E marta në vendpunishten për sheshin “Xhorxh Bush” ka qenë skenë përplasjesh që për pak kanë përshkallëzuar në konfrontim fizik midis kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, e zyrtarëve të tij dhe inspektorëve të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore. Mbi dy orë ka zgjatur “shfaqja” e konfrontimeve për kufirin e zonës së mbrojtur, “leximi” i ligjeve e neneve, fyerje e garë midis vazhdimit e ndalimit të punimeve. Epilogu: Ndarja e sheshit në gjysmë, ndalim punimesh, vendosje e kufirit, zotim se punimet do të vazhdojnë
Kufiri i zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës i ka çuar kryetarin Përparim Rama dhe kabinetin e tij në kufi të përplasjes fizike me Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore. Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës, Sokol Havolli, dhe shefi i kabinetit të Ramës, Vllaznim Osmani, kanë penguar fizikisht inspektorin e trashëgimisë kulturore, Xheladin Krasniqi, që të ndalë punimet. Krejt kjo ka ndodhur para zyrtarëve të Policisë së Kosovës. Inspektorit i është dalë përpara dhe është mbajtur për krahu që të mos ia vë shiritin zonës. Situata ka marrë epilog kur në vendngjarje ka dalë komandanti i stacionit policor “Qendra”, Fatmir Balaj.
“Punimet duhet të ndalen menjëherë, të tjerat vazhdojnë”, ka thënë prerazi kapiteni Balaj. Ka kërkuar nga zyrtarët policorë që të marrin masat e nevojshme. Pas këtij momenti Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka ndarë me shirit në dysh ish-rrugën e makinave, duke bërë të qartë se ana e majtë është brenda zonës së mbrojtur të Qendrës Historike, kurse ana e djathtë – ajo nga katedralja “Nëna Terezë” – s’është brenda zonës së mbrojtur.
Kësisoj, për herë të tretë Komunës i janë ndaluar punimet në zonën e mbrojtur të Qendrës Historike të kryeqytetit. Institucioni lokal ende nuk ka leje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve për të zbatuar projektin. E, historia vazhdon.
Shkelja e zonës së mbrojtur 24 orë pas dakordimit
Spektakli i së hënës, kur Komuna rinisi punimet për projektin e sheshit “Xhorxh Bush”, ka mbetur në hije pas zhvillimeve të së martës. Të hënën punimet kanë nisur në anën e djathtë të ish-rrugës. Inspektimi i Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore ka vërtetuar se nuk është duke u shkelur zona e mbrojtur e Qendrës Historie të Prishtinës vija e së cilës, sipas tyre, është midisit të ish-rrugës, tash shesh. Saktësisht kufiri kalon nëpër shtyllat elektrike. Gjatë ditës së hënë buldozerët s’e kanë kaluar vijën e kufirit të zonës së mbrojtur. Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë të martën në mëngjes ia ka dërguar një shkresë Komunës duke i kërkuar respektim të Ligjit për trashëgimi kulturore. Aty bëhet e ditur se hapësira ku po zhvilloheshin punimet të hënën nuk është zonë e mbrojtur e Qendrës Historike. Por, të martën në mesditë, buldozerët kanë nisur të punojnë në anën tjetër të hapësirës, gjë që, sipas institucioneve të trashëgimisë kulturore, është ndërhyrë pa autorizim në zonën e mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës. QRTK-ja menjëherë ka lajmëruar Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore dhe kryeinspektori Imer Hakaj bashkë me inspektorin Xheladin Krasniqi kanë dalë në terren.

“Puna vazhdon”, thotë Rama, pak minuta para ndaljes së punimeve
Në vendpunishte, kur ka arritur Inspektorati, ka qenë i pranishëm drejtori i Drejtorisë së Transformimit, Gëzim Kastrati. Shumë shpejt kanë arritur edhe anëtarë të tjerë të kabinetit të kryetarit të Prishtinës dhe vetë Përparim Rama. Kryetari Rama ka thënë se janë duke punuar brenda kornizave ligjore. Ka kundërshtuar në çdo formë ndalimin e punimeve.
“Ne e kemi të gjithë dokumentacionin që tregon se jemi brenda kornizave ligjore. Puna vazhdon. Nuk na ndal as ti, as një ministri atje që i teket me e ndalë një projekt madhor për kryeqytetin”, ka thënë Rama. Debati ka shkuar deri në nivelin nëse është valid kufiri i zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës. Inspektorati është bazuar në vendimin e vitit 2019 nëpërmjet të cilit Qendra Historike e Prishtinës ka hyrë në Listën e trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përkohshme, që është kategori ligjore në Ligjin për trashëgimi kulturore, miratuar më 2006.
