Se kur vendosi të bëhej poet, Xhevdet Bajraj ishte i prerë: “Në momentin që jeta m’u shfaq lakuriq dhe më tha: ‘Kështu jam, më prano ose më lër’”, do të thoshte ai. Vdiq si poet i madh, larg vendlindjes, në Meksikë, por asnjëherë i shkëputur prej saj. Kosovën e bartte në vargun e tij e me poezi, siç do të thoshte vetë Bajraj, “mbrohej nga jeta”. Poeti i shquar vdiq në moshën 62-vjeçare e ikja e tij është konsideruar humbje jo vetëm për poezinë shqipe
Me barrën se u detyrua ta linte Kosovën jetonte për më shumë se dy dekada. Bile në komunikim me miqtë e tij, në një rast kishte thënë se ndihej sikur e kanë vrarë në luftë e tash bredh rrugëve i verbër e i shurdhër. Në këtë frymë edhe shkruante poezitë e tij. Pikërisht arti do t’i hynte në punë për të nxjerrë jashtë krejt mallin, vuajtjet e dëshirat për vendin e tij. Asnjëherë s’u shkëput prej atdheut. Aty i gjëllinte poezia. Si personazh aspak i zakonshëm në krijimtari e në jetë, Xhevdet Bajraj vdiq të mërkurën. Ai ishte 62 vjeç.
Ikja e Bajrajt pas një sëmundjeje të shkurtër u konsiderua si shuarje e një pene që adhurohej nga krejt gjeneratat, një njeriu që qe model për mënyrën se si duhet vendlindja e si shkruhet për të. Edhe kur qe larg saj. Poet, dramaturg, përkthyes e profesor universitar, Bajraj qysh prej vitit 1999 jetonte në Meksikë. Por Kosovën e kishte me vete nëpërmjet krijimtarisë. Përtej krijuesit, për miqtë e tij ishte njeri model: i thjeshtë, i qetë e punëtor i madh.
“Kështu jam, më prano ose më lër”
“Kur dhe si e dinit se do të ishit poet?”, do ta pyeste Bajrajn gazetarja spanjolle Silvia Isabel Gámez. Përgjigjja e tij e publikuar nga njëri prej botuesve të tij të huaj ishte e thjeshtë dhe e prerë. “Në momentin që jeta m’u shfaq lakuriq dhe më tha: ‘Kështu jam, më prano ose më lër’”. Bajraj u lind më 1960. Familja e tij nga fshati Panorc i Malishevës u zhvendos në Rahovec. Në vitin 1999 ai sikurse afro një milion shqiptarë të Kosovës do të detyrohej të merrte statusin e refugjatit shkaku i luftës. Nëpërmjet Parlamentit Ndërkombëtar të Shkrimtarëve dhe programit të tyre për shkrimtarët e përndjekur, atij iu dha azil dhe një bursë në Shtëpinë e Shkrimtareve Refugjatë në Mexico City. Në vitet e mëvonshme ai është bërë profesor i rregullt i shkrimit kreativ në Universitetin Autonom të qytetit të Meksikos. Sipas biografisë së tij të publikuar nga shtëpia botuese amerikane “Laertes Press”, “në një univers artistik paralel, ai u shfaq si një yll në filmin ‘Aro Tolbukhin – Në mendjen e një vrasësi’”, film i vlerësuar me çmimin “Ariel” dhe kandidat i Meksikës për “Oscar” më 2003.
Veprat e tij poetike, mbi 25, janë përkthyer në anglisht, gjermanisht, spanjisht, danisht, serbisht, sllovenisht, hungarisht, turqisht e polonisht. Është laureat i shumë çmimeve letrare, midis tyre edhe i atij ndërkombëtar “Goliardos”. Botimet KOHA prej veprave të tij ka botuar: “Copa ime e qiellit” dhe “Lëngu i trëndafilit”.
Në mesin e veprave të tij janë edhe “Kafe me nënën”, “Ca kokrra rrushi Rahoveci”, “Kur qajnë hardhitë”, “Me zemër në qese najloni”. Edhe në këtë të fundit zbërthehet gati krejt filozofia poetike e Bajrajt si lidhje me atdheun. Poezia që ia ka dhënë titullin librit, tingëllon si një lloj autobiografie: “Kur e përzunë me forcë nga atdheu/ me zemër në qese najloni/ arriti në dhé të huaj/ (nëse ka dhé të huaj ndokund)/ Ia filloi ditës së re/ me dëshirën e vjetër/ ta prekë jetën me dorë/ Kur e zë gjumi/ i kujtohen ditët/ e dhunës/ që ranë si gjethe/ të pemës së jetës/ që kurrë më/ nuk u vesh me to”.
