Në ditën botërore të punëtorëve, 1 Maji, kur shumica e dyqaneve në Prishtinë janë mbyllur për “të festuar”, zanatliu Naim Jerliu ka prishur këtë rend.
Ai ka hapur dyqanin e tij në pjesën ku janë të koncentruar artarët, në atë që njihet si Prishtina e Vjetër. Mesditën e së mërkurës ai po i kryente disa punë të vogla që i kanë mbetur porosi nga klientët e tij. Ka përpara enën me plot gurë që shkëlqejnë, të dimensioneve, formave e ngjyrave të ndryshme, shkruan sot Koha Ditore.
Një unazë dukati mban në dorën e tij të majtë, që pret t’i rikthehet guri, e bashkë me të edhe shkëlqimi. Por punën e ndërpret për pak kohë, për të treguar zanafillën dhe dashurinë që ka për zanatin e arpunuesit. Pa diskutim e quan art punën e tij, e thotë se duke qenë kështu bën që për këtë zanat të mos mund të thuhet kurrë se e ke mësuar të tërin.
E kategorizon te zanatet fisnike, ashtu siç është edhe vetë metali, por thotë se me të nuk fitohet lehtë. E bashkë me këtë të fundit, këtë zanat, sipas Jerliut, e rrezikon edhe kompjuterizimi i punës. “Art është, pa diskutim” “Jam zanatli prej vitit 1985”, thotë Jerliu, që i bie që ka 34 vjet përvojë.
E zanatin thotë ta ketë nisur vonë ta mësojë. “Kam qenë i rritur, diku 22 vjeç”, thotë ai. “Zanatin nuk e kam të trashëguar, e kam të përfituar, të mësuar. Në fakt, e kam të vjedhur, sepse zanati as nuk jepet e as nuk falet, por vidhet”, shton Jerliu, teksa qesh...(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)