Kulturë

Yanagisawa – maestroja që dirigjon kapitullin e suksesit të Filharmonisë

Toshio Yanagisawa

“Në vitin 2007 e dirigjova Filharmoninë e Kosovës për herë të parë. Ata më pranuan si një familje. Jam shumë i lumtur të vazhdoj të punoj me këtë institucion edhe pas këtyre 17 vjetëve. Kemi përgatitur shumë performanca së bashku, premiera, që kanë qenë të mrekullueshme. Kemi sjellë së bashku në skenë historinë muzikore të Kosovës”, ka thënë dirigjenti Toshio Yanagisawa, të premten në Atelienë e Pallatit të Rinisë

Themelimi i Filharmonisë së Kosovës para 24 vjetësh, lidhet me jo pak emra që dhanë kontribut të çmueshëm prej hapave të saj të parë pas luftës – ku numëronte jo më shumë se 13 anëtarë – deri te hapja e kapitujve kur ky institucion u konsolidua e u zgjerua për të prekur të tjera nivele. E një emër i pashmangshëm në 17 vjetët e kësaj historie është maestroja japonez Toshio Yanagisawa, që është nderuar me dy mirënjohje të premten gjatë ditës, e në mbrëmje ka dirigjuar Filarmoninë në suksesin e radhës që dëshmon ngritjen e institucionit – “Simfoninë nr. 1” të Gustav Mahlerit

24-vjetorin e saj, Filharmonia e Kosovës, pos me koncert, ka vendosur ta shënojë duke nderuar njërën prej figurave të shquara të muzikës klasike që ka dhënë kontribut të pashoq për institucionin më të lartë muzikor në vend. 

Mjeshtrit Toshio Yanagisawa, i është ndarë “Mirënjohje e veçantë”, në një ceremoni modeste në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve disa orë para koncertit, në të cilin ai ka dirigjuar Orkestrën në “Simfoninë nr.1” të Gustav Mahlerit dhe në veprat e Lorenc Antonit. Dirigjentit Yanagisawa (53) i është ndarë edhe Çmimi i Lavdërimit nga Qeveria e Japonisë. 

Kur Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të themelohej menjëherë pas luftë, në vitin 2000, si nismë e disa muzikantëve të shquar të vendit, natyrisht se duheshin edhe mjeshtër që do ta drejtonin atë në zbërthimin e secilës partiturë. Fillimisht do të niste si ansambël harkor dhe ishte si vazhdimësi e ish-Orkestrës Simfonike të Radiotelevizionit të Prishtinës pasi aktiviteti i saj u ndërpre me forcë në vitin 1990 nga regjimi serb. 

Një prej kontribuuesve të mëdhenj që ka ndihmuar në ndërtimin e repertorit të Orkestrës ndër vite, ka qenë dirigjenti japonez, maestro Toshio Yanagisawa. 

E për angazhimin e tij 17-vjeçar, pikërisht institucioni ku ai ka dhënë kontribut të çmueshëm e ka nderuar me “Mirënjohje të veçantë”. 

Maestro Yanagisawa me rastin e ndarjes së kësaj mirënjohjeje për të, me të cilën institucioni nderon veprën e tij, ka kujtuar kohën kur bashkë me orkestrën luanin veprat për formacion më të vogël.
“Nuk mund të besoj se kanë kaluar 17 vjet. Për herë të parë këtu erdha në vitin 2007 dhe në atë kohë ka pasur shumë më pak anëtarë. Kështu e luanin Beethovenin, Schubertin, pjesë për formacion më të vogël në orkestër. Por tani, 17 vjet më pas, është ndryshe duke pasur parasysh edhe sonte kur do të sjellim Simfoninë nr.1 të Mahlerit”, ka thënë Yanagisawa.

Avancimin e Orkestrës së Filharmonisë e ka konsideruar mision të arritur. 

