Është cilësuar “Ekspozita e Holokaustit”, por me titullin “Diagnoza racore: Magjup - Gjenocidi nazist për sintët dhe romët dhe lufta e gjatë për njohje“ arrin të përcjellë mesazhin që thur në brendësi. Nëpërmjet fakteve, është thirrje për të mos harruar e për ndërgjegjësim. Ekspozita e hapur të mërkurën në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës është njohje e së kaluarës me zërin e viktimave të harruara të Holokaustit
Janë dëshmi të një periudhe të errët historie që sot flasin zëshëm, ani pse kanë kaluar gati tetë dekada. Në kohën kur lufta godet edhe Evropën, vijnë si thirrje jo vetëm për të mos harruar. Faksimile dokumentesh, fotografi e objekte të tjera, janë bashkuar në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar dhe krejt bashkë pasqyrojnë Holokaustin ndaj romëve dhe sintëve në Luftën e Dytë Botërore.
Është cilësuar “Ekspozita e Holokaustit”, por me titullin “Diagnoza racore: Magjup - Gjenocidi nazist për sintët dhe romët dhe lufta e gjatë për njohje“ arrin të përcjellë mesazhin që thur në brendësi.
Hapjes së ekspozitës i ka paraprirë edhe një pjesë prej monodramës “02.08.1944” nga autori dhe aktori Edis Galushi, nën regji të Xhevdet Dodës. E dhënë premierë katër vjet më parë, asaj i mjafton një datë për ta sjellë një histori të tërë. Nata e 2 gushtit të vitit 1944 njihej si “zgjidhja përfundimtare” për romët në Auschwitz. Atë natë 2.989 romë do të shfaroseshin në dhomën e gazit. Ekspozita ecën në paralele jo vetëm të kësaj date, me dëshmi të një periudhe që mund të jetë menduar si e papërshkruar.
Me fjalë të shkruara e fotografi, vuajtjet dhe mesazhet përcillen dhe bëhen elemente që “bërtasin” për vitet më fatkëqija të popullsisë rome. Siç përshkruhet, vijnë në këtë formë “për ndërgjegjësim mbi gjenocidin që tronditi botën ku u ekzekutuan dhe masakruan qindra mijëra romë”, por jo vetëm. Mes tjerash, organizata joqeveritare “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve” punoi në sjelljen e kësaj ekspozite në Kosovë edhe me qëllimin e nxitjes së sjelljes në mënyrë korrekte ndaj personave të këtij komuniteti. Synon që duke zbardhur e njohur historinë, secili pjesëtar që i përket këtij grupimi të ketë mundësinë të jetojë në mënyrë të barabartë me të gjithë.
Pasditja e së mërkurës në hapësirën para Lapidariumit pos pjesëtarëve të organizatës që janë rëndom duke punuar për çështjet e pakicave, mblodhi zyrtarë të lartë shtetërorë e përfaqësues ndërkombëtarë. Në mesin e tyre qenë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ambasadori i Gjermanisë, Joern Rohde, shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, zëvendësambasadori i Italisë, Ugo Ferrero dhe zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Sylejman Elshani.
Ekspozita e fut publikun nëpër një rrugëtim faktesh e dëshmish. Ka edhe citate të mbijetuarish, numra që deshifrojnë data e shifra. Portretet e shumë prej viktimave flasin me gjithë gjendjen e tyre statike. Shëtitja në hapësirat e Lapidariumit është ngushtuar goxha, marrë parasysh sasinë e materialeve që sjell ekspozita. Aty janë cituar edhe të tillë për të cilët e largët duket shpresa për jetë më të mirë.
“Asgjë nuk do të ndryshojë për mua personalisht; realiteti im, jeta ime, dominohet nga kjo e kaluar brutale – dhe sa më shumë plakem, aq më shumë më vjen në mendje. Unë nuk mund t’i konsideroj këto krime si një këmishë të pistë. Por, duke parë nga e ardhmja, tek brezat që do të vijnë, ne duhet të ndalojmë se rrituri njerëzit si vrasës, racistë dhe budallenj”, citohet të ketë thënë Reinhard Florian, njëri nga të mbijetuarit. Citime të tilla takohen shpesh, në këtë mënyrë shkruhet ajo që njihet si histori gojore.
“Ideja për ta sjellë ekspozitën e Holokaustit në Kosovë ka ardhur pasi që ne aktivistët romë kemi kuptuar se integrimi i komunitetit rom nuk mund të bëhet nëse fenomeni i antiegjiptizmit ose përjashtimit nuk adresohet. Mënyra më e mirë për ta kuptuar atë është përmes kësaj ekspozite të Holokaustit, e cila pak a shumë tregon se gjatë Luftës së Dytë Botërore këta njerëz kudo që kanë jetuar janë targetuar nga sistemi nazist vetëm për shkak se kanë qenë romë”, ka thënë Isak Skenderi, drejtor i organizatës “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve”.
