Kulturë

“Vullkani i Republikës” kthen në Mensë aktin e historisë dramatike

Fiks dyzet vjet më parë, në një pasdite të ftohtë marsi, në Mensën e Studentëve filloi akti i parë i një historie dramatike, që do të përcaktonte vendimtarisht zhvillimet e mëvonshme në Kosovë e në krejt Jugosllavinë. Ajo që filloi si rrapëllim e thyerje enësh në Mensën e Studentëve, brenda orësh, ditësh e javësh u shndërrua gati në një epope në vete. Ish-të burgosur politikë, veprimtarë e pjesëmarrës të demonstratave studentore të 1981-s, të enjten janë ribashkuar në shënimin e 40-vjetorit. Ekspozita “Vullkani i Republikës” ka qenë një prej ngjarjeve në Mensë e po këtë ditë është vënë edhe gur themeli i memorialit pranë këtij objekti

Prishtinë, 11 mars – Në pasditen e 11 marsit 1981, Prishtina po ngryste një tjetër ditë në dukje të zakonshme. Por një rrapëllitje e thatë enësh e pjatash brenda Mensës së Studentëve do të bëhej prologu i një trandje të madhe që do të vinte pikëpyetjen e parë mbi realitetet e fshehura të Jugosllavisë.

Nuk kishte kaluar as një vit prejse kishte vdekur Josif Broz Tito. Në varrimin ku qenë të pranishëm përfaqësues nga 128 shtete të botës po i jepej lamtumira e fundit njeriut që mitizohej si emblema e kompromisit ideologjik mes Lindjes dhe Perëndimit. Por pasditja e 11 marsit në Prishtinë do të bëhej më shumë sesa “prishja e rendit”, siç e lajmëroi “Tanjugu” e pas tij e gjithë fanfara e mediave jugosllave.

Pezmi për kushtet e rënda brenda Mensës së Studentëve për pak orë do të shndërrohej në hakërrim për gjendjen e përgjithshme politike në Kosovë.

Sado e thënë për një gjendje tjetër, përshkrimi i gazetarit polak Ryszard Kapuściński vlen njësoj edhe për 11 marsin e 1981-s: revolucioni bëhet gjendje e përjetueshme në çastin kur protestuesi goditet nga shkopi i policit dhe beftas nuk ndien frikë prej autoritetit të tij.

“Veprim i dëmshëm shoqëror”, ishte qëndrimi i parë zyrtar, të cilin “Rilindja” e përktheu fjalëpërfjalshëm nga “Tanjugu”.

“Në Qendrën e Studentëve në Prishtinë mbrëmë u prish rendi publik nga ana e një grupi studentësh. Ndodhi kështu kur disa elementë armiqësorë u përpoqën të shfrytëzonin pakënaqësinë e një numri studentësh për shkak të ushqimit në mensën e tyre. Pas angazhimit të studentëve, personelit mësimdhënës të Universitetit dhe aktivistëve të tjerë, ky grup u shpërnda dhe të gjithë shkuan në shtëpitë e tyre. Organizatat shoqërore-politike të studentëve, punonjësit e Universitetit dhe qytetarët dënuan këtë incident të dëmshëm shoqëror. Mësimi dhe puna në Universitetin e Prishtinës po zhvillohen normalisht”, shkruante njoftimi i parë për ngjarjet e një dite më parë.

Image
Ekspozita “Vullkani i Republikës”, që ka zënë vend në platenë në hyrje të Mensës së Studentëve, ka bërë bashkë materiale dokumentare të kohës, në të cilat përthyhen perspektiva të ndryshme mbi demonstratat e marsit dhe prillit 1981

“Kishte potencial protestues edhe jashtë Universitetit”

Por vetëm normalitet më nuk do të kishte. Sprapsja e qindra studentëve nga policia nuk i vuri fre resentmentit popullor. Me fjalët e një studiuesi të njohur si Oliver Schmitt, “në ditët në vijim tubimet u zgjeruan dhe kjo tregon se edhe jashtë Universitetit kishte potencial protestues”.

“Paqja” e arritur me anë të forcës do të kohëzgjaste fare pak: javët e ardhshme kërkesa gjithnjë e më të mprehta politike do t’i jepnin tonin karakterit të përgjithshëm të protestave.

Më 26 mars, studentët dolën me kërkesën për t’i dhënë fund pozitës kushtetuese të papërcaktuar qartë të Kosovës. Refuzimi për t’u marrë në konsideratë përshkallëzoi gjendjen edhe më. Më 1 prill, studentë, punëtorë e nxënës shkollash u grumbulluan në qendër të Prishtinës gjersa repartet me milicë jugosllavë u ndërsyen kundër tyre. Sipas të dhënave të kohës, mobilizimi i forcave ushtarake dhe policore jugosllave arriti në përpjesëtime të pabesueshme: rreth 45 mijë ushtarë e 20 mijë milicë u vendosën në Kosovë në emër të gjendjes së jashtëzakonshme.

