Thoshte se me varg mbrohej nga jeta. E gjatë gjithë jetës së tij vargjet e shoqëruan gjithandej, në vendlindje, si refugjat e deri në ditët e fundit të jetës në Meksikë. Vargjet e tij vazhdimisht janë lidhur me vendlindjen, Rahovecin. Pikërisht në këtë qytet të enjten edhe i është dhënë lamtumira Xhevdet Bajrajt. Pas varrimit të hirit të tij, Bajraj është kujtuar në një prej kafeneve të qytetit. Miqtë e tij kanë lexuar poezitë e kanë pirë nga një teke raki siç bënin edhe me Bajrajn kur gjatë verës kalonte pushimet në Kosovë
Në Rahovec, kur ke për të biseduar ndonjë gjë me rëndësi me ndonjë mik apo thjesht të thërret dikush për ta vrarë kohën për pikë të qejfit, kafenetë janë të shenjta për këtë punë. Pak a shumë, kështu thoshte poeti Xhevdet Bajraj në poezinë e tij në kopertinën e librit “Burri që lozte me engjëj”. Pikërisht në vendin e tij të shenjtë, në një prej kafeneve të Rahovecit poeti që vdiq larg vendlindjes u kujtua me poezi, muzikë verë e raki.
Qirinj me ngjyrë të kuqe, rrethuar me një gjethe rrushi u ndezën në çdo tavolinë të kafenesë në kujtim të poetit Xhevdet Bajraj që vdiq më 22 qershor në moshën 62-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë. Hiri i tij pas kremimit në Meksikë u varros të enjten pasdite në qytetin e të lindjes në Rahovec. Më shumë se nëpërmjet fjalëve, Bajraj gjatë gjithë ditës u kujtua nëpërmjet poezive. Ashtu u kujtua në mbledhjen komemorative që u mbajt në shtëpinë e kulturës në Rahovec. Me poezi u fol edhe në kafenenë “Hardhia” në këtë qytet. Vargjet e tij erdhën të interpretuara nga të pranishmit, me emocionet e kujtimit për poetin. Kishin qenë pikërisht njerëzit e vendit të tij, Rahovecit personazhe kryesore të poezisë.
Poeti që ruajti lidhjen me vendlindjen
Vuajtjet e njerëzve të tij u manifestuan në poezitë që në pak varg mbërthenin shumë histori njerëzish. Poezia e tij u bë imazh i plotë i vendlindjes. Aty shkruante për vreshtat e hardhitë e Rahovecit. Nga kryetari i Rahovecit, Smjal Latifaj, Bajraj u kujtua si përfaqësues i denjë i kombit që mori me vete ngado dashurinë për tokën dhe njerëzit e tij. Sipas tij, vargu poetik do ta bënte të përhershme lidhjen me poetin.
“Mbi kurriz barti mallin për njerëzit dhe atdheun, duke u bërë një lloj ambasadori për vendin e tij. Rahoveci zë një vend me peshë në jetën dhe krijimtarinë e tij, prandaj qytetarët e këtij vendi e kanë për detyrë t’ia bëjnë të gjitha nderet që i takojnë. Ai e dëshmoi dashurinë e madhe ndaj nesh, duke e bërë të njohur botërisht këtë vend të vogël, por me shpirt të madh”, ka thënë Latifi. Sipas tij, poezia e Bajrajt ka qartësinë e komunikimit me publikun, çiltërsinë dhe thjeshtësinë.
“Ndër parimet e tij humane e fisnike ishte se duhen mbrojtur njerëzit që i duam, prandaj ai e barti mbi supe e në shpirt Rahovecin dhe njerëzit që i donte. Dhe kjo nuk është gjë e vogël për një njeri të këtyre përmasave intelektuale e krijuese”, ka thënë tutje ai.
Krijuesi refugjat
Bajraj u lind më 1960. Familja e tij nga fshati Panorc i Malishevës u zhvendos në Rahovec. Në vitin 1999 ai sikurse afro një milion shqiptarë të Kosovës do të detyrohej të merrte statusin e refugjatit shkaku i luftës. Nëpërmjet Parlamentit Ndërkombëtar të Shkrimtarëve dhe programit të tyre për shkrimtarët e përndjekur, atij iu dha azil dhe një bursë në Shtëpinë e Shkrimtareve Refugjatë në Mexico City. Në vitet e mëvonshme, ai është bërë profesor i rregullt i shkrimit kreativ në Universitetin Autonom të qytetit të Meksikos. Sipas biografisë së tij të publikuar nga shtëpia botuese amerikane “Laertes Press”, “në një univers artistik paralel, ai u shfaq si një yll në filmin ‘Aro Tolbukhin – Në mendjen e një vrasësi’”, film i vlerësuar me çmimin “Ariel” dhe kandidat i Meksikës për “Oscar” më 2003. Veprat e tij poetike, mbi 25, janë përkthyer në anglisht, gjermanisht, spanjisht, danisht, serbisht, sllovenisht, hungarisht, turqisht e polonisht. Është laureat i shumë çmimeve letrare, midis tyre edhe i atij ndërkombëtar “Goliardos”. Botimet KOHA prej veprave të tij ka botuar: “Copa ime e qiellit” dhe “Lëngu i trëndafilit”. Në mesin e veprave të tij janë edhe “Kafe me nënën”, “Ca kokrra rrushi Rahoveci”, “Kur qajnë hardhitë”, “Me zemër në qese najloni”.
