Një koncert krejt joformal, në formatin e “jam sassionit” ofron mundësinë për të ndier se çfarë ndodh nëpër garazhe a shtëpi, larg syve të publikut, kur bëhen tok një grup instrumentistësh e adhuruesish të muzikës së mirë. Aty muzikantët komunikojnë nëpërmjet gjuhës së tyre, dëshmohet dashuria për të. “Zanë Xhuli & Friends” në “Project Space” ka ardhur në këtë frymë. Zanë Xhuli në saksofon ka mirëpritur në skenë miqtë e saj, të cilët kur “lodhen” në njërin instrument rrokin tjetrin. Dhe muzika nuk ndalet
Rock n’rolli si bazë dhe saksofoni kanë qenë një lloj konstanteje në mbrëmjen muzikore me personazhe kryesore Zanë Xhulin shoqëruar prej komunitetit “Giga Gagi” në hapësirën e “Project Space 17”. Në hapësirën komode krejt afër me publikun saksofonistja ka mirëpritur në skenë miqtë e saj muzikantë në “jam sassion” dhe muzika ka qenë komunikimi i tyre për nja tri orë. Xhuli qe e vetmja që krejt kohën sa zgjati koncerti bashkë me saksofonin e saj nuk u ndërrua me askënd. Të tjerët ndërroheshin dhe ajo mbetej nikoqirja e muzikdashësve.
E enjtja mbrëma bëri që shumë të rinj edhe të argëtonin të tjerët e edhe të argëtoheshin vetë. Në skenë është dëshmuar dashuria për muzikën, instrumentet, performancen. Pa formalitete, edhe shpalosja e programit ka qenë krejt joformale. Muzikantët e kanë përpiluar aty për aty dhe kjo ka qenë veçantia e mbrëmjes. Publik ka pasur edhe në rrugicën për te “Project Space” dhe e pakufizuar ka qenë muzika që ka lundruar në pak funk, bluess, ndonjë akord jazzi e çka jo tjetër.
“Këtu erdhën edhe disa njerëz që zakonisht nuk më ka rënë të bëj shumë ‘jum’ me ta. Ajo ke goxha sfidë. Me të tjerët jemi mësuar. Me të rinjtë ke goxha sfidë, sepse gjithë kohën duhej t’i shihje, të jesh gati për atë se çfarë po ndodh. Është pak e frikshme, por është në të njëjtën kohë një sfidë e bukur, që në fund të ditës të bën të shohësh një lloj komunikimi që zakonisht nuk mund të bëhet me fjalë ose me plan, por vetëm rrjedh natyrshëm”, ka thënë Zanë Xhuli, që qëndroi si nikoqire në mbrëmje.
Njerëz me preferenca të ndryshme muzikore u bënë pjesë e performancës. Për “Giga Gagin” është bashkimi më i zakonshëm.
“Ne si komunitet mblidhemi shpesh. Mblidhemi për qejf, bëjmë ‘jum sassion’. Jemi mësuar si prej shtëpisë, tash veç na ka rënë ta sjellim shtëpinë këtu. Ishte pak më ndryshe se ishte edhe publiku, ishte pak më emocionuese. Por kur kemi nisur ne të bëjmë muzikë u rikthye ndjenja e shtëpisë, e rehatisë dhe stabilitetit që çfarëdo që ndodh jemi këtu. Më së pari po kënaqemi, së dyti po muzikojmë. Po shpresoj që të gjithë janë kënaqur”, ka thënë Xhuli.
Ka thënë se saksofoni është instrument interesant, sepse mund të përshtatet me disa zhanre.
“Ndryshe prej shumë instrumenteve të tjera frymore. Mund ta përshtatesh me tallava, me jazz, me rock n'roll. Kam tentuar edhe me metal. Ka qenë goxha interesante. Më është dukur pak absurde në fillim, por kur kam filluar ta provoj më ka pëlqyer”, ka thënë Xhuli, që studimet i ka përfunduar për fagot. “Janë dy botë komplet të ndryshme. Unë edhe për muzikë klasike e kam përfunduar në një instrument komplet ndryshe prej saksofonit. Saksofonin e kam marrë më shumë për sport. Kam filluar me saksofon të improvizoj dhe ka qenë krejt natyrale në saksofon improvizimi”, ka thënë ajo duke krahasuar zhanret, atë që ka studiuar me atë në të cilin del më shpesh në publik.
Edhe për të tjerët mënyra e ndërrimit mes rolit të interpretuesit dhe publikut qe interesante. Kapërcimi nga një instrument në tjetrin nuk ishte edhe aq sfidë.
“Ideja ka qenë qysh nga fillimi me u ndërru. Edhe në garazh kur jemi ndërrohemi tërë kohën. Kështu që për ne ka qenë e rëndësishme me u mbledhë edhe me e tregu anën tonë të muzikës. Mendoj se për një artist është shumë e rëndësishme për t’u zhvilluar që të mbledhësh me njerëzit edhe të improvizosh me ta gjithë kohën. Edhe mes vete ndërrohemi. Kur dikush lodhet me tupana, vjen tjetri”, ka thënë Orges Kurtaj, pjesë e “Giga Gagi”. Kjo madje, sipas tij, ka edhe bonuse përtej muzikës së mirë.
“Mua më është dukur e rëndësishme t'i mësoj disa instrumente. Kjo sepse, duke ditur të luaja në to, e kam kuptuar më shumë gjithë punën që unë e kam në grup. Duke luajtur në bass e kam ditur në të njëjtën kohë më mirë se çka është duke ndodhur në tupanë. Edhe e kundërta. Kështu që për mua të paktën ka qenë shumë e rëndësishme me i kuptu aspektet e ndryshme, instrumentet e ndryshme”, ka thënë ai.
Ndonëse në vendin e tyre të ushtrimeve “Giga Gagi”’ këtë mënyrë të interpretimit e praktikon shpesh, para publikut ishte diçka e re, megjithatë e dashur.
“Ke prej eksperiencave më të mira që i kam pasur. Kam pasur edhe koncerte të tjera me bendin ‘Teli i kput’, por ato janë më ndryshe sepse janë vetjake. Jemi duke e reprezantuar bendin dhe veten. Kjo sonte ke vetëm të ulesh dhe të mundohesh të përshtatesh me të tjerët. Këtë gjë e bëjmë gjithë kohën, por pa shikues të tjerë. Pa sy që muzikën e shohin më ndryshe sesa që e shohim ne”, ka thënë Valon Kadriu, pjesëtar i “Giga Gagi”, e disa herë performues në mbrëmje.
Dhjetëra njerëz të pranishëm në mbrëmje shpesh interpretuan e shumë u kënaqën. Dëshmi u bë komunikimi mes instrumentesh e me gjuhën e muzikës.