Një epilog dhune: dhjetëra protestues të vdekur, qindra të plagosur e mijëra të tjerë në duart e organeve të hetuesisë dhe sigurimit jugosllav.

“Vullkani” i protestave përmes arkivave

Përtej kronologjisë së protestave të marsit dhe prillit, ajri i ngjarjeve të ndodhura 40 vjet më parë është shpalosur të enjten me rastin e ekspozitës “Vullkani i Republikës”, të organizuar nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës.

Në fakt, ekspozitës në fjalë i ka paraprirë vënia e gur themelit të memorialit që përkujton revoltën studentore.

Në ceremoninë e mbajtur me këtë rast, veprimtarë, pjesëmarrës dhe të burgosur politikë kishin zënë vend në shkallët e Mensës së Studentëve, aty ku katër dekada më parë shpërtheu kryengritja shqiptare.

Në emër të Këshillit Organizues “Pranvera Shqiptare 81”, Xhevat Bislimi, ka thënë se dyzet vjet më parë ndodhën veprime kryengritëse që u bën “shkëndija e zjarrit” për bashkimin kombëtar.

Fill pas tij, Hydajet Hyseni nga Shoqata e ish-të Burgosurve Politikë ka thënë se “Pranvera shqiptare” po i bën bashkë njerëzit edhe në një gjendje të pazakontë si pandemia.

“Sot na bashkoi edhe ndryshimi i motit që në mënyrë simbolike sjell klimën e para dyzet vjetëve, kur përfundoi dimri i acarit dhe erdhi pranvera e armëve”, ka thënë Hyseni.

Image
Ekspozitës i ka paraprirë vënia e gur themelit të memorialit që përkujton revoltën studentore

I pranishëm në ceremoni ishte edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili ka vlerësuar se demonstratat e vitit 1981 janë prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë moderne shqiptare.

“Këto protesta janë baza e shtetit të Kosovës, por edhe shenjë e një populli që tregoi se po jetonte”, ka thënë kryetari Ahmeti teksa ka shtuar se është nder që kryeqyteti do të ketë një memorial të tillë.

Nga Maqedonia e Veriut kishte ardhur edhe kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Luftës, Fazli Veliu, i cili ka përkujtuar angazhimin e grupeve ilegale, përfshirë edhe të studentëve nga trevat shqiptare në Maqedoni.

“Djemtë dhe vajzat e Kosovës e treguan heroizmin e tyre që nga Ylfete Humolli e deri te Hyrë Emini”, ka thënë Fazliu.

Në emër të studentëve të asaj kohe, Ramadan Gashi, me një fjalë rasti për të pranishmit, ka thënë se marsi është një muaj i festave të mëdha për arritjen në fushën e të drejtave kombëtare.

“Demonstratat e 81-s ishin shkëndija e paralajmërimit të shembjes së perandorisë së sllavëve të jugut”, ka thënë Gashi.

Koha e parullave

Ekspozita “Vullkani i Republikës”, që ka zënë vend në platenë në hyrje të Mensës së Studentëve, ka bërë bashkë materiale dokumentare të kohës, në të cilat përthyhen perspektiva të ndryshme mbi demonstratat e marsit dhe prillit 1981.

Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Bedri Zyberaj, ka thënë se materialet arkivore sjellin fotografi të kohës, aktgjykime e lajme gazetash e revistash legale e ilegale të kohës.

“Ngjarjet që filluan në mensë janë të një rëndësie të veçantë”, ka thënë Zyberaj.

Në ekspozitën që do të jetë e hapur tri ditë radhazi janë shpalosur edhe aktgjykime të prokurorisë së asokohshme publike.

“Në emër të popullit” është përbashkuesi i shumicës së tyre, ku të rinjtë pjesëmarrës akuzoheshin për vepra penale të cenimit të rendit publik e kushtetues të shtetit jugosllav.

Vargut të dokumenteve të shpalosura në ekspozitë i janë shtuar edhe transkripte nga diskutimet që ngjanë në Kryesinë e Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste të Kosovës.

“U kryen provimet pranuese dhe kualifikuese sipas planeve dhe kritereve të përzgjedhura”, thuhet në një nga dokumentet e organeve të pushtetit, me anë të të cilave raportohet për “normalitetin” e gjendjes.

Një dosje tjetër me titull “Dokumentacija uvidaja” (Dokumentacioni i hetimit), që është protokolluar më datë 18 korrik 1981 në Sekretariatin Komunal të Punëve të Brendshme, përmban fotografi të parullave “me përmbajtje armiqësore” që ishin shkruar në mure e dyer shtëpish.

Aktiviteti i ditës është përmbyllur me organizimin e një tryeze diskutimi për 11 marsin brenda mjediseve të Mensës së Studentëve, si dhe me përurimin e librit të Jonuz Jonuzajt “Ngritja e Historisë”.

© KOHA Ditore

Vinjetë:

Folegjenda:

Folegjenda: