Hiç më pak se 3 mijë e 344 filma nga mbarë bota ia kishin mësyrë Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Guanajuato të Meksikës e në mesin e të përzgjedhurve është kandidati i Kosovës për “Oscar”, filmi “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit. “Tash e tutje çdo prezencë në festivale, sidomos në festivale të njohura, ndihmon për me pasë më shumë vëmendje nga anëtarët e ‘Oscars’”, ka thënë për KOHËN, producenti i filmit, Yll Uka. Lajmi për premierën meksikane i dha vetëm një ditë pas atij për shfaqjet në SHBA, të cilat mezi po i pret edhe Yllka Gashi, aktorja në rolin kryesor të Fahrije Hotit, në “Zgjoi”. “Amerika qe 6 vjet është shtëpia ime, prandaj kjo për mua do të jetë premierë vendore! Kam shumë miq që mezi presin ta shohin filmin në ekran të madh”, ka thënë Gashi për KOHËN
Propozimi Kosovës për “Oscar”, “Zgjoi”, para se të nisë të shfaqet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të jetë i pranishëm në atë që njihet si Amerika Latine. Në tri qytete të Meksikës filmi kosovar do të jepet brenda shtatorit. Ky do të jetë një lloj pararrugëtimi pasi në nëntor do të nisin shfaqjet në SHBA në kuadër të fushatës për “Oscars”.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Guanajuato ka përzgjedhur që në kategorinë ndërkombëtare të garojë edhe rrëfimi kosovar për plagët e luftës dhe inspirimin për mbijetesë. Qytetet e Meksikës Qendrore, León ku filmi do të jepet në ditën e 19-të të këtij muaji, San Miguel de Allende më 21 dhe më 26 shtator janë edhe nikoqiret e Festivalit, i cili konsiderohet më i madhi në Amerikën Latine.
Edicionit të 24-të të këtij Festivali që mbahet prej 17 deri më 26 shtator ia kishin mësyrë 3 mijë e 344 filma nga 127 vende të botës.
Filmi kosovar, që premierën botërore e kishte në festivalin “Sundance” në shkurt të këtij viti ku edhe doli të jetë fitues i trefishtë, do të jetë në konkurrencë me “Aya” nën regji të Simon Coulibaly Gillard (Belgjikë, Francë), “Jenayat-E Bi Deghat (Careless Crime)” nën regji të Shahram Mokri (Iran), “Fucking With Nobody” nën regji të Hannaleena Hauru (Finland), “Madalena” nën regji të Madiano Marcheti (Brazil) “Un Monde (Playground)” nën regji të Laura Wandel (Belgjikë), “Las motitos” nën regji të Inés María Barrionuevo dhe María Gabriela Vidal (Argjentinë) “Kun Maupay Man It Panahon (Whether the Weather is Fine)” nën regji të Carlo Francisco Manatad (Francë, Filipine, Singapur, Indonezi, Gjermani, Katar).
Producenti i “Zgjoit”, Yll Uka, ka thënë se “Guanajuato International Film Festival” është festival shumë i njohur në Amerikën Latine dhe janë shumë të lumtur që në këtë Festival do ta kenë premierën meksikane.
“Tash e tutje çdo prezencë në festivale, sidomos në festivale të njohura ndihmon për me pasë më shumë vëmendje nga anëtarët e ‘Oscars’. Shpresojmë që në këtë Festival do të shpërblehemi edhe me çmim”, ka thënë ai.
Uka ka treguar se tetori, nëntori dhe dhjetori janë muajt ku filmi duhet të ketë sa më shumë prezencë në festivale, por edhe në kinema.
“Ne kemi fatin që gjatë këtyre muajve do të jemi në shumë festivale që tashmë janë të konfirmuara dhe do t’i bëjmë publike më vonë”, ka thënë ai.
Tashmë është publike që filmi në vjeshtë do të shfaqet edhe në New York e Los Angeles. Pikërisht në nëntor, kur produksionet u japin zjarr fushatave për filmat e propozuar për “Oscar”, filmi kosovar do t’u kthehet Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi në “Sundance Film Festival” bëri histori duke u bërë filmi i parë i huaj që i fiton tri çmimet kryesore: Çmimin e jurisë, atë për regjinë më të mirë (Blerta Basholli) dhe Çmimin e audiencës.
Janë kompanitë distributore amerikane të filmave, “Zeitgeist Films” dhe “Kino International” që kanë bërë të mundur shfaqjen e “Zgjoit” në kinemanë joprofitabile “Film Forum” në New York në ditën e pestë të nëntorit. Më pas filmi do të jepet në kinemanë “Laemmle Royal” në Los Angeles më 12 nëntor.
Aktorja Yllka Gashi, që edhe ka barrën e rolit kryesor në film, ka thënë se shfaqja e filmit në SHBA e bën të ndihet për mrekulli dhe mezi po i pret premierat në New York dhe Los Angeles.
“Amerika qe 6 vjet është shtëpia ime, prandaj kjo për mua do të jetë premierë vendore! Kam shumë miq që mezi presin ta shohin filmin në ekran të madh”, ka thënë ajo për KOHËN.
Filmi shtjellon artistikisht historinë e vërtetë të një gruaje nga fshati Krushë e Madhe, Fahrije Hotit, e cila në film portretizohet nga aktorja e njohur Yllka Gashi. Zhdukja e burrit të saj në luftë është fillimi i sfidave, vuajtjeve e vështirësive, përballë të cilave heroina e filmit nuk dorëzohet. Në kastin e filmit janë edhe aktorët Çun Lajçi, Aurita Agushi, Kumrije Hoxha, Adriana Matoshi, Kaona Sylejmani, Ilir Prapashtica, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Xhejlane Terbunja, Shkëlqim Islami dhe Astrit Kabashi.
Shfaqja e filmit në Kosovë muajin e kaluar ka ardhur me lajmin e mirë se filmi është përzgjedhur nga “European Film Awards”, që ndryshe njihet si ‘Oscari’ i Evropës, si një nga kandidatët për nominim për çmimet prestigjioze evropiane të kësaj akademie.
Ekipi bashkë me distributorët amerikanë kanë përgatitur një trailer të veçantë për shfaqjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Aty vihet në pah se “Zgjoi” është filmi më i shpërblyer në edicionin e sivjetmë të “Sundance”. Aty zë vend edhe raportimi i “The Hollywood Reporter”: “Një rrëfim gjithëpërfshirës, krejtësisht klasik për të tejkaluar fatkeqësitë”. Po ashtu theksohet edhe raportimi i “Indiewire”: “Yllka Gashi vjen me një forcë të çeliktë si një grua që duhet t'i marrë gjërat në duart e veta, edhe kur ato janë të lidhura nga shoqëria”. Shteti i Kosovës pritet të ndajë mjete për fushatën e filmit, me të cilin ia mësyu “Oscarit”. Qendra Kinematografike e Kosovës e mbështeti filmin “Zgjoi” në konkursin e vitit 2015 për zhvillim skenari, e një vit më vonë në kategorinë e filmit të metrazhit të gjatë. Solli bashkëprodhimin e parë zyrtar ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës.