Kulturë

Vizitorët e Koloseumit më në fund midis fantazmave të luanëve e gladiatorëve

“Mesi i zemrës së Romës nuk është mermeri i Senatit, por është rëra e Koloseumit”, thotë senatori romak Gracchus në filmin “Gladiatori”, fitues i çmimeve “Oscar” në vitin 2000.

Amfiteatri i gurtë, 2 mijë vjet i vjetër, më i madhi në Perandorinë Romake, është atraksioni më i njohur turistik i Italisë, që tërhoqi 7.6 milionë vizitorë në vitin 2019.

Por, zemra e këtij monumenti, pasazhet nëntokësore, kafazet dhe dhomat ku të burgosurit, kafshët dhe gladiatorët prisnin të kalonin nëpër dyer të mbyllura për të dalë në arenën mbi kokat e tyre – u hapën për publikun vetëm të premten pas rinovimeve të gjata.

Më shumë se 80 arkeologë, arkitektë dhe inxhinierë punuan në hypogeumin 15 mijë metra katrorë për dy vjet, për ta “rikthyer në qendër të vëmendjes një monument që e do e gjithë bota”, ka thënë Diego Della Valle, drejtori i “Todit”, grupi italian i modës që financoi projektin.

Ballkonet rrethore, të arritshme prej kohësh për turistët, dikur strehonin deri në 70 mijë spektatorë për të parë luftimet e gladiatorëve, ekzekutimet dhe gjueti kafshësh.

Tani një vendkalim i ri 160-metërsh zbulon një pjesë të monumentit që nuk ka qenë i arritshëm për vizitorët.

Është pjesa e dytë e një procesi me tri faza, që filloi tetë vjet më parë, me “Todin” që premtoi 25 milionë euro për ta paguar projektin – një nga disa restaurimet e monumenteve italiane që financohen nga firma e mallrave luksoze.

“Është e rëndësishme për kompanitë përkatëse që të vihen në dispozicion të vendit, duke kuptuar se çfarë mund të bëjnë për vendin”, ka thënë Della Valle. “Kjo është për ato vende të rëndësishme për Italinë, monumente që janë të njohura në të gjithë botën dhe rrisin turizmin, i cili nuk është vetëm argëtim, por një biznes i rëndësishëm në Itali, për të cilin, nëse kujdeseni si duhet, nuk keni asnjë rival në asnjë vend të botës”.

Faza e parë e ndryshimit, duke përfshirë një pastrim të fasadës, u përfundua në vitin 2016. Faza e fundit përfshin rinovimin e galerive, sistemin e ndriçimit dhe krijimin e një qendre të re vizitorësh. Projekti është thënë se do të përfundojë brenda tre vjetësh.

Veçmas, qeveria ka vendosur ta sigurojë monumentin antik romak me dysheme të reja të teknologjisë së lartë, që pritet të vendosen deri në vitin 2023.

Della Valle, i cili ndihmon gjithashtu në financimin e shtëpisë operistike “La Scala” në Milano, u bëri thirrje kolegëve sipërmarrës që ta “marrin një monument secili e ta restaurojnë”.