Një shaman i vërtetë me rrënjë të thella në vendlindje
“Ai ka qenë një shërues me një plagë të hapur, një shaman i vërtetë. Ai ka mbajtur mbi supet e tij vuajtjet e Kosovës”, do t’i shkruante botuesja e tij amerikane, Nina Kambero, e shtëpisë botuese “Laertes Press”, dramaturgut Jeton Neziraj. Dhe, Neziraj ka thënë se vërtet ka pasur diçka mitike në krejt jetën e tij, në dramën e tij larg Kosovës dhe kjo është reflektuar edhe në poezinë e tij, por edhe në çdo bisedë me të.
“S’kam takuar kurrë një njeri me rrënjë kaq të thella në vendlindjen e tij, në atdheun, njerëzit, në tokën, në vendlindjen e tij… Një lloj Odiseu që, edhe pse larg, ëndërron, lufton e s’heq dorë prej kthimit n’atdhe… Dhe kthehet, por kurrë jo përgjithmonë, se atdheu që ai e ëndërron i ikën prapë, e ai prapë udhëton e udhëton – e andërron një kthim të përhershëm në Itakën e tij!”, ka thënë Neziraj. Sipas tij, Bajraj qe një poet i jashtëzakonshëm. E po ashtu edhe njeri i këtij niveli.
“Humbje e madhe për letërsinë shqipe dhe përtej. Dhe dhimbje e papërshkrueshme! Sa me fat jam që e kam njohur e kam bashkëpunuar me të”, ka thënë Neziraj.
Për dashurinë e tij për Kosovën ka folur edhe gazetari dhe dramaturgu Agron Shala. Sipas tij, Bajraj e ka dashur Kosovën dhe ka vuajtur që ta shohë më mirë vendlindjen.
“E humbëm poetin ma të madh. Flisnim me orë. Ka qenë i edukuar, zotëri i rrallë. I qetë. E donte Rahovecin sa s’ka. Aq durim e dashuri ka pasur për shqiptarinë sa s’ka. Njeri tepër human. Mezi e prisnim ardhjen e tij në fund të majit”, ka thënë Shala. Dashurinë për Kosovën, Bajraj duket ta ketë shprehur në krejt bisedat me miqtë e tij.
“Nganjëherë, jo, pothuaj gjithmonë e ndiej që më kanë vra në luftë e tash bredhim rrugëve të zotit të verbër, të shurdhër”, do t’i shkruante ai aktorit Alban Ukaj derisa flisnin si mërgimtarë. Bajraj nga Meksika e Ukaj nga Sarajeva. Një grimë nga biseda, Ukaj e ka publikuar në Facebook pas lajmit për vdekjen e poetit.
“E kam pasë të memorizum vetëm si Xhevdet. Nji Xhevdet e kam pasë unë. Sa shumë jemi shkru miko! Për gzime e për idhnime. Kur ishim keq e kur ishim mirë. E ke edhe nji vlla këndej diku në Ballkan ku ‘njerëzit fytyrat i kanë të rrudhuna sikur peizazhet në të cilat jetojnë’. Të do përgjithmonë vllau”, ka shkruar Ukaj krahas komunikimit me Bajrajn.
Për dramaturgun e regjisorin Fadil Hysaj, maestro Bajraj iku pa thënë shumë gjëra.
“U shokova, s'mujta me besu se është e vërtetë. Xhevdet Bajraj, mendja më kreative e poezisë shqiptare paska ik në amshim! Një poet maestral që krijoi vargje marramendëse, të cilat të përmbushin me ndjesi sublime në çastin kur i lexon duhej të kishte jetue me gjatë! Ai kishte edhe shumë të pathëna tjera për nanën, për plagët e Kosovës për Rahovecin, që prisnin radhë për vargëzim në laboratorin e tij kreativ”, ka shkruar Hysaj. Ka rikujtuar se kishin plane të realizonin diçka bashkë, “që vargjeve me ju dhanë edhe jetë skenike”. “Nuk arritëm me e ba këtë vitin që shkoi. Më mbetet ta provoj me e ba këtë vetëm me shpresën se brenda vargjeve që do t’i inskenoj do ta ndiej praninë shpirtërore të tij”, ka shkruar Hysaj.
Poeti rrëmbyes që me varg “mbrohej nga jeta”
Sa i përket krijimtarisë së Bajrajt, shkrimtari e studiuesi i letërsisë, Adil Olluri, ka thënë se poezinë e Xhevdet Bajrajt, e këtij poeti rrëmbyes, do ta lakmonte secili lexues, secili autor veprash, secili botues dhe secila letërsi. “Por, ja që letërsia shqipe e pati fatin ta kishte të vetin. Ligjërimi i tij mjeshtëror poetik e ka nderuar dhe e ka ngritur nivelin e letërsisë dhe poezisë së sotme shqipe”, ka thënë ai.
Bajraj dhe poezia duhet të kenë qenë një. Në intervistën për gazetaren Silvia Isabel Gámez, kur ishte pyetur se si vinin vargjet tek ai, poeti përgjigjej se nuk priste që muza të shkonte tek ai.
