Kulturë

“Zërat paralelë” si jehonë në “Kino Rini” me kujtime, gjurmë e dëshmi

“Parallel Voices” është titulli i librit e dokumentarit që ka thjesht subjekt – “Kino Rininë”. Me libër, “Shtatëmbëdhjetë” sjell kujtime, gjurmë e dëshmi, e njësoj bën edhe me dokumentarin, i cili qoftë për një ditë – të enjten – ia ka rikthyer kinemasë kaherë të braktisur frymën që kishte dikur. Me edicionin e katërt të “Metamorphosis” përplasen kontrastet, por ka një qëllim të qartë

Ka një histori të lavdishme – si e para kinema moderne në Prishtinë – që daton prej 1952-tës, pastaj një të trishtë, kur iu vu dryni, një tjetër po të tillë, kur u la në harresë e u shpërfytyrua. Realiteti është në mes. “Metamorphosis”, siç titullohet projekti i fondacionit “Shtatëmbëdhjetë”, i përplas këto kontraste. E ringjall së paku frymën e kinemasë. Qoftë vetëm për një ditë sikurse të enjten, kur me promovimin e librit “Kino Rinia – Parallel Voices” dhe premierën e dokumentarit “Kino Rinia” janë dokumentuar momentet e periudhës së artë të kinemasë dhe shkatërrimi i saj. Ato kanë shërbyer si pasqyrë për të kaluarën dhe të tashmen e objektit që është kryefjalë e edicionit të katërt të “Metamorphosis” që, mbi të gjitha, ka për qëllim t’i riaktivizojë hapësirat e braktisura.

Objekti të cilit iu vu dryni që nga lufta, mesditën e së enjtes është vërshuar prej njerëzve. Posterët, që dikur hijeshonin korridorin e saj, janë rikthyer e pjesa ballore e sallës kryesore është veshur me pamjet e projektuara të një projekti filmik. Kësaj here, kopje libri në vend të biletave janë renditur në tavolinën në hyrje të kinemasë së dikurshme. Bisedat aty ngjajnë në entuziazmin e zakonshëm para shfaqjeve të filmave derisa zënë vend në ulëset e shtuara në hapësirën krejt boshe. Pas pak çastesh, edhe muri me fasadën e rrjepur vishet me pamjet filmike. Janë elemente që objektit krejt të ftohtë i ia veshin atmosferën e gjallë dhe e bëjnë kuptimplotë funksionin e saj.

Pamjet e kinemasë së dikurshme me 700 ulëse dhe ato të gjendjes së sotme gërshetohen veç brenda filmit të shkurtër dokumentar. Janë kontraste ekstreme. E për t’i zbërthyer ato nuk duhen më shumë se 12 minuta sa zgjat dokumentari, me autor Gazmend Bajrin. Aty dokumentohet se para hyrjes së saj zinte vend një kioskë ku publiku vargohej për bileta. Edhe rrëfimtarët që avokojnë kujtime në dokumentar, kinemanë e kujtojnë të mbushur plot dhe si sallë të bardhë. Vijon rrëfimi poetik për “Kino Rininë” dhe ideja se gjeneratat e reja nuk ia kanë idenë as se ku gjendet. Materialet prezantojnë rolin kulturor, historik dhe shoqëror të “Kino Rinisë” përgjatë periudhës mbi 70-vjeçare. Imazhet e vjetra rrëfejnë mbi të kaluarën jo shumë të largët, por pak të dokumentuar, derisa të rejat – dëshmi e neglizhencës dhe shkatërrimit të vlerave kulturore e historike. Në fakt procesi i hulumtimit për përgatitjen e librit “Kino Rinia – Parallel Voices”, (Kino Rinia – Zërat paralelë) që zgjati tre vjet, ishte bërë shkas për nisjen e një tjetër projekti në versionin audiovizual. Libri, një botim unik i konceptuar e i realizuar mjeshtërisht, ngërthen më vete tekste që sjellin pjesë të historisë dhe të kaluarën e kinemasë, vlerat e saj arkitekturore, historike e kulturore. Redaktuar prej Erëmirë Krasniqit, sjell këndvështrime të ndryshme nëpërmjet shkrimeve të Tevfik Radës dhe Bengi Muzbegut, Arbër Sadikit, Sihana Klisuricës, Shaban Maxharrajt e Rina Gecit. Libri ilustrohet me fotografi që dokumentojnë gjendjen e tanishme dhe të intervenimit artistik “Zërat Paralelë” të Maksut Vezgishit, që kishte zënë vend në shtator të vitit 2021, sikurse edhe me foto arkivore, faksimile gazetash e skica. Në libër bëhet e ditur se intervenimin artistik e kishin nxitur “gjendja e ‘shurdhët’ dhe e ‘errët’” ndaj objektit të dikurshëm që ishte kinema. E pamjet e performancës janë përfshirë edhe në dokumentar. Autorët Artrit Bytyçi, Doruntina Basha e Fjolla Hoxha kishin thurur vargje e minidramë për kinemanë.

