Festivali i Filmit në Sarajevë – si më i madhi eveniment i botës kinematografike në Evropën Juglindore – është bërë logu ku kineastët nga Kosova po laureohen me çmime. Duke përsëdytur suksesin e vitit të kaluar, “Zemrën e Sarajevës për aktoren më të mirë” e kanë rrëmbyer tri aktore: Flaka Latifi, Era Balaj dhe Uratë Shabani, që ishin pjesë e kastit të filmit “Luaneshat e Kodrës”, nën regjinë e Luana Bajramit. Me përmendje të veçantë nga juritë e festivalit kanë kaluar edhe dy filmat e tjerë “Në kërkim të Venerës,” nën regjinë e Norika Sefës dhe “Pa Vend”, nën regjinë e Samir Karahodës. Kështu, tre filmat nga Kosova, që ishin përzgjedhur në mesin e 683 aplikimeve nga mbarë bota, e kanë imponuar vendin tonë si potencial kinematografik
“Vala e re” e kinemasë së Kosovës e ka vulosur namin edhe me një tjetër triumf. Tri prodhimet kineaste të Kosovës që kanë marrë pjesë në konkurrencë zyrtare të Festivalit të Filmit në Sarajevë – “Luaneshat e kodrës”, “Në kërkim të Venerës” dhe “Pa Vend” – ia kanë dalë të shkëpusin ndër çmimet kryesore të evenimentit të njohur të filmit.
Aktoret Flaka Latifi, Era Balaj dhe Uratë Shabani – që janë pjesë e kastit të filmit “Luaneshat e kodrës”, nën regjinë e Luana Bajramit - kanë fituar çmimin “Zemra e Sarajevës për aktoren më të mirë”.
Lajmi është afishuar në orët e vona të së enjtes në faqen zyrtare të Festivalit të Filmit në Sarajevë (SFF).
Ky ka qenë vlerësimi i jurisë së kryesuar nga aktorja Jasna Gjuriçiq e në përbërje të së cilës ishin edhe Mike Cahill (regjisor dhe skenarist), Lili Horvát (regjisore dhe skenariste), Eva Sangiorgi (drejtoreshë artistike e Viennales), si dhe Martin Schweighofer (drejtor ekzekutiv i Austrian Film Comission).
Ky film, aktoret e së cilit bashkë me çmimin u shpërblyen me një çek prej 2500 eurosh, tok me filmin e Norika Sefës “Në kërkim të Venerës”, ishte në garën për filmin artistik ku ishin të përfshirë prodhime kineaste nga Serbia, Mali i Zi, Hungaria, Britania e Madhe, Gjeorgjia, Austria, Gjermania, Kroacia, ShBA-ja, Greqia, Franca, etj.
Nën regji të Luana Bajramit, “Luaneshat e kodrës” sjell rrëfimin e gjallë e freskues për një treshe vajzash që shndërrohen në një bandë hajdutesh për t’i shpëtuar fatit të paracaktuar. “Luaneshat e kodrës” është bashkëprodhim i Kosovës me Francën, me producente Valbona Rrahmanin dhe bashkëproducentin Pascal Judelewiczin. Në “Director's Fortnight” përveç filmit të regjisores kosovare janë edhe 23 filma të tjerë. Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe prodhuar nga “OrëZanë Films” (Kosovë), “Vents Contraires” (Francë) dhe “Acajou Productions” (Francë).
Fati i ka buzëqeshur edhe filmit “Në kërkim të Venerës”, nën regjinë e Norika Sefës, i cili ka fituar çmimin “Përmendje speciale për barazi gjinore”.
Juria në përbërje të Teresa Cavina, Ognjen Glavoniq dhe Lorna Tee ia kanë akorduar filmit nga Kosova çmimin në vlerë prej 7 mijë eurosh që sponsorizohet nga Mastercard.
Me regji dhe skenar të Norika Sefës, filmi i metrazhit të gjatë “Në kërkim të Venerës” qendërzohet rreth tinejxheres fjalëpakë Venera, e cila jeton në një qytezë në Kosovë. Drama ndjek përplasjet mes tre brezave në shtëpinë e saj që nuk i ofron dot kurrfarë privatësie.
