Kulturë

Zgjerohet lista, monumentet mbrohen përhershëm vetëm formalisht

Monumenti nën mbrojtje të përhershme është statusi më i lartë i mbrojtjes për një aset të trashëgimisë kulturore. Lista është zgjeruar duke arritur në 59, por në raport me monumentet nën mbrojtje të përkohshme, së paku deri më tash nuk dallon gjë. “Nuk mjafton futja në listë pa veprimet e tjera që sigurojnë mbrojtjen dhe mirëmbajtjen e monumentit”, ka thënë Sali Shoshi, udhëheqës i fondacionit kosovar, “Trashëgimia kulturore pa kufij”

As 24 vjet pas luftës së fundit, Kosova nuk mbron përhershëm as 4 për qind të aseteve të trashëgimisë kulturore që llogariten si potencial nacional i shtetit. Por përtej kësaj, pavarësisht se shteti tashmë ka nën mbrojtje të përhershme 59 asete të trashëgimisë kulturore, qasja ndaj tyre në praktikë nuk ka ndryshuar fare nga ato që mbrohen veç përkohshëm.

Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore ka miratuar propozimet për shpallje në mbrojtje të përhershme edhe të 13 aseteve të tjera. Në qershor ishin shtuar 18 sosh, përderisa në janar 5. Bashkë me 23 të vitit 2016, ky numër ka shkuar në 59.

E, pjesa më e madhe e monumenteve mbrohen veç përkohshëm. Lista e trashëgimisë kulturore nën mbrojte të përkohshme numëron 1.622 monumente.

“Pas një procesi shqyrtimi profesional të dosjeve nga Bordi dhe zyrtarët profesionalë të KKTK-së në mbledhjen e udhëhequr nga kryetarja Zanita Halimi, të mbajtur më datë 28.7.2023, anëtarët e Bordit me votim miratuan propozimet për shpallje në mbrojtje të përhershme të aseteve të trashëgimisë kulturore”, ka njoftuar KKTK-ja.

Kosova ka Listën e trashëgimisë nën mbrojtje të përkohshme dhe atë të përhershme. Sipas Ligjit, mbrojtja e përkohshme është një lloj preventive dhe brenda një viti monumenti duhet të vlerësohet nëse i plotëson kushtet për të gëzuar mbrojtje të përhershme. Por prej vitit 2012, kur është miratuar Lista e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme, shteti nuk ia ka dalë të kryejë obligimin ligjor të afatit që përcakton ligji.

Sipas Ligjit për trashëgiminë kulturore, asetet e trashëgimisë kulturore të propozuara për mbrojtje të përhershme duhet t’i paraqiten Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore për rishikim, adaptim ose refuzim. Pas këtij procesi përcaktohet që vendimet e këtij institucioni të miratohen nga ministri i Kulturës.

“Vendimi për përfshirjen e objekteve nё Listën e trashëgimisё kulturore nёn mbrojtje tё përhershme tё përcaktuar nga Këshilli i Kosovës pёr Trashëgimi Kulturore nënshkruhet nga ministri, me ç’rast hyn nё fuqi mbrojtja e përhershme e tyre me kёtë ligj. Lista e trashëgimisë kulturore do tё jetë e hapur për publikun”, përcaktohet në nenin 4 të këtij ligji.

Midis monumenteve që tashmë gëzojnë mbrojtje të përhershme janë: Shtëpia e Zekirja Abdullahut në Gjilan, Kisha e Shën Anës, objekti i Kajmekamëllekut, objekti i ish-Depos Ushtarake Turke e Shtëpia e Haxhi Ahmetit po në këtë qytet. Më pas Kisha e Shndërrimit në Partesh, Kompleksi i Ndërtesave: Xhami e Kishë Ortodokse, Ferizaj, Teqeja e Sheh Zenel Abedinit, Kamenicë, Xhamia e Koxha Sinan Pashës, Kaçanik, Kompleksi Monumental i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Kompleksi i Kishës Katolike “Zonja Ndihmëtare” në Prizren, bashkë me Kroin e Bimbashit e Shtëpinë e Musa Shehzades në këtë qytet.