Ai është vlerësuar si një kërkues kokëfortë i parajsës së humbur për të dhe një poet që prapa ka lënë goxha trashëgimi për gjeneratat e reja.
“Profesioni i cili e zbuloi formulën e pavdekësisë është arti, ndërrimi jetë në këtë profesion nënkupton ringjallje të kamotshme. Sot, këtë hipotezë po e vërtetojmë edhe një herë. Xhevdeti na bekoi me poezinë dhe artin tij, ne dhe shumë studentë, sot ne nderojmë vetëm duke i përmendur veprat e tij pasi që ai është i nderuar”, ka thënë zëvendësministri në MKRS, Sejnur Veshall.
Për ditët në Rahovec shkruante me mallin e një mërgimtari që gjithmonë para syve e kishte vendlindjen.
“Xhevdeti thoshte se ‘Rahoveci është pjesë vitale e organizmit tim, e cila fatkeqësisht më dhemb gjithmonë. Zemra ime rrah bashkë me të rrahurat e zemrës së Rahovecit’”, ka thënë bashkëshortja e tij, Vjollca Bajraj në ceremoninë e organizuar nga Komuna e Rahovecit.

Kujtimi nëpërmjet vargjeve
Në përshkrimin e jetës së tij në një prej librave të Bajrajt biografia e tij është shkurtër. Ajo përkufizon më së miri lidhjen e vargut të tij poetik me vendlindjen. “Për shtetin, kombin dhe vendlindjen e vet shkruan dhe flet kudo, më së shpeshti dhe më së shumti në Meksiko Siti dhe në Kosovë. Kaq”, shkruhet në librin “Burri që lozte me engjëj”. Me nderime e lot u përcoll edhe në varrezat e qytetit të Rahovecit. Kryeministri Albin Kurti e ka vlerësuar si poet e njeri të papërsëritshëm që nëpërmjet vargut e ngjallte te secili dashurinë për natyrën.
“Ai e ka dashur shumë tokën, natyrën, qiellin, zogjtë e lirinë, të gjitha ato që i duam dhe të gjithë ne, por dashuria për të gjitha këto dhe shumë të tjera e Xhevdet Bjarajt na ka bërë që edhe ne t’i duam të gjitha këto edhe më shumë”, ka thënë kryeministri Albin Kurti.
Bajraj viteve të fundit shkruante me një intensitet më të madh, duke lënë prapa një trashëgimi të pasur poetike. Modest, i veçantë dhe i afërt vlerësohej nga të gjithë miqtë e bashkëpunëtorët. Poetja Naime Beqiraj e ka vlerësuar si poet që ka filluar dhe është zhvilluar bindshëm. Për më tepër, ajo ka thënë se Bajraj qysh në botimet e para ka sjellë befasi për publikun por zhvendosja në Meksikë e ka bërë që të zhvillohet edhe më shumë në letërsi, por gjithë pjekurinë e tij poetike ta zhvendosë në shërbim të vargut për atdheun.
vazhdimisht është ndërtuar dhe është bërë i mirë dhe më i mirë. Ka startuar bindshëm dhe është zhvilluar bindshëm. Ajo që e ka shquar atë është se ka mbetur thellësisht shqiptar, thellësisht i Kosovës. Unë shpesh i kam thënë që ku e merr gjithë këtë energji që edhe ëndrrat t’i shohësh shqip dhe me qenë çdo çast i lidhur me këtë vend”, ka thënë poetja Beqiraj.
Poeti që shkruante për vreshtat dhe rakinë, u kujtua edhe në një prej bareve ku kalonte kohë në Rahovec. Nga një qiri rrethuar me gjethet e rrushit u ndez në tavolinat e familjarëve, miqve e bashkëpunëtorëve në kafenenë “Hardhia”. Vargjet e Bajrajt u interpretuan deri në mbrëmje në vendin e tij të lindjes, aty ku poeti gjente prehjen shpirtërore.