Kulturë

“Zanat” u recitojnë të verbërve në Ferizaj

“Edhe u pata premtu se vitin tjetër kemi me ba një material për ta dhe kjo po më emocion”, ka thënë Nora Prekazi, redaktore e librit me poezi “ZaNa III”. “E patë edhe vetë se festivali po grumbullon njëfarë shpirti, edhe njëfarë çiltërsie rreth vetes dhe jam jashtëzakonisht krenare, dhe Ferizaj na ka befasuar jashtëzakonisht bukur sonte me një audiencë të bollshme dhe shumë mikpritëse”

Alije Zeqiri ka rrokur vëmendjen më të madhe në mbrëmjen poetike të së shtunës në njërën prej kafeneve të Ferizajt në sheshin që mban emrin e dëshmorit Ramadan Rexhepi – Adidasi. Zeqiri, anëtare e kryesisë së Shoqatës së të Verbërve në Ferizaj, ka thënë se ishte hera e parë që lexoi publikisht poezi.

“Dhe nuk e pata problem, edhe pse lexova për herën e parë, m’u duk sikur gjithë kam lexu”, ka thënë Zeiqiri, e cila mori duartrokitjet më të gjata të një audience, kryesisht me poetë, gazetarë e aktivistë të Mitrovicës dhe të Ferizajt. Zeqiri kishte zgjedhur disa prej vargjeve të Muhamed Kërveshit, pjesë e botimit special me alfabetin Brajl, të nxjerrë nga festivali i letërsisë “ZaNa”, që sivjet po mban edicionin e tretë.

“Ndjeva një kënaqësi shumë të madhe, edhe poezitë ishin shumë të kuptueshme, edhe të lehta. Edhe për ne ia vlen që të kemi këso poezi”, ka theksuar Zeqiri. “Është mirë që të kemi poezi dhe le të vazhdojmë më tutje”, ka shtuar ajo pas leximit të poezive me një audiencë, ku përfshiheshin edhe aktivistët e Fondacionit Dhemetra, organizator të festivalit, të mbështetur nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Prishtinë.

Nora Prekazi, redaktore e librit me poezi “ZaNa III”, ka thënë se ndihet e përmbushur emocionalisht, pasi ia doli t’ua plotësonte dëshirën personave të verbër, që vjet i kishin kërkuar një botim të veçantë me alfabetin Brajl. Zotimin ia kishte dhënë një grupi vizitorësh të verbër në Muzeun e Mitrovicës, ku punoi si etnologe para se së fundmi të zgjidhej drejtoreshë e tij. “Edhe u pata premtu se vitin tjetër kemi me ba një material për ta dhe kjo po më emocion”, ka thënë Prekazi, duke ndërprerë për pak intervistën shkaku i emocioneve. “E patë edhe vetë se festivali po grumbullon njëfarë shpirti, edhe njëfarë çiltërsie rreth vetes dhe jam jashtëzakonisht krenare, dhe Ferizaj na ka befasuar jashtëzakonisht bukur sonte me një audiencë të bollshme dhe shumë mikpritëse”, ka shtuar Prekazi.

Pos leximit të poezive nga pjesëtaret e grupit të shkrimit kreativ “Za”, Esra Zhilivoda, Eglantina Avdiu, Gentiana Shyti e Diellëza Shyti, nën mentorimin e Fisnik Istrefit, i cili gjithashtu ka lexuar vargje të librit të botuar në shqip, serbisht e anglisht, para të pranishmëve kanë lexuar edhe Afrim Demiri, poezitë e të cilit janë pjesë e librit me poetë nga shtetet e ndryshme të rajonit, por edhe poetët Dije Demiri Frangu, Faruk Buzhala, Biser Mehmeti.

Demiri, i cili edhe ka moderuar mbrëmjen poetike, ka thënë se aktiviteti i festivalit nga Mitrovica ishte befasi shumë e veçantë për anëtarët e Shoqatës së të Verbërve në Ferizaj.

“Festivali Zana, që sot ka ardhur nga Mitrovica në Ferizaj, përveç shumë befasive poetike, e sjell edhe një befasi të llojit të vet të veçantë, sepse për herë të parë në Kosovë, ka sjellë një botim me fjalorin Brajl i cili ua bën të mundshëm leximin një komuniteti të veçantë, personave që janë të kufizuar në lexim”, ka thënë Demiri, duke shtuar se Festivali ZaNa nisi tre vjet më parë në qytetin e ndarë të Mitrovicës për të krijuar ura bashkëpunimi ndërmjet poetëve pavarësisht etnisë “për të krijuar një komunikim tjetër artistik”, por edha “për ta sfiduar dhunën dhe pasigurinë dhe në vend të ndarjes për të ofruar bashkim të vlerave kulturore”.