Kulturë

“Zgjoi” mbyll kapitullin me “Oscar”, regjisorja Basholli nis projekt të ri

Me filmin “Zgjoi”, çmimi “Oscar” për Kosovën ka qenë afër, por rrugëtimi i tij ka përfunduar të martën kur ai nuk zuri vend në mesin e pesëshes së nominuar. Por ekipi nuk është zhgënjyer. Filmin e pret një rrugëtim nëpër kinema e festivale në të katër anët e botës. Regjisorja Blerta Basholli, menjëherë pasi është uruar nga kolegët për suksesin e filmit edhe pa nominim, ka thënë se do të nisë projektin e ri. Është një film për jetën e saj në Kosovën e viteve ‘90

Me duartrokitje është pritur publikimi i listës për “Oscar” në kategorinë ndërkombëtare, ani pse kandidati i Kosovës nuk ishte në mesin e të nominuarve. Brohoritjet në mesin e të pranishmëve, të mbledhur në një kafene në kryeqytet, aty ku ishte edhe ekipi i filmit, ishin përkrahje për ekipin, punën dhe për arritjet e tyre.

Për regjisoren ishte një rrugëtim i mrekullueshëm, edhe pse nuk u finalizua me nominim. Duke kujtuar premierën në “Sundance Film Festival” – në shkurt të vitit të kaluar, ku mori tri çmime – atë për regji, të publikut dhe çmimin e jurisë – si dhe rreth 21 çmime të marra në festivale të ndryshme, Basholli ka thënë se rruga u ka sjellë rezultatet që nuk i kishin menduar as në ëndrrat me të guximshme. Një tjetër projekt është hapi i radhës.

Filmi i ri i Bashollit, jeta e saj në vitet ‘90

“Ka qenë një udhëtim i papritur për ne, përkundër faktit që kemi punuar me shumë përkushtim dhe jemi munduar që të bëjmë maksimumin për aq sa kemi ditur dhe kemi mundur në këtë projekt dhe atë në çdo fazë”, ka thënë ajo.

I tillë ishte edhe për producentin Yll Uka.

“Veç sikur ta paramendonim dhe të na thoshte dikush që ‘Zgjoi’ do të ketë këtë ecuri, do të kishte qenë çmenduri e lërë më që gjithë ky rrugëtim na ka ndodhur neve”, ka thënë ai.

Basholli ka qenë ajo që ka inkurajuar gjithë ekipin pas rezultatit. Me një ton, njëlloj si personazhi i saj, Fahrije Hoti, ka thënë se kanë ende për të dhënë. Nuk pret as projekti i ri në të cilin janë përfshirë.

“Momentalisht jemi në skenar. Veç kemi ngritur fonde për filmin në bashkëpunim me Zvicrën. Jo në Kosovë. Kështu që prej nesër unë duhet menjëherë të ulem e të punoj, pasi që afatin e kam shumë afër për të aplikuar edhe për fonde për prodhim”, ka treguar Basholli.

Mbetet te trajtimi i ngjarjeve reale, njësoj si debutimi në metrazh të gjatë me “Zgjoin”. Thotë se vendi ka mjaft tema që mund të trajtohen edhe si projekte filmike.

“Unë tërhiqem shumë në tema të vërteta e sidomos kur flasim për filmat në Kosovë, mendoj se kemi shumëçka për të treguar dhe nuk kemi nevojë për të trilluar, kështu që tema tjetër është jeta ime në Prishtinën e viteve ’90, sepse mendoj që është një pjesë që nuk është folur shumë. Ka filma që janë bërë në atë periudhë por prej këndeve të ndryshme kështu që edhe ne po dëshirojmë të realizojmë një film nga perspektiva jonë”, ka thënë Basholli.

Se punës do t’ia nisin menjëherë, e ka konfirmuar edhe producenti Yll Uka. Ai bashkë me ekipin e “Ikonë Studio”, mbesin promovuesit më të mëdhenj të filmit “Zgjoi” dhe tani janë bërë pjesë edhe e bordit për filmin e ri të Bashollit.

