Kulturë

“Zgjoi” në etapë historike drejt “Oscarit”

Idealja do të ishte që dy filma nga Kosova të futeshin në listën e ngushtë për “Oscars”, mirëpo gara e fortë e numri i madh i filmave veçanërisht në kategorinë për “Live action short film” ka bërë që “Pa Vend” të mos vazhdojë tutje. Shpresat për nominim në këtë ceremoni prestigjioze mbesin te filmi nën regji të Blerta Bashollit, që është në mesin e 15 filmave në kategorinë për filmin me të mirë ndërkombëtar. Bashkë me ekipin e “Zgjoit” ka festuar edhe ai i “Pa Vend”

Filmi “Zgjoi” nuk ka lënë muaj pa ndonjë lajm të mirë. E nisi me atë për marrjen e tri çmimeve kryesore në festivalin e filmit në “Sundance” – në shkurt, kur edhe dha premierën botërore – e dhjetorin po e përmbyll duke hyrë në listën e shkurtër për “Oscar”.

Kandidati i Kosovës për këtë ngjarje prestigjioze është edhe një hap drejt trofeut me të njohur në botë. Figurës së kalorësit që mban një shpatë në duar e që qëndron në një mbështjellës filmi me pesë spica rrote, që nënkuptojnë pesë degët e Akademisë (aktorë, regjisorë, producentë, teknikë dhe shkrimtarë, i janë rritur shanset për të ardhur edhe në Kosovë.

“Zgjoi” bëhet i pari filmi tërësisht produksion vendor që e arrin këtë. Rrugën drejt “Oscarit” më herët e kishte shtruar filmi “Shok”. Regjisori britanik Jamie Donoughue, me filmin me kastë nga Kosova, kishte arritur që të ishte ne pesëshen e të nominuarve, në kategorinë e filmave të shkurtër më 2016.

Nëse “Zgjoi” do të nominohet, do të kuptohet më 8 shkurt, kurse më 27 mars të 2022-tës do të mbahet ceremonia kryesore. Në anën tjetër, “Pa vend” i Samir Karahodës, që po ashtu kishte gjasa për të vazhduar garën, nuk ka vazhduar tutje. Mirëpo filmin e pret një sfidë tjetër e radhës, ka arritur që të jetë në garë në kuadër të “Sundance Film Festival”. Megjithatë të dy ekipet kanë qenë në ethe të martën mbrëma, në pritje të publikimit të listës. Kanë shkëmbyer edhe mesazhe duke uruar njëri-tjetrin për të triumfuar në këtë fazë.

Kur lista u publikua “Zgjoi” vazhdoi tutje garën në kategorinë për filmin më të mirë ndërkombëtar të huaj me 14 filma të tjerë. Mes tyre fituesi i filmit si më i miri i Evropës “Flee” nga Danimarka, “Great Freedom” nga Austria, “Playground” nga Belgjika, “Lunana: A yak in the classroom” nga Butani, “Compartment No.6”, “I’m Your Man” nga Gjermania, “Lamb” nga Islanda, “A hero” nga Irani, “Drive My Car” nga Japonia, “Prayers for the Stolen” nga Meksika, “The Worst Person in the World” nga Norvegjia, “Plaza Catedral” nga Panamaja dhe “The Good Boss” nga Spanja.

“Zgjoi” shpalos rrëfimin e Fahrije Hotit dhe të grave nga Krusha e Madhe. Tregon rrëfimin e një gruaje që me gjithë pengesat krijon një jetë të re për veten e saj dhe për gratë e tjera. Filmi vazhdon të shfaqet në kinematë e vendit, Shqipërisë, Maqedonisë, Evropës dhe në SHBA.

Image
Yllka Gashi në rolin e Fahrije Hotit, në filmin “Zgjoi”, i cili të martën mbrëma është futur në listën e ngushtë për nominim për “Oscar”

Basholli: “Fahrije Hoti më shtyn dhe më inspiron të punoj tutje”

Për regjisoren Blerta Basholli ky është një moment historik si në karrierën e saj ashtu edhe të kinematografisë së vendit.

“Jam gjithmonë falënderuese që kam mundur të takoja një grua të mrekullueshme si Fahrije Hoti, e cila më inspiron dhe me shtyn të punoj tutje sa herë që e shoh madje edhe sot. I them faleminderit që e ka ndarë rrëfimin tënd me ne dhe botën”, ka thënë ajo, gjersa ka shtuar se është falënderuese edhe ndaj punës që ka bërë i gjithë ekipi i filmit.

