Kulturë

Zbulimet e reja te “Mozaiku” nxisin projektin për muze në qiell të hapur

Me thesaret që strehon mbi tokë e nën tokë, si mozaikë, mbetje të një bazilike ilire paleokristiane, mure vilash e enë qeramike, “Mozaiku i Tiranës” bart epitetin e simbolit të trashëgimisë kulturore të kryeqytetit shqiptar. Së fundmi, kërkimet arkeologjike kanë nxjerrë në dritë vazhdimin e mureve të mjediseve të vilës romake, ku bëhej fermentimi i verës, sikundër edhe një kanal për largimin e ujërave

Për arkeologët e studiuesit ai njihet si “Mozaiku i Tiranës”, i vetmi monument arkeologjik brenda territorit të kryeqytetit shqiptar, por shumica as nuk kanë dijeni për ekzistencën e tij. E, megjithatë, të hënën nga nëntoka e tij kërkimet arkeologjike kanë nxjerrë në dritë vazhdimin e strukturave të ndërtimit të këtij siti arkeologjik paleokristian.

Lajmi është bërë i ditur të dielën nga arkitekti i njohur tiranas, Artan Shkreli, me rastin e Ditës Botërore të Monumenteve.

“Falënderoj në mënyrë të veçantë Olsi Plasen që mori në konsideratë sugjerimin që i dhashë për të kërkuar gërmimin e domosdoshëm në zonën trekëndore (jashtë rrethimit), zonë e cila çuditërisht ishte neglizhuar prej 50 vjetësh”, ka shkruar Shkreli në llogarinë e tij në “Facebook”.

E të hënën, gjatë ditës, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka bërë një inspektim në zonën e vetme arkeologjike të Tiranës.

Gjatë vizitës ajo ka folur edhe për projektin ambicioz, siç e ka quajtur ajo, kthimin e kësaj zone në një muze në qiell të hapur.
“Ideja është që të bëjmë jo vetëm një hapësirë për zyrat ku janë aktualisht të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, por ta bëjmë të dukshëm edhe mozaikun”, ka thënë Margariti, e cila në këtë vizitë ishte e shoqëruar edhe nga Etilda Gjonaj, kryesuese e listës së PS-së për Tiranën.

Gjithnjë sipas saj, projekti parasheh një hapësirë për komunitet “me identitet të fortë e që përcillet në gjithë Tiranën”.

“Sot ‘Mozaiku’ është zonë arkeologjike në mes të Tiranës, shumë pak e vizituar dhe pa të ardhura”, ka thënë Margariti teksa ka shtuar se synohet të bëhet një muze arkeologjik në qiell të hapur.

Ndërkohë në faqen e saj zyrtare në “Facebook” ajo ka bërë të ditur se, me kërkesën e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Tiranë dhe pas miratimit të projektit, kanë nisur sondazhet arkeologjike në dy trase përreth zonës së “Mozaikut”, në anën perëndimore të tij.

“Si rezultat i gërmimeve kanë dalë në dritë vazhdimi i mureve të ambienteve ndihmëse të vilës romake (fundi i shek. III- fillimi i shek. IV), që përdoreshin për fermentimin e verës, e bashkë me të edhe një kanal i largimit të ujërave. Të tjera gërmime pritet të kryhen në anën jugore”, ka shkruar Margariti.

Bëhet e ditur se pas hartimit të raportit të rezultateve të dala nga këto kërkime, rasti do të shqyrtohet në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, ku do të vendoset nëse do të bëhen gërmime të mëtejshme arkeologjike.

Në të vërtetë, në tetor të vitit të kaluar mozaikët me motive gjeometrike e floerale ngjanin si të rilindur, pasi iu kishin nënshtruar një restaurimi njëmujor. Ndërhyrja ishte bërë për stabilizimin e gjendjes fizike të tre mozaikëve, minimizimin e patologjive të degradimit, si dhe përmirësimin e imazhit të tyre estetik.

Në këtë sit, të konsideruar si simbol i trashëgimisë kulturore të kryeqytetit, ishte mbajtur edhe punëtoria e quajtur “Atelieja e restaurimit”. Kjo i kishte hapur rrugë projektit që kjo hapësirë të funksionalizohet në dobi të publikut.

Siti arkeologjik – i njohur konvencionalisht si “Mozaiku i Tiranës” – doli në dritë më 1972 gjatë punimeve për ndërtimin e pallateve të bllokut “Partizani” në Lagjen nr. 9 të Tiranës. Gjatë gërmimeve në ato që u identifikuan si mbijetojat e një ndërtese antike, arkeologët e kohës zbuluan se mjediset ishin të shtruara me mozaikë, por edhe u konstatuan gjurmët e një bazilike paleokristiane. Sipas informacioneve të afishuara në faqen e Institutit të Monumenteve të Kulturës, pjesët e mureve, fragmentet e tullave, copëzat e enëve qeramike dhe mozaiku datojnë nga shekulli i parë i erës sonë si një banesë e tipit rural (“vila rustica”).

Po sipas arkeologëve, dy shekuj më vonë, ky vendbanim u “zëvendësua” prej një kompleksi ndërtesash me funksione banimi dhe prodhimi. Pjesa e gërmuar e monumentit u rrethua dhe u mor në mbrojtje nga Instituti i Monumenteve të Kulturës (IMK) në vitin 1973.

Gjatë viteve 2003-2004, punimet e sistemimit të rrugëve dhe instalimeve të ndryshme të bllokut “Partizani” zbuluan pranë rrethimit të monumentit pjesë të tjera të kompleksit. Më kryesoret këtu ishin vaskat e fermentimit të mushtit të rrushit, por edhe pjesë të tjera muresh në dy pika të ndryshme.

Në ambientet e “Mozaikut të Tiranës” është vendosur edhe administrata e “Sektorit të Tiranës”, në varësi të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës, që merret me përkujdesjen dhe monitorimin e monumenteve të kulturës në territorin e Qarkut Tiranë.

Mozaiku u rihap për publikun në janar 2010. Vendndodhja e tij është pranë “Sheshit Zogu i Zi” dhe vetëm pak minuta larg nga aty, përbri rrugës “Sandër Prosi”.