Kulturë

Viti i Ri festohet me KTV-në

Skema programore është gati, ekipi po ashtu dhe ka vetëm një kanal me të cilin festa merr kuptim. Me program të pasur, që nga orët e hershme të mëngjesit shikuesit do të kenë mundësi të argëtohen në një rrugëtim të gjatë me këngë e valle, biseda, komentim të ngjarjeve që e shënuan vitin e urime si pjesë e secilit prej emisioneve.

Festa e KTV-së do të nisë në mëngjesin e ditës së fundit të vitit. 31 dhjetori fillon me emisionin “SOT”, ekipi i të cilit ka përgatitur materiale të veçanta, lidhje direkte e intervista duke iu përgjigjur festës. Të gjitha këto do të vijnë drejtpërdrejt nga pjesa më festive e kryeqytetit. Atmosfera do të përcillet nëpër shtëpitë e shikuesve.

“Një program të pasur me emra të njohur të skenës muzikore shqiptare dhe jo vetëm do të ofrojë Kohavisioni gjatë ditëve të festës së Vitit të Ri. Përveç muzikës, do të ketë edhe biseda interesante me personalitete të spikatura shqiptare. Festa do të fillojë qysh herët në mëngjes, ndërsa transmetimi i drejtpërdrejtë nis me programin e mëngjesit ‘SOT’ që këtë herë nuk do të jetë edhe aq i hershëm”, ka thënë Edona Bekteshi-Shala, zëvendësproducente ekzekutive në Kohavision.

Paraditja e 31 dhjetorit do të sjellë atmosferën festive në shtëpitë e shikuesve me përmbajtje të prodhuar enkas.

“GËZUAR ME KOHËN 2024!” PËR TA VAZHDUAR FESTËN

31 DHJETOR, 20:00

Programi qendror i Kohavisionit do të nisë në orën 20:00. Do të jetë një natë maratonike me emrat më në zë të muzikës shqiptare.

“Fillimisht do të dëgjojmë këngëtarë të tjerë po aq të njohur, si Hysni Klinaku, Enkelejda Arifi, Nikollë Nikprelaj, Artan Bakija e shumë të tjerë. Pjesë e programit do të jenë edhe valltarët e ansamblit ‘Zëri i Kosovës’”, ka bërë të ditur Bekteshi-Shala.

Ndërsa një atmosferë festive do ta përçojë edhe grupi i këngëtarëve nën udhëheqjen e Shkumbin Kryeziut me programin “Labia festive” që nis prej orës 20:00.

Këngëtarja e mirënjohur shqiptare Irma Libohova, e përcjellë nga Familja Qerimaj, do të interpretojë live një repertor të pasur muzikor që do të nisë nga ora 22:30 nën moderimin e Lea Krajkovës. Një atmosferë me muzikë të vjetër qytetare dhe hite të Libohovës do ta bëjnë edhe më të veçantë natën e 31 dhjetorit.

“Shikuesit duhet ta përcjellin programin e Kohavisionit, sepse në zgjedhjen që kam bërë i kam vënë rëndësi sigurisht asaj pjesës alegro, që njerëzit kanë dëshirë të kërcejnë, ama i kam dhënë rëndësi edhe pjesës shumë artistike, sepse edhe këngët popullore jemi munduar t’i sjellim artistikisht, ama kjo pjesa tjetër e Familjes Qerimaj është një pjesë që ka një nivel shumë të lartë dhe është një zë i bukur që i vjen një koncerti, siç është ai i Vitit të Ri”, ka thënë Libohova.

Irma Libohova është njëra prej këngëtareve më të shquara të muzikës shqipe. Zëri i saj vlerësohet mes një brezi artistësh që i dhanë shumë skenës së muzikës shqiptare ndër vite.

“Jam munduar që të kem një dinamikë zhvillimi të të gjithë programit që të kulmojë në orën 22:30 dhe të vazhdojmë me po atë ritëm edhe pas orës 24:00”, ka thënë Libohova.

Image

Libohova përcillet nga Familja Qerimaj, e cila bashkon instrumentistët më me nam të Shqipërisë, me një traditë të kultivuar ndër breza. Ndërsa një atmosferë me këngë e valle do ta sjellin Motrat Mustafa pas cakërrimit të gotave. Një festë e paparë i pret shikuesit dhe nuk përfundon me kaq.

“SOT” LIVE NGA SHTËPIZAT NË SHESH

31 DHJETOR, 10:00

Me fillim prej orës 10:00, shikuesit i pret emisioni i mëngjesit “SOT”. Tërë ekipi realizues i emisionit do të jetë jashtë për të përcjellë atmosferën festive. Do të transmetohet drejtpërdrejt nga sheshi i Prishtinës. Materiale të veçanta e lidhje direkte me gazetarë, biseda në studio dhe personazhe interesante do ta karakterizojnë këtë emision, ku nuk do të mungojë as muzika live.

“TOP KOHA MUSIC” ME 23 KËNGËT E VITIT, FËMIJËT FESTOJNË ME “PFF”, 

31 DHJETOR, 16:00 dhe 17:20

Image

Festa do të vazhdojë me “Top Koha Music”. Nën moderimin e Sara Kocit, në këtë edicion festiv do të bëhet përzgjedhja e 23 këngëve më të dëgjuara të vitit. Festë të paharruar do të ketë edhe për shikuesit e vegjël, për të cilët ka menduar “Programi Fluturues i Fëmijëve”. Balerinat simpatike të “Behia's Dance”, kori i fëmijëve “Siparantum” me dirigjent Memli Kelmendin, dhe fëmijët e “Dancing House” janë pjesë e “PFF”- së.