Uka: “Të shpresojmë më të mirën për ditët që po vijnë”

E producenti Yll Uka nuk e ka fshehur faktin se gjatë gjithë kohës kanë qenë të stresuar.

“Ishim duke pritur me shumë emocione gjithë atë që po ndodhte dhe me të vërtetë është një konfirmim i mundit të secilit anëtar të ekipit. Akoma kemi rrugë për të bërë, prandaj na duhet ndihma e të gjithëve drejt këtij suksesi”, ka thënë ai. Ka shtuar se do të donin që këtë rrugë të mos e bënin vetëm, por që afër të kishin edhe ekipin e filmit “Pa Vend”.

“Fatkeqësisht jo çdoherë gjërat shkojnë ashtu siç duam ne. Të shpresojmë më të mirën për ditët që po vijnë”, ka thënë ai.

“Zemra do të më dalë nga vendi”, ka shkruar shkurt Yllka Gashi, që portretizon mjeshtërisht Fahrije Hotin, një rol për të cilin është çmuar e shpërblyer ndërkombëtarisht.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se është me ekipin e filmit drejt majave.

“Sukses i jashtëzakonshëm! ‘Zgjoi’, filmi i Blerta Bashollit, që rrëfen historinë e heroinës Fahrije Hoti dhe grave të Krushës nën interpretimin e shkëlqyer të Yllka Gashit dhe kastës fantastike të aktorëve tanë, është zyrtarisht në listën e ngushtë për çmimin më prestigjioz ‘Oscar’ në kategorinë e filmave të huaj. Bravo!”, ka shkruar ajo në rrjetet sociale. Sukses të jashtëzakonshëm e ka cilësuar edhe Ministria e Kulturës duke e konsideruar edhe një moment krenarie.

“’Zgjoi’ me regji nga Blerta Basholli, në listën e ngushtë për çmimin më prestigjioz ‘Oscars’ në kategorinë e filmave të huaj. Një sukses i jashtëzakonshëm për filmin që rrëfen historinë e heroinës Fahrije Hoti dhe grave të Krushës. Krenari! Shume urime!”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës.

Karahoda: “I kemi tejkaluar pritjet...”

Por edhe ekipi i “Pa Vend” ka festuar me “Zgjoin”. Rrëfimi që ndërtohet mbi suksesin e klubit prizrenas të pingpongut “Lidhja e Prizrenit”, duke përcjellë përpjekjet e vazhdueshme të Jeton Mazrekut dhe Ermegan Kazazit, të udhëhequr nga trajneri i tyre Rifat Rifati, që të mbajnë sportin e pingpongut gjallë, nuk ia ka dalë të gjendet në mesin e 15 filmave të kategorisë së metrazhit të shkurtër. Në këtë kategori në listë janë: “Ala Kachuu - Take and Run”, “Censor of Dreams”, “The Criminals”, “The Dress” “Frimas”, “Les Grandes Claques”, “The Long Goodbye”, “On My Mind”, “Please Hold”, “Stenofonen”, “Tala’vision”, “Under the Heavens”, “When the Sun Sets”, “You’re Dead Helen” dhe “Distances”.

Regjisori i filmit “Pa Vend”, Samir Karahoda, ka uruar ekipin e filmit “Zgjoi”, veçanërisht regjisoren dhe producentin Yll Uka për mundin dhe vullnetin që kanë pasur për promovimin e filmit të tyre.

“Nuk është punë e lehtë edhe si nënë që është dhe besoj që ia ka vlejtur. Sa i përket filmit tonë ‘Pa Vend’, të jem i sinqertë, për neve si ekip ‘Oscar’ do të ishte fillimi i ndërtimit të objektit të ekipit të pingpongut ‘Lidhja e Prizrenit’, pasi që qëllimi ynë prej fillimit ka qenë ajo, pra vetëdijesimi i institucioneve për fëmijët dhe talentet tona”, ka thënë ai. Ka shtuar se me filmin e tyre i kanë tejkaluar pritjet e tyre nga impakti që kanë pasur. “Prandaj ‘Oscar’ nuk është diçka që e kemi paramenduar, edhe pse e kemi merituar, pasi që qëllimi i filmit është ky. Do të ishte e tepërt ndoshta po qe se ishin futur edhe në ‘Oscar’”, ka thënë Karahoda, filmi i të cilit prej pesë festivaleve më të madha është futur në tre prej tyre. Kishte filluar me premierë në Festivalin e Filmit në Cannes, në qershor, për të vazhduar Festivalin e Filmit në Toronto, ku mori çmimin kryesor “IMDB Pro Short Cutes”, e me këtë çmim u kualifikua për “Oscars”, ndërkaq Cannesi e propozoi për atë që njihet si “Oscar” i Evropës, ku s’ia doli ta merrte trofeun, por nominimi mbeti historik.

