Mediumi prestigjioz amerikan “Variety” është ndër të parët që ka bërë të ditur parashikimet për çmimet e sivjetme “BAFTA”. Në listë të ngushtë për çmimin si aktorja më e mirë ka vendosur edhe aktoren Yllka Gashi. Aty janë edhe: Nicole Kidman, Niamh Algar, Emilia Jones, Jessica Chastain, Lady Gaga, Jodie Comer, Alana Haim, Olivia Colman, Penelope Cruz, Tessa Thompson, Kristen Stewart, Jasmine Batchelor, Frances McDormand dhe Rachel Zegler. Për Gashin ky është “nder shumë i veçantë edhe nëse mbetet vetëm parashikim medial”
Pas një jave do të bëhen të ditura listat e gjera në të gjitha kategoritë për çmimet “BAFTA”. Nëse parashikimi që ka dhënë “Variety” del të jetë i saktë, aty do të jetë edhe emri i aktores Yllka Gashi. Sipas mediumit prestigjioz amerikan “Variety”, aktorja shqiptare do të jetë në mesin e 15 aktorëve që do të jenë pjesë e listës së ngushtë për çmimin për aktoren më të mirë.
Sipas tyre, lista e ngushtë përveç Gashit do të ketë edhe emra të njohur të kinematografisë si Nicole Kidman, Niamh Algar, Emilia Jones, Jessica Chastain, Lady Gaga, Jodie Comer, Alana Haim, Olivia Colman, Penelope Cruz, Tessa Thompson, Kristen Stewart, Jasmine Batchelor, Frances McDormand dhe Rachel Zegler.
Por sipas “Variety”, në pesëshen e të nominuarve nuk do të jetë Gashi. Sipas saj, aty do të arrijnë të shkojë aktorja Jasmine Batchelor për rolin e saj në “The Surrogate”, Emilia Jones për rolin e saj në “CODA”, Kristen Stewart për rolin e saj në “Spencer”, Tessa Thompson për rolin e saj në “Passing” dhe Rachel Zegler për rolin e saj në “West Side Story”.
Gashi nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka thënë se ta shohë emrin e filmit “Zgjoi”, të Blerta Bashollit e të produksionit “Ikonë”, dhe emrin e Kosovës në këso listash, është kënaqësi e madhe për të.
“Më duhet ta pranoj që zemra më bëhet mal nga gëzimi e krenaria, por edhe nga mirënjohja e falënderimi që e kam për ata me të cilët kam pasur fatin e mirë ta bëjmë këtë film”, ka thënë ajo. Sipas saj, ky është nder shumë i veçantë edhe nëse mbetet vetëm parashikim medial.
“Me ose pa nominim – sepse as nuk dua të mendoj shumë e të preokupohem me diçka që nuk është në dorën time e nuk varet nga unë – fat të madh e nder jetësor e konsideroj mundësinë që e kam pasur ta portretizoj një grua të jashtëzakonshme siç është zonja Fahrije Hoti e të punoj me një regjisore të mrekullueshme e tepër punëtore që më inspiron çdo ditë si Blerta Basholli dhe me produksionin ‘Ikonë’ që janë shumë meritorë për çdo sukses që e kemi pasur deri tash, ta ndaj skenën me një kastë briliante të aktorëve e të jem çdo ditë me një ekip fantastik prapa kamerës si ekipi i filmit tonë”, ka shkruar ajo duke e konsideruar gjithë këtë një përvojë të paharrueshme.
Parashikime të tilla deri tani ka bërë edhe “Screendaily”. Aty mungon emri i aktores shqiptare, mirëpo pritet që edhe mediume të tjera të njohura të thonë fjalën e tyre sa i përket kësaj ngjarjeje prestigjioze. Rundi i parë i votimeve veç është mbyllur më 3 janar. Pas listës së ngushtë më 12 janar, radha do t’u vijë nominimeve të cilat do të bëhen të ditura më 3 shkurt. Kurse ceremonia e ndarjes së çmimeve “BAFTA” do të mbahet më 13 mars.