RECETAT E LINDËS DHE MYSAFIRËT SPECIALË

31 DHJETOR, 18:00

Emisioni i gatimit “Te Linda” po ashtu ndryshon format në edicionin e fundit të vitit 2023. Pak orë pa hyrë në Vitin e Ri 2024 nëpërmjet ekranit të KTV-së Linda Haxhibrahimi do të sjellë receta të veçanta dhe biseda me të ftuar.

“Përpos recetave, në emisionin e saj Linda me të ftuarin, këngëtarin Frederik Ndoci, do të rrugëtojë nëpër ngjarjet e vitit që po shkon”, ka thënë Bekteshi-Shala, zëvendësproducente në Kohavision.

FATON ISUFI DHE FLORION THAQI NË NATËN E PARË TË VITIT TË RI

1 JANAR, 20:10

Image

Mbrëmja e 1 janarit nis me Faton Isufin e Florion Thaqi. Në një atmosferë të ngrohtë në ambientin e restorantit “Hamari”, kjo dyshe e përcjellë nga “Atalanta Band” do të interpretojë live repertorin e pasur me këngë shqiptare të dashura për publikun e gjerë.

KËNGË E BEFASI NË “1 KAFE ME LABIN”

1 JANAR, 21:00

Image

Edhe këtë edicion në emisionin që e shënon 21-vjetorin do të bëhen bashkë fytyra të njohura në skenën e vendit. Këngëtari i njohur dhe shumë i përfolur, Noizy vjen në një intervistë ekskluzive për edicionin festiv të “1 Kafe me Labin”. Pjesa muzikore e emisionit do të sjellë për shikuesit Leonora Jakupin, Alban Mehmetin, Yll Demajn dhe Buraku & grupin “Fama”.

MC KRESHA ME FËMIJËT NË UDHËTIM NË BOTËN E PËRRALLAVE

1 JANAR, 18:30

Image

Rap-artisti i njohur Mc Kresha në vazhdën e programit festiv të Kohavisionit vjen në një rol tjetër larg prej atij që publiku është mësuar ta shohë. Bashkë me ekipin realizues të KTV-së kanë shkuar në çerdhen “SOS” dhe Mc Kresha u ka lexuar fëmijëve përralla. Kanë qenë “7 Thuprat” e Anton Çettës dhe “Pusi magjik” i Vëllezërve Grim përrallat të cilat reperi i ka lexuar para fëmijëve dhe më pas bashkë kanë diskutuar për kuptimin e tyre.

“NËPËR FILM” ME FATMIR SPAHIUN

2 JANAR, 16:00

Emisioni që i dedikohet kinematografisë vitin do ta përmbyllë me aktorin dhe producentin e njohur Fatmir Spahiu. Suksese e arritura, rolet e filmat e realizuar në 2023-n vijnë për shikuesit në emisionin “Nëpër Film”. Vitin 2023, ndër të tjera, e shënoi edhe filmi “Escort” në të cilin Spahiu është bashkëproducent, e që u dha premierë botërore në edicionin e 70-të të Festivalit të Filmit në Pula të Kroacisë.

“FASHONISTA” PËR NGJARJET E SHËNUARA NË BOTËN E MODËS

2 JANAR, 17:15

Moderuar prej Sara Kocit, edicioni festiv i emisionit dedikuar modës do t’i çojë shikuesit nëpër ngjarjet kryesore në botën e modës gjatë vitit 2023. Disenjatoret Nadira Kisa, Labentine Shala dhe Fioralba Kryemadhi bashkë me Kocin do të bisedojnë edhe për skandalet në modë.

DARKA FESTIVE E “EXPRESSIT” ME HUMOR

2 JANAR, 20:00

Në ambientin e ngrohtë të restorant “Hamarit” është mbajtur darka festive e “Expressit” me emra të shquar të skenës kulturore si Armond Morina, Shengyl Ismaili, Albulena Kryeziu-Bokshi, Memli Kelmendi dhe Arbër Salihu i njohur me emrin skenik La Fazani. Secili prej tyre gjatë vitit ka arritur suksese të jashtëzakonshme me projekte, si dhe ka argëtuar publikun në vend.

“Në një bisedë të ngrohtë, e ku nuk mungon as humori, pesë mysafirët e ‘Expressit’ dhe prezantuesja Gonxhe Konjufca e ftojnë publikun në një rrugëtim të bukur kohor, duke kujtuar momentet më interesante të vitit 2023 dhe duke ndarë edhe momente të veçanta nga prapaskenat e shfaqjeve, sheshxhirimeve, koncerteve dhe të tjera”, ka thënë Edona Binaku, producentja e emisionit “Express”.

“BIG MAMA & FRIENDS” NË ATMOSFERË TË VEÇANTË

2 JANAR, 21:00

Image

Në natën e tretë, programi festiv vazhdon me mbrëmjen dedikuar shikuesve në Maqedoninë e Veriut. “Big Mama & Friends” do të sjellë atmosferën e veçantë dhe festive me këngë të përzgjedhura. KTV-ja ka udhëtuar drejt shtetit fqinj, për të qenë pranë dhe për të festuar me këngëtaren e mirënjohur dhe shumë të dashur për publikun, Big Mama, e cila ka mbledhur disa nga miqtë e saj më të afërt. Me këtë rast, të ftuarit e saj: Elita Ziberi, Fjolla Ibraimi, e artistë të tjerë këndojnë pjesë të këngëve më të njohura të nikoqires, përderisa artistja u bashkohet atyre në ahengun e madh festiv me potpuri të bukura nga ajo zonë ku jetojnë shqiptarët.

Në pyetjet e prezantuesit të lajmeve të KTV-së, Lekë Rezniqi, i cili ishte bashkënikoqir me Big Maman, mysafirët japin detaje për miqësinë e tyre me artisten tetovare dhe lidhjen e veçantë që secili prej tyre ka me të.