Kulturë

“Wake up on Mars” rikthehet me ëndrrën për një botë më të mirë

Ka rrugëtuar gjithandej, aktualisht garon për çmim prestigjioz në Zvicër, por çdo rishfaqje e “Wake Up on Mars” i Dea Gjinovcit hap këndvështrime të reja. Kësaj radhe – i shfaqur në një kohë kur Ukraina përballet me luftë e krejt bota me frikën prej saj – më fort del në pah ëndrra e djaloshit Furkan për të jetuar në një botë tjetër, larg prej problemeve që janë familjare në rastin e tij, por universale si tërësi

Ka kohë që po rrugëton nëpër botë, është shfaqur para gati dy vjetësh dhe në “DokuFest”, është rikthyer në Prishtinë, por “Wake Up in Mars” i Dea Gjinovcit çdo herë hap këndvështrime të reja. Luan rol edhe koha kur shfaqjet, si rasti i tanishëm kur bota i ka sytë nga Ukraina në flakët e luftës dhe njerëzit që luftojnë për mbijetesë. Mbi të gjitha, “Wake Up...” në thelb ka ikjen nga realiteti. Ngjarja s’ka të bëjë me të tashmen, por është temë universale, e përhershme.

Monologu i djaloshit, që del të jetë personazhi kryesor i filmit, shfaqet i pari. Filmi i realizuar në vitin 2020, të enjten mbrëma është shfaqur në kinemanë “Armata” në Prishtinë. Publiku ka pasur mundësi që në rreth një orë të shohë për së afërmi sfidat e një familjeje rome që kërkon azil në Suedi. Donjeta, 16-vjeçare dhe Ibadetja, 17-vjeçare janë dy personazhe rreth të cilave zhvillohet e gjithë biseda. Gjatë gjithë filmit, vajzat janë në komë pasi që vuajnë nga e ashtuquajtura “sindromë e tërheqjes traumatike”. Familja rome për aq sa jetonte në Kosovë e kishte humbur shpresën që një ditë do të zgjohen. Por, kjo ndryshon në Suedi. Aty e gjejnë sigurinë për të ardhmen. Shpresa për një jetë më të mirë u duket e prekshme tani. Vajzave në komë u rrëfejnë gjithçka. Furkani, fëmija më i vogël i familjes e vuante më së shumti gjendjen e motrave të tij. Historinë e kësaj familjeje, Gjinovci e kishte mësuar në “New Yorker”, dhe më pas kishte insistuar ta takojë me çdo kusht familjen Demiri. Vizitat atje më pas do të bëheshin të shpeshta e lidhja me familjen veçse do të forcohej.

“Imazhi i parë i këtij artikulli më ka emocionuar. Për disa javë e kam pasur në mendje”, ka rikujtuar Gjinovci. Takimi i shpeshtë me familjen Demiri e ka bërë regjisoren kosovare që jeton në Zvicër që të fascinohet nga bota e brendshme e Furkanit. Në zërin e tij të brendshëm, ai fajëson veten për gjithë situatën. Për këtë ka shpesh edhe dhimbje në stomak. I kujton motrat sa ishin zgjuar. Furkani synon planetin e Marsit për t’u zgjuar në një botë më të mirë.

“Çfarë më ka emocionuar shumë është takimi me Furkanin, një fëmijë me shumë gjëra brenda. Atëherë pata një dëshirë ta bëj filmin për një fëmijë që nuk i shpalos brengat”, ka thënë Gjinovci në diskutimin e realizuar me regjisorin Ilir Hasanaj dhe të pranishmit në Kino “Armata”. Pyetjet më të shumta kanë qenë të drejtuara pikërisht për personazhin kryesor të filmit, Furkanin, dhe reagimet e tij pas filmit. Është vlerësuar edhe loja e personazheve në film, të cilët nuk janë aktorë, por që me origjinalitet kanë shpalosur historinë e tyre familjare. Gjinovci ka treguar se kur Furkani e kishte parë filmin, vetë ai ishte fascinuar duke iu referuar vetes si një aktor që mund të prekë Hollywoodin.

“Ai kishte një imagjinatë të bujshme për të shkuar në Mars me një raketë. Ishte e vështirë për një fëmijë që nuk ka dëshirë të jetojë në tokë dhe kërkon një jetë më të mirë në Mars”, ka thënë Gjinovci në diskutimin e saj.

Nga të pranishmit ka pasur interesim edhe për reagimin e familjarëve pasi që e kanë parë filmin. Ibadetja dhe Donjeta, të cilat janë zgjuar nga koma, janë në fazë rehabilitimi dhe nuk e kanë parë. Filmi ka ndikuar pozitivisht te kryepersonazhi Furkani. Procesi i filmit ka ndikuar edhe në rritjen e vetëbesimit të tij.