“Definitivisht ne që nesër do të vazhdojmë punën në projektin me Blertën që na ka mbetur në gjysmë. Është një projekt i ri i cili veç ka marrë mbështetje për zhvillim skenari dhe që nesër, do të fillojmë të punojmë në projektin e ri, por ‘Zgjoin’ e pret një rrugëtim tjetër nëpër kinema dhe festivale të tjera dhe do të punojmë me ‘Zgjoin’ edhe me tutje”, ka thënë Uka.

Image
BlertaBasholli: “Inspirim dhe inkurajim, siç na ka dhënë neve Fahrija, e siç i ka dhënë pastaj edhe gjithë botës. Prandaj, mendoj se shumëçka kanë marrë prej Fahrijes, sepse në fund të fundit mbetet një karakter inspirues dhe motivues për secilin prej nesh. Kur shohim se ajo nuk është dorëzuar dhe ka vazhduar, edhe ne do të vazhdojmë”, ka thënë regjisorja e “Zgjoit”, Blerta Basholli

Shansi që dha shpresë se trofeu mund të arrihet

Regjisores 39-vjeçare dhe ekipit prapa “Zgjoit” u kanë dhënë shpresë kineastë të tjerë që një ditë emri i Kosovës do të figurojë mes të nominuarve të këtij çmimi prestigjioz.

Regjisorja Blerta Zeqiri, që po ashtu iu bashkua ekipit të filmit për t’i mbështetur, ka thënë se filmi i ka dhënë botës një pasqyrë për Kosovën dhe atë që ka kaluar e ku është sot. E Kosovës ka theksuar se i ka dhënë dhuratën më të bukur ndonjëherë sa i përket filmit.

“E kemi parë që ka mundësi me u arritë jashtëzakonisht shumë edhe me kaq pak sa kemi ne. E shfrytëzoj rastin ta përgëzoj ekipin e filmit i cili edhe pse në këtë moment ndoshta është i dëshpëruar pasi që nuk ka arritur të kualifikohet për ‘Oscars’, po kjo ka qenë arritja më e madhe që ka arritur ndonjëherë Kosova me film. Kurrë më larg nuk kemi shkuar”, ka theksuar ajo.

Zeqiri ishte ajo që fillimisht u kishte hapur rrugë filmave të Kosovës në “Sundance” në vitin 2012 me regjisoren me filmin e saj të shkurtër “Kthimi” që u bë i pari film që u paraqit në këtë festival dhe u shpërblye me çmimin për filmi më të mirë të shkurtër. Sipas Zeqirit, edhe “Zgjoi” ka hapur rrugë të reja.

“’Zgjoi’ na ka dhënë shpresën se një ditë do ta marrim ‘Oscarin’, na ka dërguar shumë afër dhe tani mendoj se ,do ta dimë. Ne e kemi bërë krejt punën, filmi është shumë i mirë, mirëpo të gjithë ata filma kanë buxhete milionëshe për realizim e pastaj edhe për marketing dhe këtë garë nuk mund ta fitosh pa investime të madha”, ka thënë ajo.

Sipas saj, ky është një mësim që viteve të tjera nëse Kosova është kaq afër nominimeve, të investohet jashtëzakonisht shumë. “Për ta marrë çmimin aq shumë të dëshiruar”.

Arritja historike e Kosovës në kinematografi

Për Arben Zharkun, ish-drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës e gjithë dekada e fundit në kinematografi ka qenë një rrugë e shtuar me kujdes, e që ka sjellë edhe shumë suksese e momente krenarie.