Në qershor të këtij viti statusin e mbrojtjes së përhershme e kishin marrë biblioteka kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë bashkë me bibliotekën “Hivzi Sylejmani”, Kullën e Sahatit, Muzeun Kombëtar të Kosovës, Shtëpinë e banimit të familjes së Hynilerëve, Xhaminë e Çarshisë e atë të Jashar Pashës, po në Prishtinë. Midis monumenteve të tjera ishin kinemaja “Lumbardhi” në Prizren, Kërëk Xhamia e Kompleksi i banimit i familjes Hadro në këtë qytet bashkë me disa asete të tjera në Skenderaj, Vushtrri, Zveçan e Podujevë.

Por institucionet e trashëgimisë kulturore nuk janë duke ia dalë që në praktikë të bëjnë dallimin midis monumenteve që llogariten si pasuri nacionale e atyre që mbrohen veç përkohshëm.

Sali Shoshi, udhëheqës i fondacionit kosovar për trashëgimi kulturore pa kufij, “CHwB Kosova”, ka thënë se nuk mjafton shpallja nën mbrojtje të përhershme.

“Përkundrazi ky është hapi i parë ku mandej shteti duhet të tregojë kujdes ndaj diçkaje që e quan vlerë nacionale. Kur e bën diçka vlerë nacionale duhet të ketë masa si mirëmbajtje e promovim”, ka thënë Shoshi. Sipas tij, përfshirja në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme pa këto masa nuk ka ndonjë efekt te monumenti.

“E para, nuk e promovon dhe njerëzit nuk e dinë se ku është e çfarë ofron, pastaj kur mungon mirëmbajtja monumenti i humb vlerat. Duhet të lëvizet nga ana formale e listave në diçka konkrete”, ka thënë Shoshi.

Sipas tij, aseti që gëzon mbrojtje të përhershme duhet të gëzojë profitet e diçkaje që është vlerë nacionale dhe kjo duhet bërë me strategji e me plane të menaxhimit veç e veç.

“Plani i menaxhimit ka për synim kthimin e një aseti në vlerë shoqërore si aset shoqëror e ekonomik, pa ia prekur vlerat për të cilat është në listë. Pra, nuk mjafton futja në listë pa veprimet e tjera që sigurojnë mbrojtjen dhe mirëmbajtjen e monumentit”, ka thënë Shoshi. Ka treguar se në terren nuk vërehen dallime midis një aseti që është nën mbrojtje dhe një tjetri që ka potencial për të qenë nën mbrojtje.

“Këto veprime nuk garantojnë kthimin e asetit në resurs publik”, ka thënë ai.

Prej tetorit të vitit 2016, kur 23 asete të trashëgimisë kulturore janë pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme, deri sivjet shteti nuk kishte arritur që asnjë monumenti tjetër t’ia jepte këtë status. Nuk ka arritur që as t’u përmbahet përcaktimeve ligjore që dalin pasi një aset ka marrë këtë status ligjor, siç janë planet e menaxhimit. Një prej shembujve është parku arkeologjik “Ulpiana”. Është lokaliteti më i vizituar i trashëgimisë kulturore në Kosovë dhe nuk posedon staf të përhershëm, ndodh që mbetet me muaj pa rojtar e për ciceron e kushte të tjera as që bëhet fjalë. Në fund të atij viti një pjesë ishte shpallur edhe Park Arkeologjik. Por prej atëherë nuk ka as plan menaxhimi.

Të martën e kësaj jave është publikuar drafti i planit të menaxhimit, si dokument që ka dalë në konsultime publike para miratimit. Në janar të këtij viti, kryetarja e KKTK-së, Zanita Halimi, kishte thënë se mbrojtja e përhershme është shumë e rëndësishme.

“Rëndësia e përfshirjes së aseteve në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme është e madhe, pasi u sigurohet status i përhershëm ligjor. Në vendim kemi përmendur që edhe plani i menaxhimit të bëhet brenda tre vjetëve, si dhe të bëhet shenjëzimi i aseteve”, kishte thënë ajo.

Sa i përket mbrojtjes së përhershme, deri në korrik të vitit 2021 – kur Kuvendi zgjodhi shtatë anëtarët e KKTK-së – Ministria e Kulturës nuk kishte as kujt t’i propozonte monumente për mbrojtje të përhershme. Për tre vjet ky Këshill ishte jofunksional. Prej themelimit, më 2009, funksionoi vetëm nga viti 2015 deri më 2018, në pjesën tjetër nuk ishte plotësuar kurrë me të gjithë anëtarët.