“Ose muza, e lodhur nga kaq shumë vajtje-ardhje, ka vendosur të jetojë në mua dhe të hajë, të pijë e të flejë me mua. Ndonjëherë ne zihemi, në raste të tjera duhemi. Unë nuk e pres atë, më mirë e zgjoj atë në veten time”, thoshte ai. Sipas tij, sekreti i vetëm krijues ishte që të ulej për të shkruar.
“Krijimin poetik herë e përjetoj si lindje, e herë si vdekje, por në të dyja rastet ndjesia është sublime. Fillova të shkruaj për t’u mbrojtur nga jeta. Nuk mendoja as për lexuesit, as për suksesin. Thjesht më duhej të hiqja një peshë që më merrte frymën. Dëshira ime e vetme ishte të deshifroja errësirën që ma gllabëronte shpirtin”, kishte thënë ai.
Për Bajrajn si poet, shkrimtari e aktori Shpëtim Selmani ka thënë se ishte i pazakontë.
“Vepra e tij është fund e krye një shenjtërim i lirisë, si e drejtë elementare e qenies njerëzore e së voni një elegji e mallit për vendin e vet, i cili nuk ia dha kurrë një vend të merituar”, ka thënë Selmani, që më 2020 qe laureat i Çmimit të Bashkimit Evropian për Letërsi për veprën “Libërthi i dashurisë”.
Ai ka thënë se Xhevdet Bajrajn e ka njohur nëpërmjet vëllait të tij, Fadil Bajraj, përkthyesit të shquar. Ka qenë Fadili ai që ka dhënë kumtin për vdekjen e të vëllait, poetit të madh.
Selmani ka kujtuar se ishte i ri dhe gjithnjë në takimet që i kanë pasur me miq i ka lënë përshtypje maturia e tij njerëzore.
“Mënyra se si e pinte puron. E kam vështruar tinëz. Dhe e kam admiruar. Ka qenë njëri nga mësuesit e mi. Bashkë me Fadilin, Benin, Matoshin, Maliqin”, ka thënë ai. E ka konsideruar veten me fat që e kanë pranuar në grupin e tyre dhe se ende rruga e tij letrare ka gjurmët e tyre.
“Kam biseduar me Xhevdën para ca muajsh dhe e kishim lënë të pinim birra përsëri të gjithë së bashku nëse do të ishte e mundur. Njerëzit më të mirë në Kosovë vuajnë tmerrësisht. Në këtë pellg të madh të fekaleve sall të ligët ia dalin”, ka thënë Selmani.
Madhështia e fjalës dhe malli ndër vargje
Si dramaturg, publiku i Kosovës midis tjerash mund ta “prekte” Bajrajn në vitin 2013, kur Teatri Kombëtar i Kosovës inskenoi monodramën e tij, “Vrasja e mushkonjës”. Nën regji të Donart Hasanit e me lojë të Ismet Azemit, monodrama poetike me temë nga realiteti i përditshëm mbarëshqiptar kishte në qendër fatin e një burri pa emër, moshë dhe profesion.
“Është e vështirë ta kuptosh atë që në fillim, duket sikur çoroditja e tij nuk ka sens dhe adresë, sikur çdo fjalë e artikuluar është e varur rrënjësisht nga situata e dehjes në të cilën ndodhet, sikur shkëputja nga realiteti e bën që të jetë shumë pak tokësor”, përshkruhej drama asokohe. Bajraj rëndom ishte aty ku ishin poezia, arti e muzika. Vlerat e mirëfillta të artit. Pak shihej në takime institucionale. Sivjet u nderua me çmimin vjetor për poezi “Ali Podrimja” për librin “Burri që lozte me engjëj”, nga Ministria e Kulturës. Nuk qe në dorëzimin e çmimit.
Ministria e Kulturës, të mërkurën e ka përshkruar Bajrajn si figurë unike të poezisë dhe letërsisë shqipe, që edhe duke jetuar larg vendit që nga 1999, e mbajti gjithmonë gjallë në poezi dhe dramë, mes tjerash nostalgjinë për Kosovën si pjesë e përhershme dhe e pandashme e tij.
“Kontributi i Xhevdet Bajrajt në letërsinë moderne shqiptare është i pakrahasueshëm. Fitues i çmimeve kombëtare e ndërkombëtare, Bajrajn ta kujtojmë përmes madhështisë së fjalës dhe mallit të shprehur ndër vargje. Sot ne nuk humbëm vetëm një poet, por humbëm një artist me vlera të larta e një njeri të çmuar”, shkruhet në faqen e Ministrisë së Kulturës në Facebook.
Familjarët e Bajrajt nuk i kanë bërë ende të ditura hollësitë e varrosjes së poetit, i cili vdiq në Meksikë. Bajraj pritet t’i kthehet Kosovës, por nëpërmjet veprave të tij e përfshirjes së krijimtarisë nëpër antologji gjithandej botës ai përherë do të jetë krijuesi shtegtar që i dërgoi botës një pjesë të artit më fisnik të këtyre anëve.