“Është si një mision i arritur, diçka që 20 vjet më parë nuk do të mund të bëhej, por tani është i mundur. Ne gjithmonë dëgjojmë që progresi është shumë i rëndësishëm, kështu që ne u rritëm secilin vit dhe tani jemi shumë të lumtur që po rritemi për nga numri i njerëzve dhe që mund të luajmë muzikë më të komplikuar si ajo e Gustav Mahlerit”, ka thënë Yanagisawa për KOHËN. 

Në skenë, pasi ka pranuar çmimin, ka thënë se bashkë me Orkestrën ndër vite kanë sjellë historinë muzikore në skenën vendore.

“Në vitin 2007 e dirigjova Filharmoninë e Kosovës për herë të parë. Ata më pranuan si një familje. Jam shumë i lumtur të vazhdoj të punoj me këtë institucion edhe pas këtyre 17 vjetëve. Kemi përgatitur shumë performanca së bashku, premiera, që kanë qenë të mrekullueshme. Kemi sjellë së bashku në skenë historinë muzikore të Kosovës. I çmoj shumë Filharmoninë e Kosovës, Ministrinë e Kulturës dhe Qeverinë e Japonisë”, ka thënë ai. 

Ceremonia u zhvillua në Atelienë e Pallatit të Rinisë, aty ku institucioni muzikor rëndom i jep koncertit. Por ai që hapi sezonin dhe shënoi 24-vjetorin e themelimit të Filharmonisë, u mbajt në sallën private “AMC”, në dalje të Prishtinës. Ndonëse institucioni ka hyrë në çerekshekull, salla koncertale ende mbetet larg dhe problem kryesor i Filharmonisë dhe jo vetëm.  

Pos “Mirënjohjes së veçantë”, Ministria e Jashtme e Japonisë i ka ndarë Çmimin e Lavdërimit për të. Atë ia ka dhënë ambasadori i Japonisë në Kosovë, Ryuta Mizuuchi. Ka lexuar arsyetimin e shkruar në dekoratën për dirigjentin Yanagisawa. 

“Përmes përpjekjeve të mëdha për të promovuar mirëkuptimin ndërmjet Japonisë dhe Kosovës, ju keni kontribuar në miqësinë dhe vullnetin e mirë midis dy vendeve. Dëshiroj t’ju shpreh  respektin më të thellë dhe t’ju përgëzoj për arritjet tuaja të jashtëzakonshme”, ka përcjellë ambasadori japonez. 

Zëvendësuesi i drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, e ka çmuar veprimtarinë e dirigjentit ndër vite, duke veçuar koncertet në Japoni. 

“Yanagisawa erdhi në Prishtinë në vitin 2007 dhe ka shërbyer si dirigjent permanent i Orkestrës sonë duke dirigjuar shumë programe brenda Kosovës si dhe në disa paraqitje të Orkestrës në disa vende, posaçërisht duke veçuar paraqitjet e Orkestrës në Japoni”, ka thënë Selimaj. 

Ka kujtuar edhe fillimet e Filharmonisë, duke e krahasuar atë kohë me koncertin e së premtes mbrëma në një sallë private në periferi të kryeqytetit.

“24 vjet më vonë, sonte në koncertin e hapjes së sezonit 2024/2025, Filharmonia do të mbajë koncertin e saj të hapjes, një program ambicioz, tri vepra nga kompozitori kosovar Lorenc Antoni, që konsiderohet edhe pionier i skenës së muzikës klasike në Kosovë dhe simfoninë ambicioze nr.1 të Gustav Mahlerit. Premierën e kësaj të fundit do ta dirigjojë Toshio Yanagisawa, emri i të cilit është i lidhur ngushtë me Filharmoninë e Kosovës, po ashtu siç është emri i Filharmonisë i lidhur ngushtë me punën e dirigjentit Yanagisawa”, ka thënë Selimaj. 

Yanagisawa është dirigjent permanent i Filharmonisë së Kosovës. Puna e tij njihet që nga koha e ish-Jugosllavisë. Ka qenë dirigjent në Operën Kombëtare të Maqedonisë prej vitit 2005 deri më 2007. Në vitin 2007 u bë dirigjent kryesor i Filharmonisë.