Kulturë

“Zgjoi” pret ndihmën e publikut në fazën e votimit për “Oscar”

Anëtarët e ekipit të filmit kanë nisur që në rrjetet sociale të shpërndajnë materiale të ndryshme për “Zgjoin”. Synojnë që nëpërmjet tyre sa më shumë të figurojë emri i filmit. Kanë kërkuar mbështetje edhe nga publiku. “Bashkë për Kosovën drejt ‘Oscars 2022’”, ka shkruar aktorja Yllka Gashi

Anëtarët e Akademisë Amerikane të Filmit kanë gjashtë ditë për të votuar për filmin më të mirë ndërkombëtar. Votimi nis të enjten dhe përfundon më 1 shkurt. Mundësi për të qenë në mesin e të nominuarve ka edhe “Zgjoi”, kandidati i Kosovës për “Oscar”. Ekipi i filmit, nën regji të Blerta Bashollit, është duke punuar në promovimin e filmit dhe së fundmi mbështetje ka kërkuar edhe nga publiku. I është kërkuar të shpërndajë sa më shumë materiale të ndryshme që kanë të bëjnë me filmin “Zgjoi”, në mënyrë që emri i tij të qarkullojë nëpër rrjetet sociale e që do të mundësonte një vizibiletet më të madh.

Më 21 dhjetor u dha lajmi se “Zgjoi” është në listë të ngushtë për “Oscar”, kurse më 8 shkurt do të bëhen të ditur 5 filmat e nominuar. Më 27 mars pritet të mbahet ceremonia kryesore.

Të nominuarit do të përzgjidhen nga anëtarët e të gjitha degëve të “Academy Awards” (aktorë, regjisorë, producentë, skenaristë dhe teknikë)- të cilët duhet t’i shohin të 15-të filmat që janë në listë të ngushtë për të votuar.

“Zgjoi” është i pari filmi tërësisht produksion vendor që ka arritur të hyjë në listë të ngushtë. Rrugën drejt “Oscarit” më herët e kishte shtruar filmi “Shok”. Regjisori britanik Jamie Donoughue, me filmin me kastë nga Kosova, kishte arritur që të jetë në pesëshen e të nominuarve, në kategorinë e filmave të shkurtër më 2016.

“Zgjoi”, për të cilin Basholli ka shkruar edhe skenarin, ishte një nga 92 filmat në kuadër të garës si filmi më i mirë ndërkombëtar, 15 prej tyre tani kanë shans për nominim.

Mes tyre, fituesi i filmit si më i miri i Evropës “Flee” nga Danimarka, “Great Freedom” nga Austria, “Playground” nga Belgjika, “Lunana: A yak in the classroom” nga Butani, “Compartment No.6”, “I’m Your Man” nga Gjermania, “Lamb” nga Islanda, “A hero” nga Irani, “Drive My Car” nga Japonia, “Prayers for the Stolen” nga Meksika, “The Worst Person in the World” nga Norvegjia, “Plaza Catedral” nga Panamaja dhe “The Good Boss” nga Spanja.

Regjisorja Blerta Basholli ka thënë se për momentin janë në fazën e fundit të kampanjës.

“Dhe na duhet vizibilitet, andaj përkrahja e secilit është shumë me rëndësi dhe ju falënderoj shumë”, ka thënë ajo në postimin e saj, në të cilin ka kërkuar edhe mbështetje.

E aktorja Yllka Gashi ka thënë se Kosova për herë parë është në listën e ngushtë me gjasa reale për të siguruar një nominim.

“Duke ju falënderuar për përkrahjen e jashtëzakonshme që na e keni bërë gjatë krejt kësaj kohe, ju lus që ta shpërndani sa më shumë fotografinë e filmit tonë në rrjete sociale. Bashkë për Kosovën drejt ‘Oscars’ 2022!!!”, ka shkruar ajo.

Në rrjetet sociale para pak orësh veç ka nisur shpërndarja e postimeve të ndryshme që lidhen me filmin. Mes përkrahësve ka kineastë të ndryshëm e në përkrahje ka dalë edhe Ministria e Kulturës.

“Të promovojmë sa më shumë filmin tonë duke shpërndarë sa më shumë fotografinë në rrjete sociale”, ka shkruar Ministria në postimin e tyre.

Para pesë ditësh Qeveria kishte miratuar kërkesën e Ministrisë së Kulturës që filmit t’i ndahen 95 mijë e 725 euro, të cilat do të përdoren për “mbështetje të pjesës së dytë të kampanjës së filmit ‘Zgjoi’, i nominuar nga Republika e Kosovës, përkatësisht Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Qendra Kinematografike e Kosovës, për të garuar në kuadër të Akademisë së ‘Oscars’”.

Një dekadë më parë regjisorja dhe skenariste Blerta Basholli do t’i rrekej punës që me historinë e Fahrije Hotit të endte fijet e projektit për një film. Mes vështirësive jo të pakta gjatë realizimit gjëllinte shpresa që të paktën filmi të kishte premierën në “Sundance Film Festival”. Guximi për të ëndërruar u shpërblye me të madhin festival amerikan të filmit që mbahet në Utah. Nga aty “Zgjoi” doli i stolisur me tre trofe: Çmimin e Madh të Jurisë, atë të Audiencës dhe Çmimin për Regjinë. E ky ishte veç fillimi i hapërimit.

Deri më tani “Zgjoi” është shfaqur në disa vende të Evropës (Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Zvicër), si dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Australi dhe në Zelandë të Re.

Vitin e kaluar ceremonia për çmimet “Oscar” ishte mbajtur në “Union Station” në Los Angeles, por këtë vit do të rikthehet në shtëpinë që pati që nga vitit 2002, në “Dolby Theatre”. Formati në të cilin do të mbahet ceremonia akoma nuk dihet, mirëpo “Academy Awards” ka bërë të ditur se Glenn Weiss do të realizojë regjinë e spektaklit, përderisa Will Packer do të jetë producent i kësaj ngjarjeje. Pas tre vjetësh pa ndonjë moderator, “ABC” ka konfirmuar se ceremonia e sivjetme do të ketë një nikoqir.