“Ne morëm një tjetër shpërblim! Kaq krenarë e të lumtur! Faleminderit Festivalit të Filmit në Sarajevë! Faleminderit Norika Sefës që bëri një film të madh si ky! Faleminderit kastit dhe stafit që bëri një punë të mrekullueshme si kjo!”, ka shkruar në Facebook, Besnik Krapi, bashkëproducent i këtij filmi.

Në programin garues të filmit të shkurtër, “Pa Vend”, nën regjinë e Samir Karahodës, ka fituar çmimin “Special Jury Mention”. Kështu, juria e përbërë nga Stefan Ivançiq, Hella Wenders dhe Sara Luna Zoriq ia kanë shtuar edhe një trofe filmit të metrazhit të shkurtër, i cili pati një debutim të shënueshëm në Festivalin e Cannes. Sado që nga aty nuk e mori “Palmën e Artë” në konkurrencë me nëntë filma të tjerë në kategorinë e filmave të shkurtër, filmi nga Kosova, megjithatë, është zgjedhur si kandidati i Festivalit të Cannes për “European Film Awards”.
Në ueb-sajtin zyrtar të SFF-së, ku janë afishuar çmimet fillimisht “Pa vend” dhe “Në kërkim të Venerës”, ishin paraqitur si prodhime kineaste të Shqipërisë. Kjo bëri që aktori i njohur shqiptar, i cili jeton në Sarajevë, Alban Ukaj, të reagojë në rrjete sociale. Më pas organizatorët e Festivalit që të dy filmat i paraqitën si të Kosovës me mbishkrimin “Kosovo”.
Kah mesi i korrikut, kur veç ishin publikuar emrat e filmave debutues në kategoritë zyrtare, prania e filmave “Në kërkim të Venerës”, “Luaneshat e Kodrës” dhe “Pa vend” ishin vlerësuar si një prani e madhe e filmbërësve nga Kosova. Ata kishin arritur të hyjnë në totalin prej 47 filmave nga 683 aplikime nga mbarë bota.
Përndryshe, në edicionin e vjetshëm të këtij festivali “Zemra e Sarajevës” iu akordua për herë të parë një kineasti nga Kosova. Sipas jurisë, filmi “Exil”, nën regjinë e Visar Morinës u shpall fitues i çmimit kryesor që bashkëfinancohet edhe nga Asociacioni i Turizmit në kantonin e Sarajevës.
Por “Exil” nuk ishte i vetmi: në garën kryesore, atë të filmit më të mirë, debutoi regjisorja More Raça me filmin e metrazhit të gjatë “Galaktika e Andromedës”; filmi “Vera andrron detin” nën regji të Kaltrina Krasniqit në programin “Cinelink – Work in Progress”, si dhe filmi i Antoneta Kastratit “Zana” në programin jogarues “In Focus”.
Përndryshe, Festivali i Filmit në Sarajevë cilësohet si eveniment më i madh i filmit në Evropën Juglindore dhe një prej më të mëdhenjve në Evropë. Historia e tij nisi më 1995, pikërisht kur Sarajeva mbahej e rrethuar nga forcat ushtarake serbe.
Edhe në një situatë të rëndë lufte, edicioni i parë me filma nga 15 vende të botës ishte përcjellë nga 15 mijë njerëz. Festivali tash zë vend në Teatrin Kombëtar të Sarajevës, përballë të cilit ndodhet sheshi i festivalit ku shtrohet tepihu i kuq. Shfaqjet e filmave mbahen në “Metalac”, Qendrën Kulturore Boshnjake, si dhe në pesë kinema të tjera dhe lokacione projeksioni gjithandej kryeqytetit. Në tepihun e kuq të Festivalit të Sarajevës kanë parakaluar edhe yje të njohur të botës së filmit si: Angelina Jolie, Brad Pitt, Robert de Niro, Orlando Bloom, Morgan Freeman, Gerard Depardieu, Benicio del Toro, etj.