Kulturë

“Zgjoi” në listën e “Oscarit” rivendos Kosovën në elitën e filmit

Kur në fillim të këtij viti u bë fituesi i trefishtë në “Sundance Film Festival”, filmi “Zgjoi” ktheu sytë e botës nga Kosova dhe kinematografia e saj. E mbajti vëmendjen gjatë gjithë vitit, por tash kur është futur në listën e ngushtë për “Oscar”, e rivendos vendin në mesin e elitës të filmit botëror. Theksohet se suksesi i fundit nuk është befasues

Fill pasi “Zgjoi” shënoi suksesin e radhës, duke hapur edhe një derë drejt “Oscarit”, të martën mbrëma, ka pushtuar si lajm mediat botërore dhe makinat e kërkimit duke e rivendosur Kosovën në botën elitare të kinematografisë. Filmi i metrazhit të gjatë – që në “Sundance Film Festival” u shpall fitues i trefishtë – Çmimin e jurisë, atë për regji dhe çmimin e publikut – edhe tash rikthehet në vëmendje si i pari film i gjatë nga Kosova që ka hyrë në listë të shkurtër për çmimin “Oscar”. Në shkrimet e publikuara të mërkurën përzgjedhja e “Zgjoit” nuk është diçka befasuese. Ka ditë që në parashikimet e mediumeve të ndryshme ishte thënë se filmi nën regji të Blerta Bashollit do të jetë pjesë e 15-shes që e vazhdojnë garën për “Oscar” në kategorinë ndërkombëtare.

“Variety”, që ishte në mesin e tyre, befasuese e ka konsideruar mospërfshirjen e filmit “Titane” nga Julia Ducournau, e cila u bë gruaja e dytë që fitoi “Palmën e Artë” në Festivalin e Filmit në Cannes, në fillim të këtij viti.

“Kishte shumë ndarje sa i përket këtij filmi, dhe ishte pak e ditur se do të jetë e vështirë për ta shitur këtë film tek anëtarët e Akademisë, mirëpo ishte pritur se do të përfshihej në listën e ngushtë. Katër nga filmat janë nën regji të grave. Janë tri shtete që hyjnë në këtë listë për herë të parë – Butani, Kosova dhe Panamaja. Kjo e fundit ishte një befasi e madhe me ‘Plaza Catedral’”, ka shkruar mediumi i njohur amerikan, “Variety”.

Përveç Bashollit, pjesë e listës së ngushtë janë edhe regjisoret: Tatiana Huezo me “Prayers for the Stolen,” Maria Schrader me “I’m Your Man” dhe Laura Wandel me “Playground”.

“The Wrap” ka vënë në pah se lista e shkurtër është shumë evropiane me 10 nga 15 filmat që vijnë nga ky kontinent.

“Katër nga filmat evropianë janë nga Skandinavia, me Danimarkën, Norvegjinë, Irlandën dhe Finlandën në listë (nga pesë vende nordike që dërguan filmat e tyre kandidatë, vetëm Suedia ka dështuar që të shkojë përpara)”, ka shkruar ky medium amerikan po ashtu prestigjioz.

Akademia amerikane ka bërë të ditur listën e ngushtë në 10 kategori të edicionit të 94-të. Të gjithë filmat do të vazhdojnë tutje në fazat e tjera të votimit. Ai i nominimeve nis më 27 janar dhe përfundon më 1 shkurt. Lista me të nominuar do të bëhet e ditur të enjten e 8 shkurtit. Për të gjithë ata që do të shkojnë deri në fund, ceremonia pritet që të organizohet më 27 mars.

“Zgjoi”, për të cilin Basholli ka shkruar edhe skenarin, ishte një nga 92 filmat në kuadër të garës si filmi më i mirë ndërkombëtar dhe të 15 prej tyre kanë shans për nominim.

Mes tyre, fituesi i filmit si më i miri i Evropës “Flee” nga Danimarka, “Great Freedom” nga Austria, “Playground” nga Belgjika, “Lunana: A yak in the classroom” nga Butani, “Compartment No.6”, “I’m Your Man” nga Gjermania, “Lamb” nga Islanda, “A hero” nga Irani, “Drive My Car” nga Japonia, “Prayers for the Stolen” nga Meksika, “The Worst Person in the World” nga Norvegjia, “Plaza Catedral” nga Panamaja dhe “The Good Boss” nga Spanja.

Mbetjen e filmit “Titane” prapa e ka komentuar edhe “Vulture”.

“Edhe pa shkuar te nominimet finale, ka disa dredhi në mesin e këtyre kategorive. Filmi ‘Titane’ i Julia Ducournau, kandidati i Francës që fitoi ‘Palmën e Artë’, nuk ka hyrë në listë të ngushtë. Ekipi i grimit të ‘The Green Knight’ nuk u nominua për transformimin që i bënë Ralph Inesonit, apo së paku ‘The Eyes of Tammy Faye’ ia doli”, ka shkruar ky medium, duke shtuar se më e keqja është se në kategorinë për këngën origjinale nuk ka kaluar as “Edgar’s Prayer” nga “Barb & Star Go to Vista Del Mar’”, kanë shkruar ata.

“Zgjoi” me kohëzgjatje prej 1 orë e 24 minutash thekson origjinalitetin kinematografik të regjisores Blerta Basholli. Nëpërmjet lojës së natyrshme të Yllka Gashit, filmi shfaq sfidat e Fahrije Hotit në përballje me vështirësi të shumëfishta. Atë që e nisën gratë krushjane, bota e filmit e ka vlerësuar si një rrëfim mbresëlënës për vullnetin për të mbijetuar. Shpirti rezistues i Fahrije Hotit është përkthyer si shembull universal për qëndrueshmërinë, transcendencën dhe përpjekjen për liri.

Deri tani kritikë të njohur kanë dhënë vlerësimet e tyre. U konsiderua si njëri prej filmave më të mirë jo vetëm në “Sundance...”. U përshkrua edhe si një rreze shprese që ngrihet nga rrëfimi i një gruaje, që përçon mesazhet e veta universale duke tejkaluar caqet e kinematografisë kosovare. Ky aspekt, krahas lojës së aktores Yllka Gashi, si dhe qasjes origjinale të regjisores Basholli, paralajmëron se për “Zgjoin” mund të vijnë edhe shumë çmime e shpërblime të tjera ndërkombëtare. Se “Zgjoi” veçse ka bërë për vete audiencën amerikane është dëshmuar nga çmimi i audiencës, që mori pikërisht në “Sundance”.

Përveç aktores Gashi, që jeton në Amerikë, kastin e filmit e përbëjnë edhe Çun Lajçi, Aurita Agushi, Kumrije Hoxha, Adriana Matoshi, Kaona Sylejmani, Ilir Prapashtica, Astrit Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Xhejlane Terbunja dhe Shkëlqim Islami. Drejtor i fotografisë është Alexander Bloom, montazhi i filmit është bërë nga Enis Saraçi dhe Félix Sandri.

“Zgjoi“ është bashkëprodhim filmik në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale për Kulturë FOC dhe Cinéforom (Zvicër), Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi (Shqipëri), prodhuar nga “Ikonë Studio” dhe “Industria Film”, me bashkëprodhim nga Alva Film Production, Black Cat Production, AlbaSky, Swiss National TV, ndërsa të drejtat e shitjes globale i ka LevelK.