“Është një moment i mirë për vendin tonë, për ekipin. Ata (v.j. ekipi i filmit ‘Zgjoi’) duhet të jenë njerëzit të cilët duhen falënderuar më së shumti për punën që kanë bërë deri me tani. Pavarësisht lajmit, besoj që ‘Zgjoi’ nuk do të ndalet dhe do të shfaqet edhe në festivale të tjera dhe do të sjellë lajme të mira. Ndërsa, kjo arritje ngelet prapë se prapë historike”, ka thënë Zharku me të dalë lista e të nominuarve.

Sipas aktores Yllka Gashi, që luan protagonisten kryesore (Fahrije Hotin), “Zgjoi” solli gëzim, krenari dhe shkroi histori të re për kinematografinë në vend.

“’Zgjoi’ që e punuam me shumë pasion e përkushtim, na hapi dyert e na e mundësoi jo vetëm të kemi shpërthim ndërkombëtar në karrierat tona, por edhe ta promovojmë Kosovën e suksesin e grave të Kosovës”, ka shkruar Gashi në një postim në “Facebook”.

Aktorja e cila jeton në SHBA, ka thënë se ku ishte dhe mbetet rrugëtim i bukur e i paharruar, për të cilin është shumë falënderuese.

“Faleminderit shumë që u gëzuat për ne e për dashurinë e përkrahjen e jashtëzakonshme që na e keni dhënë tash e një vit. Jam e bindur që në vitet në vijim filmi kosovar do të bëjë histori duke u nominuar e fituar në edicionet e ardhshme të Akademisë”, ka shkruar ajo, duke shtuar se Kosova ka shumë talent e rrëfime autentike të cilat duhet t’i tregojmë.

Rrëfimi inspirues i vendit që lidhet me botën

Mirëpo nuk është vetëm Kosova ajo që ka përfituar nga ky film. Sipas regjisores Blerta Basholli, “Zgjoi” edhe u ka dhënë njerëzve shumëçka.

“Inspirim dhe inkurajim, siç na ka dhënë neve Fahrija, e siç i ka dhënë pastaj edhe gjithë botës. Shumë njerëz janë identifikuar me të si njeri dhe nuk është se kanë menduar shumë a është në Kosovë apo ku është, por pastaj u ka interesuar edhe ajo prapavija çka ka ndodhur në Kosovë, çfarë lufte. Prandaj mendoj se shumëçka kanë marrë prej Fahrijes, sepse në fund të fundit mbetet një karakter inspirues dhe motivues për secilin prej nesh. Kur shohim se ajo nuk është dorëzuar dhe ka vazhduar, edhe ne do të vazhdojmë”, ka thënë ajo.

E producenti Yll Uka ka theksuar se “Zgjoi” do të vazhdojë komunikimin me botën, përkundër faktit se nuk ishte në mesin e pesëshes së artë për “Oscars”.

“Çfarë më bën shumë që të gëzohem, është se filmi ka arritur që të distribuohet në mbi 50 vende të botës, pra është një film që do të shikohet dhe është shikuar në shumë vende dhe tash po përgatitemi prej marsit, pasi që do të ketë ecurinë tjetër nëpër kinema, duke nisur me Australi e Zelandë të Re pastaj në Angli, Gjermani e shumë vende të tjera të botës si dhe festivale të tjera të konfirmuara”, ka thënë ai.

{gallery}

Gara e paparashikueshme

Ceremonia kryesore për “Oscars” do të mbahet më 27 mars. Në kategorinë e “Zgjoit” garën e vazhdojnë tutje: “Drive My Car” i Japonisë, “Flee” i Danimarkës, “The Hand of God” i Italisë, “Luanana: A Yak in the Classroom” i Butanit dhe “The Worst Person in the World” i Norvegjisë.

“Drive My car” nën regjinë e Ryusuke Hamaguchit, është drama që solli adaptimin e historive të shkurtra nga Haruki Murakami dhe ka në qendër shëtitje të gjata rreth Hiroshimës dhe bisedat që zhvillohen midis një aktori dhe regjisori të njohur ndërkombëtarisht dhe taksistit të tij. Shkëmbimet e tyre të shkurtra formale evoluojnë ngadalë në rrëfime të sinqerta dhe të dhimbshme, ndërsa dy individët e heshtur fillojnë të hapen me njëri-tjetrin.

