Ekipi i filmit “Zgjoi”, nën regji të Blerta Bashollit, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë ata që dëshirojnë ta shohin filmin nga rehatia e shtëpisë. Filmi tani mund të blihet ose të merret me qira në platformat e njohura online si “Vudu”, “Amazon Video”, “Kino Now”, “iTunes”, por fillimisht vetëm në territorin e SHBA-së. “Do të punojmë që ta bëjmë atë të hapur edhe për vende të tjera”, ka thënë producenti i filmit, Yll Uka
Interesimi për të parë filmin “Zgjoi”, nën regji të Blerta Bashollit, vazhdon të jetë i lartë. Më pak se një javë ka mbetur deri te publikimi i pesëshes së nominuar nga “Academy Awards” për filmin më të mirë ndërkombëtar. Kandidati i Kosovës ka mundësi të jetë në mesin e tyre. Kritikat pozitive për filmin theksojnë se filmi i Bashollit do të jetë në mesin e të nominuarve veçse po ndez një valë të re të interesimit për filmin. Si kundërpërgjigje nga ekipi ka ardhur lajmi se “Zgjoi” tani është i qasshëm në platformat online. Producenti Yll Uka ka thënë se ai mund të blihet ose të merret me qira në platformat e njohura online si: “Vudu”, “Amazon Video”, “Kino Now”, “iTunes”.
Filmi debutues i regjisores Basholli është i bazuar në rrëfimin e vërtetë të Fahrije Hotit. “Zgjoi” bëri histori në kinematografi kur në më të madhen ngjarje amerikane të llojit të vet, “Sundance Film Festival”, në orët e hershme të 3 shkurtit mori një trofe të trefishtë çmimesh: Çmimin e jurisë, Çmimin e publikut dhe Çmimin për regji në kategorinë “World Cinema Dramatic”. Që nga ajo kohë aty ku nuk u shpërblye mori kritika pozitive. U bë i pari film plotësisht në vend që u përfshi në listë të ngushtë e që ka shansin të bëhet kandidati i parë i Kosovës në “Oscar” i nominuar në kategorinë për filmin më të mirë ndërkombëtar.
Producenti Yll Uka ka thënë se ky është hapi i radhës për të qëndruar sa më afër publikut gjersa ka falënderuar të gjithë ata që i kanë përkrahur në udhëtimin e deritanishëm.
“Të shumta kanë qenë komentet që ka marrë ‘Zgjoi’ gjatë gjithë vitit, që nga premiera në shkurt të vitit të kaluar në ‘Sundance Film Festival’. Mes urimeve e dëshirave për sa më shumë suksese kanë mbizotëruar edhe pyetjet në lidhje me shfaqjen e filmit. Ekipi i filmit, i cili është munduar që t’i qëndrojë çdoherë afër publikut dhe ky është hapi i radhës”, ka thënë Uka.
Në filmin 1 orë e 24 minuta aktorja Yllka Gashi sublimon 22 vjet të personazhes së vërtetë, Fahrije Hoti, që është e kryqëzuar mes dhembjes për burrin e zhdukur, skamjes në shtëpi dhe një rrethi shoqëror që nuk arrin ta ndihmojë, përveçse ia shton dhembjen me fshikullime paragjykimesh. Por aty ku duket gjithçka e mbaruar prej fatalizmit vetëtin shpresa. Është pikërisht shpirti ndërmarrës i Fahrijes që kthehet si fanar për dhjetëra gra që kanë mbetur pa burra në fshatin rahovecian, ku forcat serbe vranë 240 njerëz.
Drama e jashtëzakonshme e bazuar në ngjarje të vërteta të grave që kanë mbetur të veja për shkak të luftës e të cilat luftojnë kundër patriarkatit deri tani është duke u shfaqur në kinematë e gati çdo kontinenti. Përveç Gashit në të luajnë edhe aktorët: Çun Lajçi, Aurita Agushi, Kumrije Hoxha, Adriana Matoshi, Kaona Sylejmani, Ilir Prapashtica, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Xhejlane Terbunja, Shkëlqim Islami dhe Astrit Kabashi.
Poducenti Yll Uka ka bërë të ditur se filmi do të jetë fillimisht i qasshëm vetëm për territorin amerikan, mirëpo ka shtuar se do të punojnë që ta bëjnë atë të hapur edhe për vende të tjera.
“Zgjoi” ishte filmi më i shikuar gjatë 2021-shit në vend. Vendosi rekord sa u përket shitjeve të biletave. Rreth 35 mijë bileta janë shitur qëkur nisi shfaqja e filmit në kinema, më 22 tetor të 2021-tës.
Agjenti i saj ndërkombëtar i shitjeve, “LevelK”, e ka shitur atë pothuajse kudo në botë: nga Australia dhe Zelanda e Re deri në Kinë, Amerikë Latine dhe Karaibe, si dhe në Kanada dhe ShBA, ku shpërndahet nga “Zeitgeist Films” në bashkëpunim me “Kino Lorber”. Të drejtat janë marrë gjithashtu në shumicën e territoreve evropiane, si në Mbretëri të Bashkuar, Zvicër e Irlandë e po ashtu edhe në Turqi dhe Izrael.
“Kino Lorber”, i themeluar në vitin 1977, sjell te audienca titujt më të mirë në kinematografi, përfshirë edhe hitet e Festivalit të Filmit në Cannes, Festivalit të Filmit në Berlin, Festivalit të Filmit në Sundance dhe Festivalit të Torontos. E “Zeitgeist Films” është një distributor i pavarur amerikan themeluar në vitin 1998 në New York. Filmat që kjo kompani i ka marrë për distribuim janë nominuar për çmime me rëndësi në kinematografi e filmi “Nowhere in Africa” (2001) pati fituar çmimin “Oscar” për filmin më të mirë në gjuhë të huaj. “Zgjoi” tani është një titull tjetër i suksesshëm në listën e tyre.