjithë hapësirës, i kemi bërë analizat me arkitektin e qytetit dhe e kemi tash një program të ri, me partneritet publiko-privat që ta rivitalizojmë gjithë Pallatin e Rinisë. Kjo tregon se nëse ne duam të bëjmë punë, mund ta bëjmë. Nuk ka kurrfarë arsye të mos i rivitalizojmë të gjitha këto ikona, sidomos ikonat e kryeqytetit. Duke filluar me Pallatin e mrekullueshëm të Rinisë”, kishte thënë kryetari Rama. Një ditë pas përfundimit të Festivalit të Këngës, vetë Rama e kishte publikuar versionin “para-pas” të sallës. Sot pamja e sallës është po e njëjta që kishte qenë.
Të premten skenës i kanë mbetur pak shenja prej Festivalit. Aty është veç një perde e zezë pa u hequr që ka mbuluar një sipërfaqe të vogël të murit të shkatërruar. Ka mbetur edhe skeleti gjigant i skenës, për të cilin RTK-ja ka paguar 90 mijë euro. Për pjesë të tjera ishte angazhuar një kompani private me kontratë prej 68 mijë eurosh. Kontrata ka skaduar të mërkurën më 22 nëntor. Të enjten kompania ka tërhequr pjesët e veta. Salla është shndërruar sërish në parking.
Drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, ka thënë se menjëherë pas Festivalit kishin kërkuar që skena të mos largohej.
“Kur përfundoi Festivali ishte kërkesë e jona që mundësisht bazat e asaj skene të madhe të mbesin aty, pasi që tash Festivali do të jetë i përvitshëm dhe RTK synon që të ketë edhe koncerte të tjera, për Ditën e Pavarësisë, Festën e Flamurit e të tjera. Kishim një takim më kryetarin e Komunës për të sqaruar se a do të mund ta shfrytëzonim hapësirën edhe në të ardhmen. Ishte një dakordancë që mund të bëhet një gjë e tillë dhe në ditën kur ne e vizituam sallën, aty ishin të gjitha mjetet përcjellëse, ato që e mbajnë sallën dhe skenografinë”, ka thënë Ahmetxhekaj derisa e ka vlerësuar sallën e djegur si vendin më të përshtatshëm në Prishtinë për ta organizuar Festivalin e Këngës.
Kontrata midis “AMC” dhe Ndërmarrjes Publike Banesore e përcaktonte edhe kohëzgjatjen e dhënies në shfrytëzim të pjesëve të skenës.
Drejtori Ahmetxhekaj ka thënë se si duket Komuna dhe kompania nuk janë dakorduar që elementet e skenës të lihen aty për shkak të shumës së mjeteve që janë kërkuar.
“E kemi pasur një takim të përbashkët me kryetarin e Komunës së Prishtinës dhe ka qenë vullnet nga ana e tyre që të mbahet skena aty që RTK të vazhdojë të mbajë Festivalin e ardhshëm. Në të njëjtën kohë që Komuna të mund ta përdorë për aktivitete të tjera. Në ndërkohë kompania e kontraktuar të japë me qira pajisjet në skenë, gjithashtu perdet dhe shkallët, sipas zyrtarëve të Komunës ka kërkuar shumë të lartë për t’i mbajtur pajisjet aty. Kjo shumë për Komunën ka qenë e papërballueshme”, ka thënë Ahmetxhekaj.
Besfort Berisha, drejtor i “AMC”-së e ka mohuar këtë. Ka thënë se gjësendet i kanë tërhequr sipas kontratës dhe se nuk u është kërkuar ta vazhdonin kohëzgjatjen e saj.
“Nuk kemi mundur të kërkojmë më shumë mjete pasi kushtet e kontratës kanë qenë 30 ditë të mbahen pajisjet, për nevojat e Festivalit. Nuk ka pasur as bazë ligjore të kërkohet më shumë, sepse nuk kanë pasur as si t’i paguajnë. Pajisjet janë dhënë vetëm për nevoja të Festivalit, 30 ditë, domethënë nga momenti i përfundimit të Festivalit, ato janë kthyer prapa. NPB-ja e ka shpallur kontratën publike, ne kemi aplikuar, e kemi marrë kontratën, e kemi realizuar punën, është kryer Festivali dhe i kemi çmontuar gjësendet”, ka thënë Berisha.
Sipas tij, nuk mund të përdoren për një tjetër organizim pajisjet që kanë qenë të destinuara veç për Festivalin e Këngës.
“Pajisjet nuk janë të favorshme për të qëndruar aty për çdo lloj organizimi, sepse janë të dedikuara për një festival. Nuk janë pajisje të cilat mund të përdoren për një festival rocku apo diçka tjetër, sepse me kontratë janë dhënë për Festival të Këngës”, ka thënë Berisha. Sipas tij, pajisjet me të cilat është furnizuar Festivali i Këngës kapin vlerën 600 mijë euro.
