Një “shtëpi e vogël” është gjetur gjatë gërmimeve në kantierin e ndërtimit në pjesën qendrore të lokalitetit arkeologjik të Pompeit (Insula dei casti Amanti), kanë njoftuar nga Parku Arkeologjik i Pompeit. Një vepër interesante e artit u gjet brenda asaj shtëpie.
Një nga veçoritë e saj është, për shembull, mungesa e një atriumi tradicional. Shtëpitë në Pompei zakonisht përfshijnë atriume a streha të hapura me pellgje për të mbledhur ujin e shiut. Mungesa e një atriumi të tillë lidhet me ndryshimet e stilit në arkitekturë. Duke qenë se nuk kishte më nevojë për atriume, të cilat përdoreshin si dhoma pritjeje për ekspozimin e portreteve dhe trofeve, ato u zëvendësuan nga salla dhe oborre, shkruan “The Independent”.
Por më mbresëlënës është arti në mur, i cili përfshin një afresk të ruajtur mirë në pjesën e pasme të shtëpisë, që përshkruan mitin tragjik të Hipolitit dhe Fedrës. Pranë këtij imazhi dallohen edhe motive kafshësh dhe aso bimore, të cilat ishin pikturuar në një altar të zbukuruar me imazhin e një zogu grabitqar që mbante një degë palme dhe dy gjarpërinj. Në mure të tjera përshkruhen skena nga mite të tjera. Njëra besohet se paraqet Venusin dhe Adonisin, një tjetër ngjall mitin grek të njohur si Gjykimi i Parisit, dhe ka gjithashtu përqafimin e një hermafroditi dhe një nimfe.
Arkeologët gjetën gjithashtu shenja ritesh nga viti 79 para Erës Sonë, kur një shpërthim vullkanik la të vdekur së paku dy mijë veta në Pompei dhe rrethinë. Një studim i vitit 2021 konstatoi se banorët e qytetit antik vdiqën prej lavës brenda vetëm pesëmbëdhjetë minutash.
Sipas autoriteteve të Parkut, janë gjetur, po ashtu, edhe temjanica, kupë metali me tre zinxhirë për djegien e temjanit, mbetje fiku të thatë dhe ekstrakte aromash dhe, ndër të tjera, një thikë prej hekuri në pjesën e përparme të bazës së mermertë të altarit.
Arkeologët po punojnë në disa dhoma, e pjesë të kantierit ndërtimor janë të hapura për publikun.