Gashi deri më tani ka marrë tri çmime si aktorja më e mirë për portretizimin e Fahrije Hotit. Në Festivalin e Filmit në Valladolid, Spanjë (edicioni i 66-të), në Festivalin e Filmit në Scottsdale të Arizonës, SHBA (edicioni i 20-të) dhe në Festivalin e Filmit në Mal të Zi (edicioni i 34-të) mori Çmimi për aktoren më të mirë.
“Variety” është shpresëdhënës edhe sa i përket “Oscarit”. Është ndër të parët që ka publikuar edhe listën e filmave që sipas tyre do të jenë në mesin e të nominuarve për çmimin “Oscar” e në pesëshen e kategorisë për filmin më të mirë ndërkombëtar ka vendosur edhe “Zgjoin”, nën regji të Blerta Bashollit.
“Variety” ka theksuar se nominimi i “Zgjoit” do të bënte që Kosova për herë të parë të ketë një film të nominuar në Akademinë Amerikane.
Një dekadë më parë regjisorja dhe skenaristja Blerta Basholli do t’i rrekej punës që me historinë e Fahrije Hotit të endte fijet e projektit për një film. Mes vështirësive jo të pakta gjatë realizimit gjëllinte shpresa që të paktën filmi të kishte premierën në “Sundance Film Festival”. Nga aty, “Zgjoi” doli i stolisur me tri trofe: Çmimin e Madh të Jurisë, atë të audiencës dhe Çmimin për Regjinë. Premiera kombëtare erdhi me lajmin se është kandidati i Kosovës për nominim në “Oscarin” e Evropës. E më 21 dhjetor u dha lajmi se “Zgjoi” është në listë të ngushtë për “Oscar”. Më 8 shkurt do të bëhen të ditur 5 filmat e nominuar, kurse më 27 mars do të mbahet ceremonia kryesore.
“Zgjoit” i ka ecur mbarë edhe në kinema. Rreth 200-300 vizitorë në ditë ende ndalojnë te biletaria e “Cineplexxit” për filmin nën regji të Blerta Bashollit. Ishte filmi më i shikuar gjatë 2021-tës. Vendosi rekord sa u përket shitjeve të biletave në vend. Rreth 35 mijë bileta janë shitur për 75 ditë, që kur nisi shfaqja e filmit më 22 tetor të 2021-tës.
“Home” ia solli Kosovës trofeun e parë të “BAFTA”-s më 2017-n
Kosova nuk është e panjohur për “BAFTA”-n. Ka qenë filmi “Home” që në shkurt të vitit 2017 ia solli vendit trofeun e parë të Akademisë Britanike të Filmit dhe Arteve Televizive. Filmi nën regji të Daniel Mulloyt – që shtjellon fatin e refugjatëve në pikëpamje universale do të shënonte kthesë historike për kinematografinë kosovare, duke marrë çmimin për filmin më të mirë të shkurtër britanik.
Për suksesin e bashkëprodhimit midis Kosovës e Britanisë së Madhe, Mulloy bashkë me producentin e filmit, Shpat Deda, do të ngjiteshin në skenën e “Royal Albert Hall” për ta marrë trofeun në ceremoninë e 70-të të “BAFTA”-s. Krahas regjisorit britanik, aty ishin edhe producentë të tjerë të filmit, përfshirë aktoren kosovare, Arta Dobroshi, Afolabi Kutin dhe Scott O’Donnell. “Home” është realizuar me mbështetjen financiare të ekipit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Open Society Foundation UK dhe USAID-it, Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës. Është bashkëproduksion midis “DokuFestit”, “Somesuch” dhe “Black Sheep Studios”.
“Ky është një moment historik për industrinë e filmit në Kosovë. Ne në ‘DokuFest’ jemi shumë krenarë që kemi qenë pjesë e këtij projekti të drejtuar nga filmbërësi tejet i talentuar dhe bashkëpunëtor i vjetër i ‘DokuFestit’, Daniel Mulloy. Ne shpresojmë se filmi ynë do të krijojë lidhje me politikëbërësit që të veprojnë dhe ndiejnë gjendjen e miliona refugjatëve në mbarë botën”, kishte thënë Eroll Bilibani, drejtor ekzekutiv i “DokuFestit”, njëherësh një nga njëmbëdhjetë producentët e filmit.