“Flee” nën regji të Jonas Poher Rasmussen sillet rreth performancës kryesore: atë të intervistuesit me pseudonim Amin, që shpalos ndonjëherë jetën e tij, përfshirë fluturimin si fëmijë refugjat nga Afganistani për në Danimarkë dhe deklarimin se është gay.

“The Hand of God” nën regji të Paolo Sorrentino, flet për Fabietton, i cili fillon të realizojë pasionin e tij për të bërë filma në Napolin e trazuar në fund të viteve ‘80. Siç ka thënë regjisori, filmi është një përrallë e fatit dhe familjes, e sportit dhe kinemasë, dashurisë dhe humbjes.

Butani ashtu si Kosova ishte për herë të parë në listë të ngushtë. Për dallim nga Kosova, filmi për një këngëtar aspirues, por jo ambicioz, që pranon një punë si mësues në një shkollë rurale, ka vazhduar tutje.

“Të gjitha personazhet e filmit që shihni, jo vetëm që janë aktorë për herë të parë, por të gjithë njerëzit në fshat nuk kanë asnjë koncept për kinemanë. Ata nuk kanë parë asnjë film në jetën e tyre. Harrojeni filmin, ata nuk kanë parë kurrë një llambë, dhe ajo pjesa ku fëmijët i lajnë dhëmbët ka qenë hera e parë që ata kanë provuar pastën. Dhe kjo ishte ajo që dëshiroja të ndaja me botën, autenticitetin e këtij vendi dhe të njerëzve”, kishte treguar regjisori për këtë film.

E te kandidati i Norvegjisë, “The Worst Person In The World”, regjisori Joachim Trier, riviziton kryeqytetin e Norvegjisë për të kapur në mënyrë kronike katër vjet nga jeta e Julies, një grua e re që lundron në ujërat e trazuara të dashurisë gjersa lufton për të bërë karrierë. Ky rrugëtim e bën të kuptojë se kush është ajo më të vërtetë.

Për regjisoren Basholli, i gjithë “Oscari” mbetet i paparashikueshëm.

“Normalisht që mbetet i paparashikueshëm, aty ka filma që askush nuk e ka pritur që do të hyjnë e që shumë vonë kanë dalë në njëfarë mënyre në radarë, por që ishin në pesëshen e fundit. Ne kemi bërë maksimumin tonë edhe për kampanjën e “Oscarit”, aq sa kemi ditur e sa kemi mundur që të mos varet nga puna jonë, pjesa tjetër është e pakontrollueshme”, ka thënë ajo.

Për regjisoren Blerta Zeqiri, si çdo garë, edhe “Oscari” është i paparashikueshëm.

“Dhe për këtë ishim me shpresën që do të merrnim atë që po kërkojmë. Gjatë kohës sa ishin nominimet, i shikoja filmat, dilte një film dhe cilido që dilte, minimum 10 milionë a më shumë e ka buxhetin dhe ‘Zgjoi’ është fitues këtu pasi që është një film që është bërë më shumë pak të holla, mjete dhe ka arritur të flasë me krejt botën. Më fituesi prej të gjithëve për shpirtin tim është ‘Zgjoi’”, ka thënë ajo.

Rrugën e Kosovës drejt “Oscarit” më herët e kishte shtruar edhe filmi “Shok”. Regjisori britanik, Jamie Donoughue, me filmin me kastë nga Kosova, kishte arritur që të jetë në pesëshen e të nominuarve, në kategorinë e filmave të shkurtër më 2016.

E për “Zgjoin” dhe ekipin e tij që ka kthyer kokën drejt projektit të ri, gara e sivjetme për “Oscar” tani mbetet është një kapitull në vete.