Shfaqja për gati dy orë u kthehet rinisë së viktimave të luftës së fundit në Kosovë. Me muzikë rock shpërfaqen ëndrrat e shtrydhura e kapërcen nëpër mesazhe universale. Shfaqja prek nëpër fragmente të muzikës rock, që pati zhvillim të hovshëm gjatë viteve ’80 e ’90 në Kosovë. Si një sukses më vete, regjisorja Zana Hoxha e ka cilësuar edhe paraqitjen në skenën e teatrit slloven. Shfaqja është dhënë në praninë e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ministres së Kulturës në Slloveni, Asta Vrecko dhe kryebashkiakut, Klemen Miklavic
Një rrëfim që kapërcen nëpër një prej plagëve më të mëdha të historisë së Kosovës së fundmi është prezantuar në një prej skenave më moderne në Slloveni. Teatri Kombëtar i Sllovenisë në Nova Gorica ka mirëpritur shfaqjen “Zgjimi i pranverës” nën regji të Zana Hoxhës. Shfaqja e cila është prodhim i “ArtPolis” me Teatrin Kombëtar të Kosovës është dhënë premierë në qershor të vitit 2020 në Prishtinë, pikërisht në TKK. Që prej atëherë ka pasur një rrugëtim të gjatë suksesesh e çmimesh.
Si një sukses më vete, regjisorja Zana Hoxha e ka cilësuar edhe paraqitjen në skenën e teatrit slloven të hënën mbrëma. Shfaqja është dhënë në praninë e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ministres së Ministrisë së Kulturës në Slloveni, Asta Vrecko, dhe kryebashkiakut, Klemen Miklavic.
Shfaqja për gati dy orë u kthehet rinisë së viktimave të luftës së fundit në Kosovë. Me muzikë rock shpërfaqen ëndrrat e shtrydhura e kapërcen nëpër mesazhe universale. Shfaqja prek nëpër fragmente të muzikës rock, që pati zhvillim të hovshëm gjatë viteve ’80 e ’90 në Kosovë. Në atë kohë i ka kontekstualizuar të gjitha skenat regjisorja Zana Hoxha. Të tilla i ka dërguar edhe në teatrin slloven, para një publiku divers.
“Pritja e shfaqjes ishte shumë e veçantë, sepse kishim një publik shumë divers nga komuniteti në Slloveni që janë shumë besnikë ndaj teatrit, pra publik që abonohen. Ishte një mundësi e mirë që ta prezantojmë atje shfaqjen e TKK-së që ka qenë mjaft e suksesshme edhe jashtë vendit”, ka thënë regjisorja Zana Hoxha.
Kryevepra e autorit Frank Wedekind “Zgjimi i Pranverës” është adaptuar në Kosovën e viteve ’90. Nevoja e të rinjve për të kuptuar dhe për t’u kuptuar ka qenë dhe vazhdon të jetë sfidë, sidomos historia që i ka përcjellë të rinjtë tanë në vitet ’90, kohë protestash e rezistence, kohë kur liria kolektive dhe personale ishte e kufizuar nga regjimi politik i Millosheviqit dhe patriarkati, përderisa solidariteti mbante gjallë frymën e rezistencës kolektive. Për shqiptarët e Kosovës që janë zhvendosur në Slloveni shfaqja ka qenë një ballafaqim me të kaluarën. Për gjeneratat e reja një mësim i ri për historinë e Kosovës. Sipas regjisores së shfaqjes Zana Hoxha, prezantimi i “Zgjimit të pranverës” e ka dëshmuar fuqinë e artit për të informuar edhe inspiruar duke i bërë historitë e vendit të Kosovës më të prekshme.
“Për komunitetin shqiptar ishte shumë emocionuese, sepse në fund shfaqja u dedikohet të gjithë fëmijëve që janë viktima të luftës së fundit në Kosovë të vitit 1999 dhe kisha një çift shqiptar që e sollën vajzën e tyre për t’u njoftuar me historinë e viteve ’90 në Kosovë përmes shfaqjes”, ka treguar tutje regjisorja Hoxha.
“Zgjimi i pranverës” në shtator të vitit 2020 është shpërblyer në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Shkup, ku ajo mori çmimin “Grand Prix”. Shfaqja muzikore “Zgjimi i Pranverës” me regji të Zana Hoxhës në maj të vitit 2021 u shpërblye me çmimin “Shfaqja më e mirë”, ndarë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ajo ishte vlerësuar për motivin në trajtimin e guximshëm të problemeve të të rinjve.
Regjisorja Zana Hoxha dhe koreografi Robert Nuha kanë mbajtur një trajnim edhe për një grup të rinjsh në Nova Gorica. Për trupën e “ArtPolis” qëndrimi për shfaqje në këtë qytet ka qenë një mundësi e adaptimit në një prej skenave më moderne të teatrit që u bë plotësisht profesional në vitin 1969. Në vitin 1994 u ndërtua një ndërtesë e re teatri me pajisje moderne skenike dhe në vitin 2004 u shpall institucion me rëndësi kombëtare.
“Pritja në Slloveni është ndër më të ngrohtat në aspektin se si na trajtuan si teatër kombëtar, nga shfrytëzim i hapësirave me kushte të jashtëzakonshme që shpresojmë t’i kemi edhe ne këtu në TKK. E tërë trupa pati mundësi që gjatë dy ditëve të shfrytëzojë hapësirën edhe vendin, mundësitë që i ka Nova Gorica dhe kufiri me Italinë”, ka treguar regjisorja Zana Hoxha.
Rëndësia dhe orientimi artistik i teatrit janë ndikuar shumë nga pozicioni i tij gjeografik: Nova Gorica shtrihet në kryqëzimin e kulturave sllave dhe romane. Repertori përbëhet nga tekste moderne dhe klasike. “Zgjimi i pranverës” e ka mbushur gjithë sallën e teatrit, e cila po ashtu ka vuajtur krizën e publikut gjatë kohës së pandemisë.
“Drejtori artistik i këtij teatri, Marko Bratus, që na ftoi, tha që ishte një mundësi e rrallë që pas pandemisë të mbushet salla ashtu. Kishim një publik nga të rinjtë dhe nga persona më të vjetër që e bën magjinë e atij vendi”, ka shpjeguar tutje Hoxha.
“Zgjimi i pranverës” pas Sllovenisë synon të vazhdojë prezantimin jashtë kufijve për në Shkup, Beograd e Zagreb.