Radiotelevizioni i Kosovës dhe ai Shqiptar kishin plane që aty të organizonin një koncert të përbashkët për nder të 28 Nëntorit. Do të luanin orkestrat e dy televizioneve. Sipas Ahmetxhekajt, koncerti u anulua për shkak se kërkohej kostoja prej 80 mijë eurosh, buxhet që, sipas tij, RTK-ja nuk e ka në dispozicion momentalisht.
Për skeletin që është pronë e RTK-së, drejtori i përgjithshëm i transmetuesit publik ka thënë se kanë marrë masat ta ruajnë pjesën e tyre të skenografisë dhe se u është premtuar nga Komuna se sallën do ta “funksionalizojnë sa më shpejt për koncertin e radhës që pritet të mbahet në fillim të vitit të ardhshëm”.
“Kemi marrë vesh që nuk është arritur marrëveshje dhe kemi parë që kompania ka nisur të heqë pajisjet, kemi kontaktuar me Komunën të cilët na kanë konfirmuar që shumë shpejt do të ndërmarrin hapa që të mbetet salla ashtu siç ka qenë. Është edhe interes i RTK-së që ajo hapësirë të vazhdojë të shfrytëzohet për koncerte, sepse ne synojmë të kemi edhe koncerte të tjera”, ka thënë Ahmetxhekaj derisa është shprehur se presin standard të njëjtë në edicionet e ardhshme me të parin.
Sfida e RTK-së tashmë është hapësira për ta ruajtur skeletin e skenës.
“Konstrukti kryesor do të qëndrojë, sepse ashtu e kemi marrëveshjen, të shikohen mundësitë që të bëhet sërish investim që të shfrytëzohet salla, ndërsa pjesa tjetër, fytyra e të tjerat mbesin pronë e RTK-së, por duhet të kihet parasysh që vetë ruajtja në objektin e RTK-së është komplekse, pasi hapësirat tona janë jashtëzakonisht shumë të limituara”, ka thënë ai.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, dhe kryeshefja e Pallatit të Rinisë, Mrika Gashi, nuk janë përgjigjur për këtë temë.
Në shkurt të këtij viti nëpërmjet një memorandumi të bashkëpunimit Ministria e Kulturës kishte zotuar për RTK-në 750 mijë euro për tre vjet. Sivjet janë dhënë 300 mijë euro që kanë shkuar për Festivalin, ani pse në memorandum përmendet edhe themelimi i një kanali televiziv për art dhe kulturë.
Drejtori i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, ka thënë se për edicionin e ardhshëm parashihen 250 mijë euro dhe për të tretin 200 mijë euro.
Pak ditë para edicionit të parë të Festivalit, që u mbajt më 26, 27 dhe 28 tetor, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kishte thënë se si kryeqytet bashkë me Pallatin e Rinisë dhe Ndërmarrjen Publike Banesore kanë ndarë 350 mijë euro investim “për ta jetësuar këtë projekt të ringjalljes së ikonës së kryeqytetit”.
Për hapësirën e rivitalizuar dhe të transformuar të sallës së sporteve në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në shfrytëzim të Festivalit të Këngës në RTK, drejtori i ngjarjes, Adi Krasta, në natën finale ka thënë se ajo duhet t’u shërbejë artit e kulturës. Kishte kërkuar të mos rikthehet destinimi i dikurshëm i saj dhe se kërkesën e tij e kishte adresuar në Ministrinë e Kulturës e Komunën e Prishtinës.
“Do të isha lutur që tre vjetët e parë Festivali të bëhet në të njëjtën skenë, pasi ky është një investim i madh, shumë i shtrenjtë. Shpresoj që kjo sallë të mos përdoret më për parking, mjaft më, veturat të kenë vend diku tjetër. Në këtë vend duhet të bëhet art, kulturë, dhe ky ambient duhet të përdoret në interes të publikut“, kishte thënë Krasta.
Ngjarja historike nga organizatorët e artdashësit ishte vlerësuar festë për këngën e mirëfilltë shqipe. Tentativë për të nisur një kapitull të ri dhe së paku për tri net imazhi kishte qenë shkëlqyes, ani pse “fshihte” realitetin e zymtë, nisur prej sallës ku është mbajtur.
Salla e adaptuar për Festival kishte kapacitet për më shumë se 1.600 persona. Shenjat e shkatërrimit ishin arnuar. Besohej se me përfundimin e ngjarjes shënohej edhe rikthimi i një pjese në gjendjen e mëparshme.
Tash në dysheme janë edhe mbetjet me të cilat ishte festuar fitorja, si letrat shpërthyese me ngjyra. Shkëlqimi i tyre është e vetmja shenjë që e thyejnë zymtësinë e sallës.