Kulturë

Zbulohet piktura e panjohur e Raffaellos e vitit 1504

Një pikturë e panjohur deri tash e rilindësit italian Raffaello Santi, e cila paraqet Maria Magdalenën, është gjetur së fundmi, kanë njoftuar ekspertët në një konferencë ndërkombëtare në Pergola, qytet në provincën qendrore italiane të Pesaros dhe Urbinos.

Agjencia italiane e lajmeve “Ansa” ka raportuar se bëhet fjalë për një vepër arti për të cilën ka qenë model Chiara Fancelli, e që është pikturuar në një panel plepi me dimensionet 46 me 34 centimetra. Daton në vitin 1504.

Është në pronësi të një koleksionisti privat dhe ekspertët vlerësojnë se është autentike e Raffaellos.

Një version i këtij portreti të Maria Magdalenës është pikturuar nga piktori Perugino, mësuesi i Raffaellos (1483 – 1520), por gjetjet e reja dëshmojnë se portreti i sapozbuluar i tij është edhe më i vjetër sesa ai i pikturuar nga mësuesi i tij.

Versioni i Raffaellos konsiderohet stilistikisht dhe teknikisht më superior dhe mund të vërehen ndikime të ndjeshme prej Leonardo da Vinçit.

Nënvizohet se përdorimi i përmasave në portret dëshmon se Raffaello “më në fund e gjeti gjuhën e tij” dhe e tejkaloi mësuesin.

Lajmin për zbulimin e pikturës së re e kanë bërë të ditur ekspertët gjatë konferencës “Vizioni i përsosmërisë së Raffaello Santi”, përpara publikimit të një studimi mbi kontributin e tij në art, i cili do të titullohet: “Magdalena e Raffaellos, kur nxënësi ta kalojë mësuesin”.