Kryetari Rama ka kërkuar që të ketë vendim të gjykatës për ndalje të punimeve. Anëtarët e kabinetit të tij kanë zhvilluar një lloj gare për t’i dalë në mbrojtje projektit. Vazhdimisht kanë ushtruar presion mbi zyrtarët e institucioneve të trashëgimisë kulturore. Inspektorati në këtë rast ka ftuar zyrtarët e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë që të sqarojnë situatën sa i përket kufirit të Qendrës Historike. Këto sqarime i ka dhënë arkitektja Afërdita Gashi-Sinanaj. E njëjta deri para pak muajsh ka qenë e angazhuar në projektet e Komunës. Kabineti i kryetarit Rama e ka kundërshtar edhe atë. Arkitektja Afërdita Gashi-Sinanaj më vonë ka dhënë deklaratë në Polici ku është hapur rast pasi, sipas saj, drejtori i Drejtorisë së Transformimit, Gëzim Kastrati, e ka kërcënuar duke i thënë: “Më mirë lëshoje Prishtinën”. Më pas Inspektorati nën shoqërimin e policisë ka tentuar të vërë shenjat e ndalimit të punimeve. Janë penguar fizikisht nga kabineti i kryetarit Rama dhe vetë kryetari. Situata ka marrë epilog, kur ka mbërritur kapiteni Fatmir Balaj.
“Leximi” i kryetarit dhe thirrja për qytetarët që të “demonstrojnë”
Hapësira është ndarë në dysh me shirit nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore. Por kryetari i Komunës, Përparim Rama, ka thënë se nuk do të heqin dorë.
“Ne do të fillojmë këtu t’i ftojmë edhe qytetarët e kryeqytetit, të demonstrojmë kundër këtyre vendimeve puropolitike, të jashtëligjshme. Nuk duhet me ra pre e këtyre shantazheve dhe sabotazheve të njerëzve që nuk ia donë të mirën këtij populli”, ka thënë ai. I pyetur nëse po bën thirrje për demonstratë, kryetari Rama ka thënë se edhe atë do ta bëjnë.
“Unë po them se nëse vjen puna deri aty, edhe atë do ta bëjmë, sepse ne do t’i vazhdojmë këtu punimet”, ka thënë ai. Më vonë në rrjete sociale kryetari Rama ka përdorur shkresën e QRTK-së ku bëhej e ditur se të hënën nuk është punuar në zonën e mbrojtur.
“Paradite na dërgojnë shkresë zyrtare ku thuhet se nuk jemi duke punuar në zonën mbrojtëse të Qendrës Historike të Prishtinës! Pasdite vijnë me polici për të na i ndërprerë punimet, me arsyetimin se jemi duke punuar në zonën mbrojtëse të Qendrës Historike të Prishtinës! Ja sa seriozë, kompetentë dhe të pavarur janë!”, ka shkruar ai.
Por, s’ka sqaruar se nga mesdita buldozerët kanë dalë në pjesën që, sipas institucioneve të trashëgimisë kulturore, është nën mbrojtje.
Kryeinspektori i trashëgimisë kulturore, Imer Hakaj, gjatë gjithë kohës është munduar që të ndikojë në uljen e tensioneve.
“Qasja juaj në kundërshtim me ligjin, në kundërshtim me çdo send, është për keqardhje”, ka thënë ai.

Ministria: “Ligji është në pyetje dhe jo asfalti”
Mbrëmjen e së martës Ministria e Kulturës ka bërë një reagim të titulluar “Kryetari i Prishtinës po dezinformon”. Në reagim bëhet e ditur se Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë, më datë 28.4.2025, ka raportuar se punimet nga Komuna janë realizuar jashtë kufirit të zonës mbrojtëse të Qendrës Historike të Prishtinës edhe nuk ka pasur masë të ndalimit të punimeve nga inspektorët e trashëgimisë kulturore.
“Këtë konfirmim se nuk po punohet brenda kufirit me regjim ligjor të mbrojtjes, institucionet publike dhe opinioni e kanë marrë para kamerave nga nënkryetari i Komunës së bashku me zotimin se edhe në të ardhmen nuk të punohet brenda kufijve ku Komunës ende nuk i është dhënë leje si rezultat i refuzimit të tyre për të zbatuar rekomandimet dhe jo i ndonjë shkaku tjetër”, shkruhet në reagim. Aty bëhet e ditur se të martën QRTK së bashku me ITK -në kanë konstatuar se zotimi i Komunës për mosndërhyrje pa leje ka zgjatur më pak se 24 orë, sepse Komuna megjithatë ka tejkaluar kufijtë e autorizimit ligjor për të vepruar në zonë ku kërkohet leja që ata nuk e kanë ende.
“Prandaj sot, e jo dje, ka pasur ndalim të punimeve. Kryetari i Komunës duhet të kuptojë se nuk bëhet fjalë thjesht vetëm për dy anë të asfaltit, por për dy anë ku në njërën të kap ligji dhe aty, ne si ligjzbatues, po veprojmë. Pra ligji është në pyetje dhe jo asfalti”, shkruhet në reagim. U është kërkuar institucioneve të drejtësisë që të ndërmarrin veprimet e duhura e po ashtu Komunës që të pajisen me leje.