Bilibani: “Shpresoj të përcjellim një ekip edhe drejt Los Angelesit”

“Ishte një natë me të vërtetë plot emocione duke pritur listën e filmave që janë në listën e ngushtë për këtë edicion, ani pse filmi ynë ‘Pa Vend’ nuk arriti që të futej në këtë listë. Jemi më se të lumtur që tregimin e Fahrije Hotit që e sjell me një mjeshtëri të jashtëzakonshme Blerta Basholli ta shohim se ka hyrë në listën e 15 filmave që janë ende në garë për çmimin e Akademisë Amerikane”, ka thënë producenti i filmit “Pa Vend”, Eroll Bilibani.

Ka shtuar se është i bindur që fuqia e tregimit dhe fuqia vizuale të cilën regjisorja ka arritur ta tregojë në këtë rast do të bëjë që filmi të futet në pesëshen e artë.

“Dëshiroj të përgëzoj Blerta Bashollin, Yllka Gashin dhe të gjithë ekipin e filmit ‘Zgjoi’ që arritën të na e bënin këtë natë jo aq të dhimbshme, pra më të lumtur, pasi që e kemi një frymë nga Kosova, një shtet i vogël me ëndrra të mëdha, dhe mendoj se ky është vetëm fillimi”, ka thënë ai. Sipas tij, për kinematografinë e Kosovës do të dëgjohet edhe në të ardhmen.

“Do të vijnë edhe filma të tjerë që do të na e zbardhin fytyrën e do të na bëjnë krenarë siç na ka bërë sonte ‘Zgjoi’ i Blerta Bashollit, e cila e sjell tregimin e Fahrijes”, ka thënë ai, duke shtuar se është një mënyrë shumë subtile e të sjellit si projekt filmik i një teme të luftës.

“Mendoj se duhet të merret si model i qasjes ndaj tregimeve komplekse të treguara në mënyrë të sinqertë ashtu siç ka bërë Blerta”, ka thënë Bilibani.

“Zgjoi” ka bërë bujë kudo ku është shfaqur.

Së fundmi fituesja e dy çmimeve “Golden Globe”, Elisabeth Moss dhe producentja e njohur Lindsey McManus u bënë producentet më të reja të filmit “Zgjoi”. Kanë marrë këtë rol të ri për të mbështetur kandidatin e Kosovës në rrugëtimin e tij drejt ceremonisë prestigjioze “Oscars”, që po e pret përpara. Dyshja ka thënë se “Zgjoi” është një histori e paharrueshme dhe prekëse që shfaq dëshirën për mbijetesë dhe fuqizim përmes një vizioni të guximshëm. Filmi që në fillim të kësaj jave mori komente pozitive sa u përket parashikimeve se cilët do të jenë 15 filmat që do të përfshihen në listë si më të mirët e garës ndërkombëtare. “Zgjoi”, po ashtu, ishte përzgjedhur nga “European Film Awards”, që ndryshe njihet si ‘Oscari’ i Evropës, si një nga kandidatët për nominim për çmimet prestigjioze evropiane të kësaj akademie. Premiera kombëtare e filmit u dha më 24 gusht në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në kuadër të edicionit të 13-të të “PriFest”. Nëpër kinematë e vendit po vazhdon të thyejë rekorde.

Filmi deri tani ka 16 çmime. E mori atë si filmi më i mirë në “Bekshire International Film Festiv” dhe “Cinedays Skopje Film Festival”, “Hamburg Film Festival”, “Guanajuato International Film Festival”, “Montpellier Mediterranean Film Festival”, Festivalin Ndërkombëtar të filmit në Tetovë “ODA”, “Unabhängiges FilmFest Osnabrück”, “Crested Butte Film Festival” dhe në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Varshavë. E në Festivalin e Filmi në Mal të Zi, aktorja Yllka Gashi mori çmimin si aktorja më e mirë. Gashi triumfoi si aktorja më e mirë edhe në “Scottsdale International Film Festival” në ShBA dhe në “Valladolid International Film Festival” në Spanjë. “Oscari” e pret.

“Shpresoj që në mars të përcjellim një ekip edhe drejt Los Angelesit, ku do të mbahet ceremonia kryesore”, ka thënë shpresëplot Bilibani.