Image
Përurimi i librit “Parallel Voices – Kino Rinia”, aty ku diku ishte ekrani i madh i “Kino Rinisë”, është bërë me panelin e udhëhequr prej Vullnet Sanajës nga “Anibari” me Sihana Klisuricën e “Shtatëmbëdhjetë” dhe gazetarin e KOHË-s, Shaban Maxharraj

“Duke riaktivizuar hapësirat e trashëgimisë, ne nuk po rivendosim, por po ripërtërijmë marrëdhënien tonë me të kaluarën. Riaktivizimi nuk është kurrë një akt neutral, sepse në çdo hapësirë me veti ne sjellim përvojat dhe perspektivat tona individuale. Këto hapësira mbajnë gjurmët tona”, ka shkruar Krasniqi në hyrje të librit.

Në panelin e diskutimit hulumtuesja dhe autorja kontribuuese, Sihana Klisurica dhe autori kontribuues Shaban Maxharraj kanë ndarë përvojat e tyre gjatë procesit hulumtues për përgatitjen e materialit për librin. Klisurica ka thënë se materiali përmban përmbledhje të përgjithshme të rrëfimeve të individëve të ndryshëm që kanë pasur përvoja të ndryshme në lidhje me “Kino Rininë”. E ka konsideruar si sfidë procesin e hulumtimit në projekte të tilla, por që ai për kinemanë ka qenë krejt i kundërt.

“Procesi më i vështirë për të trajtuar çështje të caktuara është gjetja e materialeve. Me gjithë vështirësitë e viteve të kaluara, me ‘Kino Rininë’ ka qenë e kundërta, ka pasur shumë material. Ndoshta jo aq material arkivor sa ka pasur rrëfime të personave për shkak të historisë së saj. ‘Kino Rinia’ në shkurt të këtij viti ka bërë 71 vjet, kaq vjet rrëfime, histori dhe kujtime të shumta, të bukura, varësisht prej periudhave historike, dekadave”, është shprehur Klisurica e fondacioni “Shtatëmbëdhjetë”. “Metamorfozë” është projekt i zbatuar nga fondacioni “Shtatëmbëdhjetë” që ka për synim të vërë në dialog artin dhe kulturën me qëllim diskutimin e rëndësisë së shfrytëzimit të hapësirave publike. Gjithashtu synon të shpalosë fuqinë e kujtesës kolektive për të formësuar hapësira të reja urbane dhe të theksojë të drejtën mbi qytetin. Kishte filluar në vitin 2018, në lagjen “Pejton”, ku kishte për qëllim të rikthente vëmendjen në mensën “Ramiz Sadiku”, më pas në lagjen “Kodra e Trimave” në objektin e ish-restorantit “Marsi”, për të vijuar më tej në pjesën e vjetër të kryeqytetit, në objektin e braktisur të Kryqit të Kuq.

Image
: Objekti të cilit iu vu dryni që nga lufta, mesditën e së enjtes është vërshuar prej njerëzve. Posterët, që dikur hijeshonin korridorin e saj, janë rikthyer e pjesa ballore e sallës kryesore është veshur me pamjet e projektuara të një projekti filmik
Image

“’Kino Rinia’ përballë qasjes institucionale” është titulli i tekstit të Shaban Maxharrajt, gazetar i KOHËS. Ka shpjeguar qasjen e shtetit ndaj kësaj kinemaje prej pasluftës deri sot. Ka treguar për funksionet që kishte dhe nismat institucionale e të shoqërisë civile për ruajtjen e ndërtesës.

“Mjafton ta shohim si është sot gjendja e ‘Kino Rinisë’ dhe e kuptojmë se cila ishte qasja ndaj këtij objekti”, ka thënë Maxharraj.

Panelin e ka moderuar Vullnet Sanaja, drejtor i organizatës “Anibar”. Para të pranishmëve ka përmendur “betejën” për mosprivatizim të kinemasë “Jusuf Gërvalla” në Pejë, “Lumbardhin” në Prizren e “Kino Armatën” në Prishtinë. I ka çmuar tentativat për ta bërë funksional “Kino Rininë”.

“Prodhimtaria e sotme kulturore dhe krejt aktivizmi kulturor që është duke u bërë sot është trashëgimia kulturore e së ardhmes. Kështu që, dua ta përgëzoj fondacionin ‘Shtatëmbëdhjetë’ për kujdesin e veçantë që ia kanë ndarë ndërtimit të një të ardhmeje kulturore të ndritshme duke pasur respekt për të kaluarën”, është shprehur Sanaja nga skena e kinemasë.