Projekti ende pa përgjigjen e autoriteteve të trashëgimisë kulturore
Komuna ka kërkuar miratim të projektit nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, por pasi ka nisur punimet.
Në rastin e sheshit “Xhorxh Bush” punimet ishin ndërprerë për të parën herë në mars. Komuna kishte mësyrë që të punojë midis monumenteve pa kurrfarë leje.
“Cilado ndërhyrje qё ndikon nё tërësinë ose vlerat e trashëgimisë kulturore kërkon leje të shkruar nga institucioni kompetent”, përcaktohet në nenin 4 të Ligjit për trashëgimi kulturore. Aty po ashtu bëhet e ditur se institucioni kompetent urdhëron ndaljen e menjëhershme për një periudhë të pacaktuar kohore të çdo lloj pune të paautorizuar në trashëgiminë kulturore.
“Aplikimi për leje për ndërtimin e ndërtesave ose krijimtari tjetër brenda zonës së mbrojtur të një monumenti arkitektural, ose brenda një hapësire konservuese arkitekturale, ose që ndikon nё mjedisin e një asambleje, paraqitet për shqyrtim në institucionin kompetent. Institucioni kompetent ka veto mbi dhënien e një lejeje të tillë. Nëse institucioni kompetent nuk përgjigjet brenda 15 ditëve në lidhje me aplikimin për ndërtimin e ndërtesave ose zhvillimeve të tjera, leja mund të përcaktohet nga autoriteti relevant për planifikim dhe ndërtim”, përcaktohet në nenin 9.
Më pas Komuna kishte dërguar projektin për miratim në IKMM. Ende pa përfunduar afati ligjor për kthim të përgjigjes, Komuna do të riniste punimet më 15 prill. Po atë ditë ato do të ndaleshin nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore nën shoqërimin e policisë. Pos kësaj për këtë tentim Inspektorati ka ushtruar kallëzim penal ndaj Komunës.
Në ditën e 16-të të prillit Komuna ishte njoftuar se projekti nuk i është miratuar.
Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka dhënë rekomandime, duke kërkuar sqarime shtesë, siç janë analiza e kontekstit urbanistik e historik. Shkresa e IKMM-së e konfirmon edhe një synim të projektit: ndërtesat e reja që ngrihen midis monumenteve. Kjo zbërthehet te shkresa, ku Komunës i kërkohet që të interpretohen ndërtesat e reja të parapara me projekt.
Konstatimi se projekti cenon integritetin e monumenteve është po ashtu brenda shkresës që IKMM-ja ia ka përcjellë Komunës së Prishtinës.

Një pjesë e madhe e punimeve planifikohet të zhvillohet brenda hapësirës së kufijve të zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës si dhe brenda perimetrit të zonave mbrojtëse të monumenteve, si Biblioteka Kombëtare e Kosovës, Rektorati i Universitetit të Prishtinës, Radio-Kosova, hoteli “Grand” dhe Banka Qendrore e Kosovës. Projekti, sipas shkresës, është kthyer në plotësim me gjashtë rekomandime.
Në shkresë bëhet e ditur se projekti parasheh ndërhyrje në aspekt urban dhe arkitektonik, në perimetër dhe zonë mbrojtëse të monumenteve si Rektorati i UP-së dhe Radio-Kosova “duke cenuar integritetin hapësinor të këtyre monumenteve, respektivisht duke penguar kuadrin e dukshëm të përjetimit të tyre nga sheshi aktual dhe si të tilla nuk janë në pajtueshmëri me politikat për konservim dhe zhvillim të perimetrit dhe zonës mbrojtëse të monumenteve”.
“Ndërhyrjet në aspektin arkitektonik (ndërtesat e reja) të projektuara në sheshin e Katedrales, i cili përfshin rrugën ‘Justiniani’ dhe sheshin e shkollës fillore ‘Faik Konica’ të propozohen me interpretime të dizajnit kontekstual”, shkruhet te rekomandimet. Nënvizohet se volumet për zgjerimin dhe zhvillimin e përdheseve në ndërtesat përgjatë rrugës “Garibaldi”, ndërtesa të identifikuara si ndërtesa kontribuuese të zonës, cenojnë tipologjinë e ndërtesave ekzistuese, peizazhin urban të zonës dhe hapësirën publike, trotuaret.
Ministria e Kulturës i ishte drejtuar me shkresë Policisë së Kosovës duke përkuar që të nisin hetimet për katër projekte të Komunës, përfshirë atë për sheshin “Xhorxh Bush”.
Zyrtarët komunalë të martën kanë konfirmuar se ende nuk u janë përgjigjur rekomandimeve të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Përplasje të këtij niveli midis një institucioni shtetëror si Komuna e Prishtinës dhe institucioneve të trashëgimisë kulturore nuk ka pasur asnjëherë. Sipas kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, punimet do të vazhdojnë. Se cilët do të jenë hapat e radhës, mbetet të shihet.