Kulturë

Vjedhja e dëmtimi i minibibliotekave në kryeqytet – imazh i keq, tregues i mendësisë

Prej dymbëdhjetë minibibliotekave të vendosura në kryeqytet, kanë mbetur veç tri. Nëntë janë larguar pas rastit kur njëra u vodh e tëra e u copëtua për skrap. Vetëm ajo në “Taukbahçe” ka libra, pasi për të kujdeset një qytetar. Dy të tjerat janë bosh. Rasti i minibibliotekave, sipas sociologëve e shkrimtarëve, nuk shpërfaq vetëm qasjen ndaj kulturës e leximit. Është tregues i mendësisë ndaj publikes e së përbashkëtës

Ndër vite është diskutuar nëse objektet mund të pasqyrojnë kulturën e një vendi dhe nëse po, në çfarë forme. Disa argumentojnë se objektet tregojnë një rrëfim me mirë sesa do ta bënte një shkrimtar a historian. Shikuar në këtë aspekt, atëherë objekte të tilla që rrëfejnë goxha shumë për vendin gjendeshin edhe në kryeqytet. Nëpërmjet tyre, në një formë a tjetrën, mund të hamendësosh kulturën e vendit. Minibibliotekat që ishin vendosur në 12 lokacione të ndryshme në kryeqytet tashmë janë bërë imazhi i shëmtuar i kryeqytetit.

Fillimi i mbarë dhe zhgënjimi i menjëhershëm

Në nëntor të vitit 2019 nisi vendosja e dymbëdhjetë minibibliotekave në kryeqytet. Brenda dy muajve u bë finalizimi i tyre. U lyen me ngjyra që gërshetoheshin me ambientin përreth – kryesisht zi dhe kaltër – dhe në secilën prej tyre u vendosën rreth 100 libra. Tituj si “Evgjeni Grande” i Balzakut, “Vilhelm Teli” i Schillerit e “Rikardi i Dytë” i Shakespeareit ishin veç disa nga kryeveprat që zinin vend në raftet e minibibliotekave. Kishte tituj për të rritur dhe për fëmijë. Qëllimi ishte që njerëzit që kalonin andej t’i merrnin librat dhe t’i lexonin, ose edhe t’i përvetësonin, por me kushtin e shkëmbimit me një libër tjetër që do ta linin në minibibliotekë. Kjo qe sqaruar në një copëz letre që i ishte ngjitur secilës minibiblitotekë. Synimi i gjithë kësaj pune ishte nxitja e leximit. Drejtori i organizatës “ETEA”, Agon Ahmeti, në përurimin e minibiblotekës së parë, më 5 nëntor të vitit 2019, kishte thënë se ato do të arrijnë të bëhen pjesë e përditshmërisë së kryeqytetit.

“Libri do të jetë në dispozicion të kujtdo që dëshiron të lexojë. Derisa libri ekspozohet çdo ditë, banorët do ta kenë në mendje librin sa herë kalojnë para tyre”, kishte thënë ai. Anëtarët e organizatës “ETEA” ishin të bindur në suksesin e projektit. Por, gjithçka u kthye përmbys pak ditë më vonë. Thyerja e xhamave, gjuajtja me vezë, hedhja e mbeturinave brenda tyre dhe vjedhja e librave u bënë raste të shpeshta. Në prill gjendja u përkeqësua edhe më. Njëra prej tyre – ajo në lagjen “Qafa” – u vodh e copëtua për skrap. Krejt kjo u dokumentua edhe me video. Tashmë kanë mbetur vetëm tri prej tyre. “Kanë mbetur vetëm minibiblioteka te memoriali ‘Heroinat’, ajo te sheshi ‘Ibrahim Rugova’, dhe ajo në “Taukbahçe”. Përveç kësaj të fundit, të cilën po e mirëmban pronari i një kafeneje aty, këto për momentin janë pa libra”, ka thënë Ahmeti. Nëntë të tjera tashmë janë larguar.

Mosrespektim i asaj që është e të gjithëve

Vendosja e vitrinave të vogla me libra në lagje e pjesë të ndryshme të Prishtinës kishte gëzuar edhe ata që pjesë të pandashme të krijimtarisë së tyre e kanë librin.

Adil Olluri, shkrimtar e prozator, ka thënë se vendosja e tyre ishte gjë tejet e bukur që i ka ndodhur kryeqytetit. E ka cilësuar një qëllim ideal, të denjë për çdo fjalë miradije. Për të, minibibliotekat, si mision në vete, i japin Prishtinës ngjyrë të një qyteti që do kulturën dhe librin. Por, gjendja e tyre tani po del ta dëshmojë të kundërtën.

“Vjedhja e librave dhe shkatërrimi i tyre tregon shumë për mendësinë tonë. Më shumë se për mungesën e dashurisë për librin, tregon për mendësinë tonë që publiken, të përbashkëtën, nuk e konsiderojmë asnjëherë si të mirëqenë. Tregon se nuk e kemi fijen e respektit për atë që është e të gjithëve”, ka thënë ai.

Ka numëruar disa shembuj që, sipas tij, tregojnë qartë për karakterin e një populli që nuk e respekton publiken: qytetarët bërllokun e hedhin në rrugë, veturat i parkojnë në trotuar, ku do të duhej të lëviznin këmbësorët, librat në vitrinat e hapura vidhen, paraja publike përvetësohet paligjshëm.

“Për ne, ajo që është e përbashkët është e pavlerë, e parëndësishme dhe, si e tillë, lehtësisht zhbëhet. Po të dilte fjala se këto vitrina janë prona private të filan fistekut, jam shumë i bindur që nuk do të vidheshin librat në këtë mënyrë”, ka thënë ai. Sipas tij, shoqëria i druhet vetëm asaj gjëje që e di se i takon dikujt, që ka emër e mbiemër konkret, ndërsa po qe e të gjithëve, në çast e humb rëndësinë, zhvleftësohet.