Image
Drejtoresha e “Shtatëmbëdhjetë”, Nita Zeqiri, ka treguar se kishin filluar të organizoheshin qysh prej kur hapësira e sallës kryesore ishte shpallur për shfrytëzim nga bizneset

Drejtoresha e “Shtatëmbëdhjetë”, Nita Zeqiri, ka treguar se kishin filluar të organizoheshin qysh prej kur hapësira e sallës kryesore ishte shpallur për shfrytëzim nga bizneset.

“Kur filluam të punojmë në objektin e ‘Kino Rinisë’, ky objekt ishte nën menaxhimin e Agjencisë Kosovar të Privatizimit, ku pos hapësirave të braktisura, sikur kjo, disa të tjera ishin duke u shfrytëzuar edhe prej bizneseve private. Hapësira e sallës kryesore, ku jemi edhe sot, ishte shpallur për shfrytëzim me oferta në verën e vitit 2020, ku nga ai moment filluam të organizohemi duke ftuar edhe organizata të ndryshme kulturore që të bashkoheshin me ne në procesin e avokimit për ruajtjen dhe mostjetërsimin në një tjetër ndërmarrje”, ka thënë Zeqiri, duke njoftuar se në këtë proces ishin bashkuar edhe Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Ministria e Kulturës.

“Shtatëmbëdhjetë” kishte tentuar t’i kthente sytë nga “Kino Rinia” edhe më parë, kur në dhjetor të vitit 2020 e kishte zgjedhur si lokacion për realizimin e ekspozitës “Given” me artistë lokalë e të rajonit.

Në tetor të vitit 2021, “Kino Rinia” u fut në listën e monumenteve për mbrojtje të përkohshme. Prej korrikut të vitit të kaluar menaxhohet nga Komuna e Prishtinës.

Image
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se duhet të identifikohen elementet që duhet të mbrohen dhe të ndryshohen për ta zhvilluar “Kino Rininë” për nga aspekti filmik

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se duhet të identifikohen elementet që duhet të mbrohen dhe të ndryshohen për ta zhvilluar atë për nga aspekti filmik. ”Duhet të jemi të ndjeshëm pasi që njihet si objekt që reprezanton institucionin e filmit. Vetëm t’i shohim muret e kësaj hapësire, në një mënyrë e kanë shpirtin e kryeqytetit, i kanë shtresat e ndryshme, të cilat kanë qenë pjesë e kësaj ndërtese në kohëra të ndryshme. Përveç kësaj, në aspektin material që e shohim këtu janë edhe memoriet tona kolektive. Shumicës prej jush, edhe mua, më kujtohen kohërat kur kam ardhur ta shihja filmin e parë në kinema”, është shprehur kryetari Rama derisa ka evokuar kujtimet e tij në kinema para të pranishmëve.

“Kino Rinia” e dikurshme ishte ringjallur me bienalen nomade “Manifesta 14” në Prishtinë, synim i së cilës për këtë edicion ishte rikthimi i hapësirave të braktisura te publiku. Ishte një prej 25 lokacioneve të Bienales. “Sometimes It Was Beautiful” qe titulli i veprës së artistit Christian Nyampeta, që po shfaqej aty.

Pas hapjes më 5 shkurt 1952, në vitet’60 ishte djegur e rregulluar sërish. Komuna e Prishtinës e kishte shpronësuar atë hapësirë me qëllim që ta bënte kinemanë. Kinemaja, dikur me rreth 700 ulëse, do të funksiononte si kinema edhe gjatë viteve ‘90, e menaxhuar nga serbët. Pas luftës të kota qenë tentativat për ta rikthyer si kinema nën emrin “Kinema ABC 2”, menaxhuar prej kompanisë për shfaqjen dhe distribuimin e filmit “Genci”, e cila në majin e vitit 2000 riktheu edhe kinemanë e dikurshme “Vllaznimi” me emrin “Kinemaja ABC”, në rrugën “Rexhep Luci”. Prej vitit 2005, ish-objektin e “Kino Rinisë”, “Genci” do të niste ta jepte me qira. Për një kohë qe gjykatë, më pas klub nate e lojërash fati. Tash fati i këtij objekti mbetet në dorë të autoriteteve lokale dhe “Zërat paralelë” jehon si thirrje për t’ia kthyer shkëlqimin “Kino Rinisë” së dikurshme.

Image
Në panelin e diskutimit hulumtuesja dhe autorja kontribuuese, Sihana Klisurica dhe autori kontribuues Shaban Maxharraj kanë ndarë përvojat e tyre gjatë procesit hulumtues për përgatitjen e materialit për librin. Klisurica ka thënë se materiali përmban përmbledhje të përgjithshme të rrëfimeve të individëve të ndryshëm që kanë pasur përvoja të ndryshme në lidhje me “Kino Rininë”