Kulturë

Vizitorët nga Kosova rrisin numrin e turistëve kulturorë në Korçë

Muzeu i Arsimit në Korçë

Muzeu i Arsimit në Korçë

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë gjatë vitit 2024 ka shënuar rritje të numrit të vizitorëve duke u radhitur si njëri prej atraksioneve të këtij qyteti, por jo i vetmi.  

Drejtoresha e këtij institucioni, Fjoralba Prifti, ka thënë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se për vitin e kaluar, vizitueshmëria u rrit me rreth 50 për qind më shumë se një vit më parë. Shifra arriti në mbi 37 mijë vizitorë: 21 mijë prej tyre vizituan Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar, 15 mijë ishin vizitorë të Muzeut të Arsimit dhe një mijë e 425 të Muzeut Arkeologjik të Korçës, i cili përkohësisht është i mbyllur për restaurim. Muzeu i Arsimit dhe Muzeu Arkeologjik administrohen nga MKAM-ja.

Ndryshe nga muzetë e tjerë ku shumicën e vizitorëve e përbëjnë turistët e huaj, Muzeu i Arsimit u vizitua kryesisht prej vizitorëve vendës dhe shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

Drejtoresha e MKAM-it, ka thënë se për vitin 2025 janë në program një sërë aktivitetesh, mes të cilave botimi i numrit të tretë të revistës “Mbi Artin Mesjetar“, botim i përvitshëm i muzeut, ku studiues të njohur e specialistë referojnë me artikuj të ndryshëm.

Duke qenë se ky vit përkon me 45-vjetorin e MKAM-së si dhe në kuadër të Ditës së Muzeve, MKAM-ja do të organizojë ekspozitë, sesion shkencor, si dhe aktivitete të tjera, lidhur me programin “Edukimi mbi kulturën”.

Prifti citohet të ketë thënë se janë në program punëtori, zhvillime bisedash, ekspozita, si dhe koncerte me nxënës të grupmoshave të ndryshme. Disa nga këto aktivitete do të zhvillohen edhe online si ekspozita “Origjina dhe artizanati” dhe cikli “Mes trashëgimisë kulturore dhe artit”. 

“Këto aktivitete do të zhvillohen si online ashtu dhe në muze, ku ekspozohen objekte muzeale të etnografisë dhe zhvillohen takime me artizanë të ndryshëm, të cilët do të flasin mbi punët e tyre. Në kalendarin e aktiviteteve të MKAM-së janë vendosur edhe aktivitete të cilat muzeu i organizon në bashkëpunim me partnerë të tjerë, si në rastin e Javës Evropiane të Trashëgimisë Kulturore dhe Ditës Kombëtare të Trashëgimisë”, ka thënë ajo. 

Kjo qendër muzeore është një nga më të rëndësishmet në vend. U përurua më 24 prill 1980 dhe brenda saj zhvillon aktivitetin edhe Qendra e Restaurimit dhe Studimit të Ikonave, e cila vazhdon me një punë të përditshme projekte mbi restaurimin, konsolidimin, studimin, e të tjera.