Prej fillimit të këtij viti – por edhe gjatë vitit të kaluar – “Zgjoi” i Kosovës s’ka ditë që s’bëhet lajm vendor e ndërkombëtar. Të enjten, “Rotten Tomatoes” ka publikuar një listë prej 235 filmash duke radhitur më të mirët e vitit 2021. Mes tyre janë filmat, si “Shang-Chi and the Legend of the Ten Rings”, dokumentari “Lily Topples the World”, fituesi i disa çmimeve, si “The Green Knight” dhe horrori “The Night House”. Nuk mungon as kandidati i Kosovës për “Oscar”. Filmi nën regji të Blerta Bashollit është renditur në vendin e 11-të dhe të gjitha vlerësimet që ka marrë kanë qenë pozitive duke i dhuruar kështu filmit domate të freskëta dhe jo duke e gjuajtur me to, pasi që vetë emri i faqes lidhet me praktikën e audiencës për të goditur me domate si shenjë e një performance të dobët, ani pse në fillet e idesë së krijimit të kësaj ueb-faqeje ajo ishte e lidhur edhe me një skenë me domate në filmin kanadez “Leolo” (1992). Kompania u themelua në gusht të vitit 1998.
“Pas vitit 2020 që ndryshoi botën, kritikët dhe audienca dhe drejtuesit e studiove patën mundësinë që të nisnin punën në vitin 2021 me modelet e distribuimit dhe standardet e industrisë që kanë ndryshuar. Deri më tani, ‘streaming’ vazhdon të sjellë filmat direktë tek audienca dhe kinematë janë rihapur për të sjellë po ashtu disa hite të tjera”, ka shkruar “Rotten Tomatoes”. Vlerësimi i filmave bëhet në bazë të kritikave të bëra. Numri i kritikave varet nga mënyra sesi është lansuar filmi. Për filma që kanë pasur një lansim të gjerë nevojiten së paku 80 kritika. Për filma të lansuar online ose me një numër të limituar shfaqjesh nevojiten se paku 40 kritika. Dhe së paku 20 kritika për filma që kanë dhënë premierën në televizione të ndryshme. Mirëpo, pavarësisht mënyrës së lansimit, secili film duhet të ketë së paku pesë kritika nga anëtarët që janë pjesë e kritikëve më të dalluar të këtij komuniteti apo siç njihen ndryshe “Top Critics”.
“Zgjoi”, “Parallel Mothers”, “The Tragedy of Macbeth”, “Memoria”, “The Novice”, “Spider-Man: No Way Home”, “The Lost Daughter” dhe “Boiling Point” janë titujt më të rinj që i janë shtuar listës së publikuar.
Në listën e publikuar vendin e parë e zë filmi “76 Days” nën regji të Hao Wu dhe Weixi Chen. Vendi i dytë i takon “Drive my car” nën regji të Ryûsuke Hamaguchi. Të tretin e zë drama nga Bosnja, “Quo vadis, Aida? nën regji të Jasmila Zhbaniq për të kaluar te vendi i katërt, që e zë filmi “Slalom” nën regji të Charlène Favier dhe te vendi i pestë që i takon “The worst person in the world” nën regji të Joachim Trier.
Robert Abele, një nga top-kritikët, ka shkruar se filmi është një rrëfim i vërtetë feminist dhe shërues që ngërthen në vete një nga historitë me prekëse të rishërimit pas një konflikti.
E sipas Anthony Lane, “diku prapa ‘Zgjoit’ mund të dëgjohet rënkimi i largët i Euripidit te ‘Gratë e Trojës’”.
“Si një deklaratë – një deklaratë universale – për mënyrën sesi gratë trajtohen shpesh keq, si pronë ose edhe më keq, Basholli ka ndërtuar diçka sa frymëzuese aq edhe të fuqishme”, është një tjetër koment që vjen nga Dan Webster. E për Cate Marquis, filmi u ka dhënë shikuesve një dramë inspiruese me një lojë për t’u admiruar që ka bërë Yllka Gashi, por gjithashtu edhe një vrojtim brenda një kulture tjetër.
“Zgjoit” deri tani është duke i ecur mjaft mirë. Është pjesë e listës së ngushtë për “Oscar” për filmin më të mirë ndërkombëtar. E sipas parashikimeve të para nga mediumi i njohur amerikan “Variety”, “Zgjoi” po ashtu ka gjasa të jetë në pesëshen e të nominuarve. Po ashtu “Variety” është ndër të parët që ka bërë të ditur parashikimet për çmimet e sivjetme “BAFTA”. Në listë të ngushtë për çmimin si aktorja më e mirë ka vendosur edhe aktoren Yllka Gashi. Aty janë edhe: Nicole Kidman, Niamh Algar, Emilia Jones, Jessica Chastain, Lady Gaga, Jodie Comer, Alana Haim, Olivia Colman, Penelope Cruz, Tessa Thompson, Kristen Stewart, Jasmine Batchelor, Frances McDormand dhe Rachel Zegler. Gashi ka thënë se ky është “nder shumë i veçantë edhe nëse mbetet vetëm parashikim medial”.
{gallery}