Të rëndësisë së veçantë e ka konsideruar këtë ekspozitë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Never forget: Kurrë mos e harro. Ky udhëzim për të kujtuar gjithmonë Holokaustin ka një domethënie të veçantë në rastin e romëve dhe sintëve. Sepse, gjenocidi ndaj tyre është lënë shpeshherë në harresë kaq shumë, saqë historianët i njohin ata si ‘viktimat e harruara të Holokaustit’. Prandaj, kjo ekspozitë, që po hapet sot në Prishtinë, ka një rëndësi përtej kufijve të Kosovës. Ajo është pjesë e përpjekjeve të reja në mbarë botën për të dokumentuar me hollësi gjenocidin ndaj romëve dhe sintëve — që të mos harrohet kurrë”, ka thënë ai në hapjen e ekspozitës.
Mënyra se si ata trajtohen në vendin ku jetojnë, në Kosovë dhe përtej saj, është një pikë e cila synohet të preket me këtë trajtim të historisë.
“Kudo në Evropë dhe në botë romët për fat të keq janë duke jetuar në margjinat e shoqërisë, në një varfëri të skajshme dhe në kushte të vështira për jetesë. Dhe kjo nuk është për shkak se ata nuk po shkollohen apo nuk po punojnë, por është për shkak se ata kanë qenë të persekutuar me dekada dhe me shekuj të tërë”, ka thënë Skenderi. Ai është shprehur optimist për impaktin që kjo ekspozitë mund të arrijë në shoqëri.

“Është vetëm një nga mekanizmat që ne besojmë se do të ndihmojë në zbehjen e diskriminimit me të cilin ky komunitet ballafaqohet. Është shumë e rëndësishme që të kuptohet e kaluara, që ta kuptojmë të tanishmen”, ka thënë drejtori i organizatës që punoi për arritjen e këtyre fakteve deri në Kosovë.
Të gjitha këto të dhëna faktike janë mbledhur në Kosovë me ndihmën e Qendrës për Dokumentim të Holokaustit në Gjermani. Organizata “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve” ka arritur që nëpërmjet bashkëpunimit me institucionet gjermane ta hapë këtë ekspozitë.
“I jemi shumë mirënjohës Qendrës për Dokumentim të Holokaustit nga Gjermania, e cila prej vitit 1982 është duke punuar në mbledhjen e këtyre dokumenteve dhe informative që lidhen me Holokaustin. Me mbështetjen e Qeverisë Gjermane ne kemi arritur ta sjellim këtë ekspozitë në Kosovë”, ka thënë Skenderi. Ka folur edhe për përmbajtjen e saj.
“Në një anë ekspozita portretizon njerëz në gjendjen e jetesës së tyre që e kanë pasur në atë kohë, që të tregon se mënyra e jetesës së tyre nuk ka dalluar edhe aq shumë me jetën e qytetarëve të tjerë në shoqërinë e asaj kohe. Por, në anën tjetër, dokumenton edhe vuajtjet e tyre nëpër kampet e punës. Është një ekspozitë të cilën njeriu kur e viziton nuk mund të kënaqet, por gjithsesi është shumë e rëndësishme për ta parë”, ka thënë ai.
Në hapjen e kësaj ekspozite kryeministri i Kosovës ka treguar rreth punës që Qeveria po bën në inkuadrimin e denjë të këtyre pakicave në shoqërinë aktive në vend.
“Mes iniciativave të ndryshme kemi ndarë 500 bursa në vlerë prej 300 mijë eurosh për nxënës të shkollave të mesme këtyre komuniteteve. Kemi dhënë edhe 100 bursa shtesë për studentët e këtyre komuniteteve në universitetet publike. Ndërkaq kemi rekrutuar 100 praktikantë për 6 muaj praktikë në institucione publike, me prioritet për rininë e komuniteteve joshumicë. Dhe, bashkë me ‘Zërin e Romëve, Ashkalinjëve dhe Egjiptianëve’ dhe partnerët e tjerë kemi lansuar për herë të parë një platformë kombëtare ku mund të denoncohen rastet e diskriminimit”, ka thënë Kurti.

Drejtori i bordit të organizatës “Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve”, Bashkim Ibishi, ka thënë se romët mund të përfaqësojnë kulturën e tyre edhe në mënyra të tjera përtej kësaj ekspozite, e cila më tepër se për kulturë flet për shkatërrim.
“Romët kanë mundësi dhe eksponate kulturore dhe mund ta promovojnë kulturën e tyre edhe përtej kësaj ekspozite. Kështu që pjesë e planit tonë është që të tentojmë që në bashkëpunim me Komunën të krijojmë një koncept-dokument përmes të cilit do të kemi një qendër të resurseve kulturore rome”, ka thënë ai. Sipas tij, krejt çka u duhet për të bërë këtë të mundur është mbështetja.
“Ekspozita e Holokaustit” do të jetë e hapur tri javë.