Të dielën mbrëma, publiku filmdashës në “Sundance Film Festival” u krodh në botën e filmit “Zgjoi” që përshfaq rrëfimin e pazakontë të një gruaje të guximshme krushjane. Sakaq, kritikë amerikanë të filmit e kanë quajtur filmin nën regji të Blerta Bashollit si rrëfim frymëzues për të gjitha gratë në botë. Sipas tyre, performanca e aktores Yllka Gashi, si dhe aftësia e Bashollit si regjisore e skenariste japin në mënyrë sublime rastin e banores së fshatit Krushë e Madhe, Fahrije Hoti, e cila duke sfiduar konvencat shoqërore, merr fatin e saj në dorë dhe bashkë me gra të tjera hapin një biznes
Pak modesti aty-këtu mund të jetë një gjë shumë e mirë, dhe “Zgjoi” të përplaset në fytyrë si diçka frymëzuese e rraskapitëse edhe në këto kohë të vështira.
Pak orë pas premierës botërore të filmit të regjisores Blerta Basholli në edicionin e sivjetmë të “Sundance Film Festival”, kritikë të huaj nuk kanë vonuar të vënë në pah vlerat estetike dhe mesazhet universale të “Zgjoit”.
Ai është vetëm njëri nga më shumë se shtatëdhjetë filma të metrazhit të gjatë që janë duke u shfaqur në format online në festivalin e kategorisë A, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Sundance Film Festival”, i cili nisi në gusht të vitit 1978, këtë vit zgjat vetëm shtatë ditë dhe pjesa më e madhe e publikut do ta përcjellë atë larg nga epiqendra e tij, Park City në Utah. Festivali po mban të hapur vetëm disa kinema për vetura dhe pjesën më të madhe të programit është duke e shfaqur online.
Pasi jep një sinopsis të përmbajtjes së filmit që qendërzohet në rrëfimin e vërtetë të Fahrije Hotit, kritiku amerikan i filmit, Patrick Gibbs, ka vlerësuar se “Zgjoi” është ndërtuar si i ngadaltë, por megjithatë është një film që thyen zemra, por edhe të bën më të fortë. Sipas tij, “Zgjoi” me gjasë është një prej filmave më të mirë jo vetëm në “Sundance”, por edhe më gjerë.
Yllka Gashi, sublime në rol kryesor
“Regjisorja Blerta Basholli i mban gjërat me këmbë në tokë, duke na vënë aty me Fahrijen dhe familjen e saj, sikundër edhe me gra të tjera që i bashkohen asaj në rropatjen e guximshme, gjersa ato bëhen bleta punëtore që e ndihin Mbretëreshën e tyre”, ka shkruar Gibbs në një recension të botuar në “Slug Mag”, e cila është një nga revistat më jetëgjatë në Utah, mu aty ku ndodhet zemra e Festivalit “Sundance”.
Kritiku amerikan ka rezervuar vlerësime të larta edhe për aktoren kryesore, Yllka Gashi, (që në film interpreton Fahrije Hotin), e cila, sipas tij, është sublime në rolin kryesor, “duke dhënë një performancë të qetë dhe realiste që nuk duket sikur një performancë”. “Megjithatë, është puna e një aktoreje e zonja që mishëron një grua që është larg më e fortë sesa çdo veprim i heroinave që shohim në ekran”.
Gibbs ka veçuar edhe Çun Lajçin (që në film interpreton Haxhinë, vjehrrin e Fahrijes) në performancën e tij si një burrë kryeneç dhe konservativ që, edhe pse kundërshton zgjedhjet kundërthënëse të Fahrijes, ngadalë nis të vlerësojë heroizmin e saj për ta mbajtur gjallë e bashkë familjen.
Edhe vija muzikore e bërë nga Julian Painot, sipas kritikut amerikan, është e pikëllimtë, por e bukur, duke u përdorur me karar në momente kyç të filmit gjatë shtjellimit të dhimbjes së rëndë.