“Pra, problemin me vitrinat e tilla në qytetin tonë unë e shoh pak më gjerë e pak më thellë sesa të një mungese të respektit vetëm për librin si i tillë”, ka thënë ai.

Sipas sociologes Rina Braimi, vandalizmi nga individë apo grupe të caktuara ndodh për disa arsye. Mund të jetë ndonjë mesazh që grupi ka për qëllim ta përçojë për ta shfaqur frustrimin, e të ngjashme.

“Në përgjithësi, shoqëria kosovare nuk e ka të instaluar kulturën e të lexuarit dhe libri nuk vlerësohet dhe nuk shihet si material i vlefshëm. Mendoj që kjo është arsyeja kryesore pse këto minibiblioteka janë cak i vandalizmit”, ka thënë ajo. Sipas saj, kjo temë mund të lidhet edhe me atë se sendet, materialet e objektet që vendosen në hapësira publike qytetarët nuk i konsiderojnë si diçka të tyren dhe rrjedhimisht kujdesi ndaj tyre është shumë i vogël.

Test për dashurinë ndaj librit

Minibiblioteka në “Dardani”, pa kaluar 24 orë nga inaugurimi, u gjuajt me vezë. Pas saj, më 15 nëntor të 2019-s ishte hapur minibiblioteka në lagjen “Ulpiana”, ndërsa më 21 nëntor, në të njëjtën ditë me atë në “Breg të Diellit” dhe “Lagje të Spitalit”, ishte hapur edhe një në “Velani”. Të parës fillimisht i ishin thyer xhamat dhe, si rrjedhojë e dëmtimeve, ishte vendosur në një pikë të re, përkatësisht në parkun e ri afër sallës së sporteve "1 Tetori". Të dytës i ishin vjedhur librat. Më 12 dhjetor të atij viti ishte inauguruar minibiblioteka në sheshin “Adem Jashari” dhe ajo në kampusin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Dëmtime kishte pësuar edhe kjo e fundit, prandaj ishte zhvendosur te parku “Heroinat”. Më 24 dhjetor ishin vendosur minibibliotekat të “Qafa” dhe në “Arbëri”, një ditë më pas ato në "Parkun e Qytetit" e në "Taukbahçe", për ta përmbyllur këtë projekt me minibibliotekën në sheshin "Ibrahim Rugova". Organizata shpalosi edhe planin për zgjerimin e projektit edhe në qytete të tjera të Kosovës.

Pas kësaj erdhi pandemia. E, me t’u liruar masat, dëmtimi i minibibliotekave e ktheu organizatën “ETEA” në kryeqytet. Ajo u dha tri minibiblotekave imazh të ri, me shpresë se kjo do ta shpëtonte projektin e tyre – veçanërisht pas njoftimit nga Komuna e Prishtinës se do t’i largojë për shkak se po i japin pamje të shëmtuar qytetit. Kërkuan ndihmë edhe nga festivali i muraleve “Mural Fest”.

Minibibliotekës në sheshin “Adem Jashari” ia pikturuan portretin e shkrimtarit Ali Podrimja dhe ia dhanë emrin e tij, ndërsa Simone de Beauvoir dhe Jean Paul Sartre u portretizuan në minibibliotekën e vendosur në parkun “Heroinat”. E minibibliotekës në sheshin “Ibrahim Rugova” ia dhanë emrin dhe portretin e shkrimtares së parë shqiptare Musine Kokalari.

Studiuesja e letërsisë dhe përkthyesja Meliza Krasniqi, e cila ka botuar studimin monografik pikërisht për shkrimtaren Musine Kokalari, kujton se njerëzit jo që nuk po i pranojnë minibibliotekat si të tilla, por nuk kanë respekt as ndaj punës së autorëve.

“Libri, pra vepra, është punë. Së pari duhet të mësohet të respektohet puna, rrjedhimisht të respektohet puna e autorit të veprës. Në anën tjetër, është edhe çështja e dashurisë ndaj librit. Fëmijët dhe nxënësit lexojnë pak, lexojnë ato që kërkohen në shkollë e që u duken të mërzitshme, lexojnë për detyrim, andaj çdo libër për ta perceptohet si i tillë, obligim i mërzitshëm shkollor pra”, ka thënë ajo. Sipas saj, këto janë disa prej arsyeve pse minibibliotekat e lezetshme dhunohen, por jo vetëm.

Portretizimi i figurave të njohura në minibiblioteka ishte një test që nuk pati sukses, pasi shumë shpejt këto tri minibiblioteka u zbrazën dhe mbetën pa asnjë libër. Ishte rasti i prillit të sivjetmë kur minibiblioteka te “Qafa” u vodh e u copëtua, ai që e shtyri drejtorin e organizatës, “ETEA”, Agon Ahmeti, që të marrë vendimin që minibibliotekat e dëmtuara ose të zbrazëta të largoheshin nga qyteti në mënyrë që të mos mbesin të tilla siç kanë mbetur. Shpresat u shuan edhe për projektin arkitekturor të Kosovare Sadikut për realizimin e minibibliotekave edhe në qytetet e tjera si hapësira pushimi, ku edhe mund të lexohet.

“Është një projekt shumë i mirë dhe ka qenë një ide që na ka entuziazmuar që të vazhdojmë tutje me këtë projekt, por duke e parë gjendjen se me çfarë jemi përballur me këto 12 minibiblioteka që u vendosën, nuk do të ishte shumë e mençur që të vazhdonim me minibiblioteka të tjera përderisa nuk ishim në gjendje t’u bënin ballë sulmeve dhe dëmtimeve të minibibliotekave.