Filmit i është konfirmuar se do të shfaqet në 18 kinema në Australi dhe 6 të tjera në Zelandë të Re. Kjo, pos tjerash, është një mundësi që shqiptarët që jetojnë në këto vende të kenë mundësi të shohin rrëfimin për Fahrije Hotin nën interpretimin e aktores Yllka Gashi
Prishtinë, 17 janar – Më 24 shkurt në ekranet e kinemasë në Australi dhe Zelandë të Re nis shfaqja e “Zgjoit”. Filmit, nën regji të Blerta Bashollit, që po synon të bëhet i pari nga Kosova i nominuar për çmimin “Oscar”, deri më tani i është konfirmuar se do të shfaqet në 18 kinema në Australi dhe në 6 të tjera në Zelandë të Re. Sipas producenti Yll Uka, kjo është një mundësi që shqiptarët që jetojnë në këto vende të kenë mundësi të shohin rrëfimin për Fahrije Hotin nën interpretimin e aktores Yllka Gashi.
“Zgjoi” konsiderohet si një rrëfim që shpalos plagët e thella që lufta e fundit vragoi mbi fate njerëzish, duke shërbyer njëkohësisht si frymëzim për mbijetesë. Filmi për të cilin Basholli ka shkruar edhe skenarin është i bazuar në rrëfimin e Fahrie Hotit dhe shpërfaq sfidat e grave në mungesë të burrave si pasojë e luftës së fundit në Kosovë.
Producenti Yll Uka ka thënë se do të mundohen që gjatë gjithë kohës të qëndrojnë afër shikuesve dhe të të interesuarve për këtë film.
“Vazhdimisht marrim mesazhe nga njerëz që janë të interesuar për të parë filmin në vendet e tyre. Kuptohet, pjesa dërrmuese janë shqiptarë që jetojnë në vende të tjera dhe ne çdoherë do të mundohemi që të qëndrojmë afër tyre duke bashkëpunuar, në këtë rast, edhe me rrjete kinemash nga e gjithë bota”, ka thënë ai.
“Zgjoi” vazhdon të mbetet një nga filmat më të shikuar edhe në vend. Vendosi rekord sa u përket shitjeve të biletave në vend. Rreth 35 mijë bileta janë shitur qëkur nisi shfaqja e filmit më 22 tetor të 2021-tës.
Filmi në vend është shfaqur në “Cineplexx” – në Prishtinë dhe Prizren – “Cinemarine” në Prizren dhe që nga 28 nëntori me hapjen e kinemasë “Hyrije Hana” në Gjakovë është pjesë e repertorit edhe të kësaj kinemaje. Pas më shumë se tri dekadave “Hyrije Hana” nisi punën në ish-hapësirën e kinemasë së dikurshme në pallatin e kulturës “Asim Vokshi” dhe madje pikërisht me shfaqjen e filmit “Zgjoi”.
Drejtues kinemash patën potencuar se një numër kaq të madh të të interesuarve i ka tërhequr rrëfimi, por edhe mjeshtëria artistike e treguar nga regjisorja Basholli.
Zhdukja e burrit të Fahrije Hotit në luftë është fillimi i sfidave, vuajtjeve e vështirësive, përballë të cilave heroina e filmit – që portretizohet nga aktorja Yllka Gashi – nuk dorëzohet. Në kastin e filmit janë edhe aktorët: Çun Lajçi, Aurita Agushi, Kumrije Hoxha, Adriana Matoshi, Kaona Sylejmani, Ilir Prapashtica, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Xhejlane Terbunja, Shkëlqim Islami dhe Astrit Kabashi.
Premiera kombëtare e filmit në gusht të 2021-tës kishte ardhur me lajmin se është kandidati i Kosovës për nominim në “Oscarin” e Evropës. E më 21 dhjetor u dha lajmi se “Zgjoi” është në listë të ngushtë për “Oscar”. Kurse më 8 shkurt do të bëhen të ditur 5 filmat e nominuar për filmin më të mirë ndërkombëtar të shpallur nga Akademia Amerikane dhe më 27 mars pritet të mbahet ceremonia kryesore.
Një dekadë më parë regjisorja dhe skenariste Blerta Basholli do t’i rrekej punës që me historinë e Fahrije Hotit të endte fijet e projektit për një film. Mes vështirësive jo të pakta gjatë realizimit gjëllinte shpresa që të paktën filmi të kishte premierën në “Sundance Film Festival”. Guximi për të ëndërruar u shpërblye me të madhin festival amerikan të filmit që mbahet në Utah. Nga aty “Zgjoi” doli i stolisur me tre trofe: Çmimin e Madh të Jurisë, atë të Audiencës dhe Çmimin për Regjinë. E ky ishte veç fillimi i hapërimit. Sukseset që u shënuan bënë që Kosova pikërisht me “Zgjoin” të jetë afër “Oscarit” si asnjëherë më parë..
Deri më tani “Zgjoi” është shfaqur në disa vende të Evropës ( Shqipëri, Maqedoni, Zvicër), si dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Për më shumë detaje në lidhje me rezervimin e biletave për shfaqjen në Australi mund ta ndiqni këtë link: https://www.flicks.com.au/movie/hive/. E për në Zelandë të Re është linku në vijim: https://www.flicks.co.nz/movie/hive/