“Ka kaq shumë çaste kur ky rrëfim bëhet universal dhe problemet familjare e ngjarjet e jetës janë të lidhura kudo, por pastaj e kuptojmë se ky rrëfim nuk ngjan bash kudo, dhe shumë nga gjërat me të cilat personazhet ballafaqohen çdo ditë janë përtej të kuptuarit tonë”, ka vlerësuar Gibbs. “’Zgjoi’ më ka prekur edhe në një nivel të brendshëm e personal si dikush feminizmi i flaktë, i të cilit filloi për shkak të respektit për nënën time dhe gjërat që i duroi në një shoqëri të mbizotëruar nga meshkujt, dhe kjo ishte këtu në Amerikë, ndryshe nga një vend ku një grua që nget makinën goditet me gur në xham apo edhe fyhet si e përdalë. Por, Fahrija bëhet veç më e vendosur përballë kundërshtimit, dhe ajo renditet në mesin e personazheve më të pëlqyera nga unë të të gjitha kohërave”.
“Rreze shprese që ngrihet nga rrëfimi i një gruaje”
Vlerësime për punën regjisoriale të Bashollit ka dhënë edhe kritikja e filmit, Alessandra Rangel, e cila shkruan se ndonëse storia kryesore është mbi atë se si Fahrija gjen fuqinë për të krijuar vetë diçka të suksesshme, në film përshkruhet edhe shkretimi i Kosovës që vazhdon ende të merret me pasojat e luftës.
“Realiteti është që, në vende si Kosova, luftërat e armatosura ende formësojnë jetën e secilit edhe shumë vite pas luftës”, shkruan Rangel në faqen “insessionfilm” që i dedikohet recensimit të filmave.
Kritikja e filmit ka dhënë vlerësime të larta edhe për aktoren, Yllka Gashi, që “e sjell Fahrijen në jetë në mënyrë mbresëlënëse”.
“Realiteti i jetës së Fahrijes është drobitës – ajo vazhdimisht përballet me ngacmimin e burrave në komunitet – dhe Yllka Gashi është e mahnitshme në të gjitha fazat e personazhes”.
Rangel, po ashtu, thekson se me “Zgjoin” Basholli ofron një portret realist e të ndjeshëm të jetës së grave në një mjedis tradicional dhe mizogjenist.
“Regjisorja-skenariste me sukses përshfaq një ndërthurje fatkeqësish e arritjesh. Nëpërmjet rrëfimit të Fahrijes, Basholli jep rrëfimin e suksesit, një komentar të fortë mbi statusin e grave në shoqëri patriarkale, dhe një reflektim të mahnitshëm të pasojave emocionale dhe ekonomike”.
Kritiku tjetër i filmit, Stephen Saito, ka vlerësuar se “Zgjoi”, në një tragjedi të madhe në Kosovë, është një rreze shprese që ngrihet nga rrëfimi i një gruaje që fillon biznesin e saj përkundër të gjitha vështirësive.
Në një recension të botuar në faqen “moveablefest”, ai ka theksuar se filmi në fjalë është i vogël nga shkalla e tij, por regjisorja Basholli me zotësi vë në dukje frikën që përshkoi rajonin që prej luftës.
“Aty nënkuptohet edhe e panjohura që ka ngelur dhe që e ka rënduar edhe më seksizmin, ku fiksimi pas të kaluarës shihet nga shumica e burrave si fuqi”, ka shkruar Saito.
Sipas këtij kritiku, derisa Fahrija proceson me traumën e saj si një mënyrë për të fuqizuar vendosmërinë e saj, regjisorja Basholli bujarisht i lejon personazhet që ta shprehin atë në mënyra të ndryshme.
“Megjithatë, kur kanë mbetur pak zgjedhje përveçse për të vajtuar, është goxha trimëruese të shohësh Fahrijen tek merr frenat e fatit të saj në ‘Zgjoi’, duke e parë se çfarë suksesi mund të ketë në mbushjen e kavanozave për t’i shitur, por duke pasur shumë më shumë në atë që ajo është në gjendje për të çndryrë gjatë procesit”.
“Dramë e fuqishme që thekson vuajtjen dhe persekutimin”
Një vlerësim zhbirues ka bërë edhe njohësi i filmit, Rob Aldam, i cili ka shkruar se Kosova, si një shtet relativisht i ri, ka pasur jo pak hise në trauma.
Gjatë luftërave në Jugosllavi, shkruan ai, ky vend përjetoi një nga shtypjet më të forta nga autoritetet serbe.
“Shqiptarët e Kosovës ishin viktima të diskriminimit lemeritës, që kulmoi në një numër masakrash. Kjo është prapavija e filmit të ri të Blerta Bashollit”.
Pasi jep një përshkrim të përmbajtjes së filmit, Aldam thotë se kur Fahrija provon të marrë fatin e saj në dorë, përpjekjet e saj ngatërrohen me “vlerat tradicionale patriarkale” të burrave në fshat.
“’Zgjoi’ është një dramë e fuqishme që thekson vuajtjen dhe persekutimin me të cilin ballafaqohen shumë gra në botë përmes rrëfimit të vendosmërisë e qëndrueshmërisë së Fahrijes. Aktorja Gashi është forca shtytëse prapa filmit të Bashollit”, ka shkruar kritiku amerikan në faqen “backseatmafia”, që i dedikohet vlerësimit të filmave.
“Është një performancë mahnitshëm e matur, e cila ngërthen gjithë pikëllimin dhe pezmin me gjendjen, ndërkohë që thekson fuqinë e saj të brendshme. Sikur bletët punëtore, ‘Zgjoi’ është një tregim mbi atë se çfarë mund të arrihet kur njerëzit punojnë së bashku dhe iu jepet një mundësi”.
Ndryshe, filmi me regji dhe skenar të Blerta Bashollit përcjell një kronologji të Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe. Rrëfimin e përshkon kërkimi i pareshtur për të gjetur burrin e saj, Bashkimin, të cilin për të fundit herë e pa në 25 marsin e 1999-s. Përpos ankthit të pritjes për të pagjeturit, që është përditshmëria e banorëve të fshatit plagëshumë, Fahrija bashkë me gra të tjera nismojnë një biznes të vogël. Bashkë me këtë janë edhe pëshpërimat që vijnë nga mendësia parokiale e njerëzve.
Filmi është edhe një testament për atë sesi një grua nuk e ka ndërmend të rrijë duarkryq, dhe me shpirtin e saj ndërmarrës jo vetëm krijon mirëqenie, por edhe pavarësohet duke marrë patentë-shoferin.
Për dallim nga publiku amerikan që pati rastin të shihte filmin në “World Cinema Dramatic Competition” – si kategoria kryesore e garës në edicionin e sivjetmë virtual të “Sundance” – ai në Kosovë ende nuk e ka parë filmin e Bashollit. Të vetmet imazhe të këtij projekti kineast janë nga trileri gati 2-minutësh të afishuara në portalin e njohur “IndieWire”. Duke e vlerësuar filmin si portret feminist, mediumi që merret me kinematografinë ka theksuar se “Zgjoi” është një rrëfim i fuqishëm për gruan që lufton patriarkatin në Kosovë.
Përveç dyshes së njohur të aktorëve kryesorë, Yllka Gashi dhe Çun Lajçi, kastin e filmit e përbëjnë edhe Aurita Agushi, Kumrije Hoxha, Adriana Matoshi, Kaona Sylejmani, Ilir Prapashtica, Astrit Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Xhejlane Terbunja dhe Shkëlqim Islami. Drejtor i fotografisë është Alexander Bloom, montazhi i filmit është bërë nga Enis Saraçi dhe Félix Sandri, ndërsa producentë janë Yll Uka, Agon Uka dhe Valon Bajgora.