“Furkani ishte një fëmijë me shumë vështirësi dhe në fundin e filmit ka ndryshuar shumë, sepse e kam pasur një ekip ndërkombëtar dhe ai ka filluar të flasë edhe anglisht me ekipin dhe çdo ditë vinte aty për të luajtur me raketë”, ka treguar regjisorja Gjinovci.

Image
“Ai kishte një imagjinatë të bujshme për të shkuar në Mars me një raketë. Ishte e vështirë për një fëmijë që nuk ka dëshirë të jetojë në tokë dhe kërkon një jetë më të mirë në Mars”, ka thënë regjisorja Dea Gjinovci për kryepersonazhin e filmit të saj, në diskutimin pas shfaqjes së “Wake Up on Mars”, të enjten mbrëma në kino “Armata”

Filmi që flet edhe për sfidat e diskriminimin e familjes rome synon të dërgojë në botë mesazhe universale. Tërthorazi trajton tema që lidhen me racizmin. Për Gjinovcin më e rëndësishmja ishte që të përcjellë historinë e këmbënguljes së familjes për të mos u dorëzuar nga sfidat, si dhe dashurinë që e përcjellin ata te njëri-tjetri.

“Për mua ishte e rëndësishme ta tregoj historinë me gjuhën e humanitetit dhe të dashurisë. Një familje që i mbijeton kësaj situate. Fëmijët e dëshpëruar nga procesi i imigrimit saqë fëmijët duan të mos jenë pjesë e kësaj bote”, ka thënë ajo. Sipas saj, situata që shpërfaqet në film hap debat për pyetje të tjera se si duam të jemi ne si shoqëri dhe se në çfarë normash duam të jetojmë. Sipas Gjinovcit, kjo lidhet dhe migrimin në Evropë, sidomos edhe pas gjendjes me luftën në Ukrainë. Në situata si këto, sipas Gjinovcit, reflektojnë normat e një shoqërie.

“Mendoj që për shkak te diskriminimit, edhe procesi i azilit ka zgjatur për shkak se janë romë”, ka thënë tutje ajo të enjten mbrëma. Ka treguar se gjatë diskutimit fillimisht me familjen rome kishte dëgjuar historitë e tyre të diskriminimit, por që u bindën lehtë për të bashkëpunuar për filmin.

“E kam pasur një lidhje shumë të mirë me familjen pasi që ata e kuptuan se unë isha vërtet për të dëgjuar dhe kuptuar gjithë historinë”, ka rrëfyer ajo. Përveç historisë reale të filmit, Gjinovci është munduar t’i nxjerrë në pah veçmas ëndrrat e familjes dhe aspektet që lidhen me humanizmin e tyre. Për filmin e saj, Gjinovci ka marrë jo pak lëvdata të enjten në kino “Armata”.

“Ky nuk është film dokumentar fare, por është film i ndërtuar duke u afruar me atë familje dhe duke i parë ëndrrat e tyre. Filmi është shumë perfekt i punuar. E përcjellë gjithë imagjinatën. Është një film shumë mirë i luajtur. Dea e ka bërë këtë film perfekt”, ka thënë publicisti dhe kritiku i artit, Shkëlzen Maliqi.

“Wake Up on Mars” është shfaqur në 40 festivale ndërkombëtare. Aktualisht është në garë për dokumentarin më të mirë për çmimet kombëtare të filmit që ndahen në Zvicër. Të gjithë filmat, përfshirë edhe “Wake Up on Mars” ku nuk mungon as guximi, por as inovacioni, do të shfaqen për publikun në kuadër të organizimit “Java e të nominuarve” që do të mbahet prej 21 deri më 27 mars të këtij viti në “Cinémas du Grütli” në Gjenevë dhe në “Filmpodium” në Zürich. Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet po ashtu në Zürich më 25 mars. “Çmimi zviceran i filmit”, që ndryshe quhet edhe “Quartz”, është çmimi kombëtar i filmit në Zvicër dhe për herë të parë është dhënë në vitin 1998. Ndër të tjera, “Wake Up...” ishte pjesë e festivalit “Tribeca Film Festival” në New York dhe “Visions du Réel Festival” në Nyon të Zvicrës. Premierën kosovare e pati në gusht të 2020-s në festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”, ku bëri histori si i pari i film i një regjisoreje kosovare në garën ndërkombëtare për dokumentarë të gjatë.