Se festa e 15-vjetorit të Pavarësisë tashmë ka nisur, është dëshmuar me koncertin e organizuar nga Opera e Kosovës, e cila ka bashkuar këngëtarë e muzikantë nga të gjitha trojet shqiptare. Perlat e muzikës shqipe kanë qenë repertori i koncertit, e nëpërmjet tyre janë shkrirë kufijtë midis shqiptarëve. Mjeshtëria e secilit, është rrëfim më vete
Solistë shqiptarë nga të gjitha trevat shqiptare janë bërë bashkë në Prishtinë për të festuar 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Koncerti i organizuar të enjten mbrëma nga Opera e Kosovës me perlat shqiptare në versionin klasik, i ka shkuar frymës së festës në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në kryeqytet.
Publiku ka qenë entuziast për koncertin nëpërmjet të cilit ka sjellë tisin festiv, më shumë se një javë para shënimit të përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Nga një tingull ka jehuar aty-këtu si test i violinistëve para nisjes së shpalosjes së programit. Tingujt e violinës kanë qenë të parët që kanë hapur koncertin. Me të nisur interpretimin, secili tingull e thellon bindjen se po luhej instrumentali i këngës “Luleborë” të Simon Gjonit nga violinistët Gentian dhe Shkodran Aliu. Dyshja ka interpretuar edhe të famshmen “Baresha” të Rexho Mulliqit. Ka qenë një ndërrim atmosfere dhe publiku ka nisur të reagojë edhe më.
Baritoni Jetmir Rexhepi e ka bërë të veçantë interpretimin e këngës “Hej ju male” duke luajtur me intonacione zëri derisa sopranoja Zana Abazi-Ramadani ka sjellë plot emocion me këngën “Kopshti i Dashurisë” të Rauf Dhomit. Është kthyer në skenë në interpretim të këngës “N’jat zaman t’asaj furie” të Çesk Zadesë.
Sopranoja e skenës së Teatrit të Operës e Baletit në Tiranë e atij në Sofje, Ramona Tullumani ka sjellë rolin e Aries nga “Aria e Nastës” të Avni Mulës. Bashkë me tenorin Liridon Sadriu kanë sjellë duetin “Mrika dhe Doda” të kompozitorit Prenk Jakova. Publiku priti me entuziazëm secilin interpretim dhe kjo sipas Tullumanit është arsyeja pse publiku shqiptar është më i dashur për të.
“E them se publikun shqiptar nuk e zëvendësoj me asnjë tjetër dhe kjo është arsyeja pse nuk e lë Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë. Pavarësisht se punoj edhe në Operën e Sofjes, më i dashur për mua mbetet publiku shqiptar, por do doja të ofrohesha edhe me publikun e Prishtinës. Më pëlqen fakti që jeni të etur për art, e doni shumë Operën, koncertet, gjë që ne jemi ngopur me kalimin e viteve ndoshta”, ka thënë Tullumani.
Sopranoja Besarta Murtezani është bashkuar në skenë në interpretimin solo të këngës “Agimet shqiptare” të Avni Mulës, e bashkë me baritonin Jetmir Rexhepi kanë sjellë melodi harmonike me këngën “Lumja unë për ty” të Zef Lekajt.
Vargjet e “Fjalëve të qiririt” kompozuar prej Vangjo Novas dhe të elegjisë për Luigj Gurakuqin të Limoz Dizdarit kanë shpalosur emocionet e me ulje-ngritjet e zërit nga baritoni Sokol Hidersha. Kjo edhe e ka bërë të veçantë interpretimin e baritonëve, emocionet kanë qenë më të theksuara në lojë me vokalin.
Për Hidreshën, koncerti me këngëtarë nga trojet shqiptare është bashkim kulturor.
“Ne jemi të gjithë të përbashkët, nuk ka ndarje, edhe të Maqedonisë kanë po të njëjtën shkollë si tonën dhe këndojnë po të njëjtat romanca shqiptare. Po, na vjen mirë që ne bashkohemi. Bashkohemi kur bota na ka copëtuar, por bashkohemi me kulturën tonë, me atë që kompozitorët tanë kanë arritur ta ngrenë në piedestal”, është shprehur baritoni shqiptar, Hidersha.
Në kuadër të programit të koncertit festiv për 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës janë interpretuar edhe “Un’ biri yt Kosovë” e Feim Ibrahimit nga Liridon Sadriu, “Për ty atdhe” e Pjetër Gacit nga baritoni Denik Prizreni ndërsa Gjylije Pelingu nga Ulqini ka interpretuar “Margjelo” të Tish Daisë. Bashkë me Denik Prizrenin kanë interpretuar edhe këngën “Kur perëndon dielli” të Leonard Dedës.
Krejt në fund, “Valsi i lumturisë” i Avni Mulës ka bashkuar të gjithë solistët në skenë bashkë me melodinë e violinave.
Sopranoja Ramona Tullumani dhe baritoni Sokol Hidersha e kanë kthyer atë për një kohë të shkurtër në skenë valsi.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi, ka paralajmëruar se koncerti i njëjtë po planifikohet të mbahet së shpejti edhe në Gjakovë. Sipas tij, mbrëmja e së enjtes ka qenë e magjishme dhe si hap drejt thellimit të bashkëpunimit mes dy shteteve.
“Mendoj se ka mundësi dhe hapësirë që koncerte të tilla të kemi edhe më tepër sepse i ndikon shumë përafrimit të vlerave të përbashkëta që kemi ne në muzikë, pavarësisht trevave”, ka thënë ambasadori Minxhozi.
Po të enjten, për nder të 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Opera e Kosovës kishte organizuar edhe promovimin e librit të baritonit shqiptar Ramiz Kovaçi. Koncerti i së enjtes ka qenë i dyti me radhë për Operën, prej se u themelua dy vjet më parë. Në dhjetorin e kaluar solli operën “La Traviata” të Giuseppe Verdit.
“E patëm nderin dhe kënaqësinë që të fillojmë ne si institucion i ri krahas institucioneve të tjera. Ishte me pjesëmarrjen e solistëve nga gjithë trevat shqiptare, ajo që edhe e bëri më të ndritshme dhe më interesante festimin e kësaj feste”, ka thënë zëvendësuesi i drejtorit të Operës, Meriton Ferizi.
Koncerti u zhvillua në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë. Organizatorët e Operës së Kosovës kanë njoftuar se ngjarja e radhës do të jetë inskenimi i operës “Goca e Kaçanikut” të kompozitorit Rauf Dhomi.
{gallery}