Kulturë

Viti i filmit të Kosovës

Nëse viti i kinematografisë së vendit do të konceptohej si skenar filmi, ai do të ishte diçka kësisoj: një rrëfim suksesi po se po. Personazhet kryesore: “Zgjoi”, “Pa vend”, “Vera andrron detin”, “Në kërkim të Venerës”, “Luaneshat e kodrës”, “Klara me mustaqe”, “Galaktika e Andromedës”, “Four Pills at Night” e besa edhe i paxhiruari “2000: A Post-War Odyssey”

Suksesi i filmit, më 2021 ka vulosur faqet e kulturës. Më shumë se 100 shkrime janë bërë gjatë gjithë vitit nga redaksia e kulturës e KOHË-s vetëm për filmat. Nuk hyjnë këtu shkrimet për borxhet e Qendrës Kinematografike të Kosovës, as ato për festivale të filmave që mbahen në Kosovë – si “DokuFest”, “Anibar” a “PriFest” – apo filmat e rinj të realizuar në kuadër të Shkollës së Filmit Dokumentar të “DokuFestit” dhe “Neo_School”.

Është hera e parë që në arkivin e “Kohës Ditore” – që i është afruar çerekshekullit – mund të gjenden kaq shumë shkrime për filmat nga Kosova të shkruar brenda 365 ditëve. Shkrimet janë dokumentimi i gjithë asaj që ka ndodhur këtë vit. Dalja e një shkrimi çdo të tretën ditë, është dëshmi e sukseseve të valës së re kinematografike të Kosovës që përmbyll vitin me mundësinë me të afërt ndonjëherë drejt çmimit “Oscar”.

Kryetitujt e suksesit

“Kur e kemi xhiruar filmin ‘Babai’ kemi pasur pak filma të xhiruar në Kosovë”, thotë regjisori Visar Morina, duke uruar Blerta Bashollin, filmi i së cilës, “Zgjoi” është i pari – tërësisht i Kosovës – që hyn në listë të ngushtë për “Oscars 2022” .

Mirëpo, para lajmit për “Oscar” që erdhi si festë për këtë fundvit, ishte pikërisht Morina që nisi vargun e shkrimeve në KOHË. Kuptohet, jo me “Babain” – kandidatin e dytë të Kosovës për “Oscars” më 2016 – por me “Exilin”. Filmi i dytë i Morinës me të cilin Kosova synonte “Oscars 2021”, bëri histori më 5 janar si kandidati i parë i Kosovës për “Golden Globe”. Ani pse nuk triumfoi në asnjërën, suksesi i “Exil”-it nuk u zbeh aspak. Pati një rrugëtim të jashtëzakonshëm nëpër festivale anembanë globit, me shënimin e premierës botërore në festivalin “Sundance”, dhe atë evropiane në “Berlinale”.

Ky ishte veç fillimi i vitit që rrënjësisht përmbysi imazhin që e ka të ngulitur regjisori Morina kur pati fillimet e tij në fushën e filmit. Për shumë regjisorë debutues me filma të metrazhit të gjatë, kujtimet për fillimet e tyre janë të kundërta. Gjetën veten në festivale prestigjioze, ishin në garë edhe me filma të tjerë nga Kosova, madje dolën prej tyre si triumfues të përbashkët.

Ajo që pasoi më pas solli këta kryetituj: “Zgjoi” i Kosovës me tri trofe bën histori në “Sundance Film Festival”, “Pa vend” historik me nominim për ‘Oscar’ evropian”, “Drama shqiptare që shpërfaq konfliktet midis gjeneratave triumfon në Rotterdam”, “Luaneshat e Kodrës” me Kosovën në Cannes dhe lindjen e yllit në regji”, “Kinematografia e Kosovës bën histori me ‘Pa Vend’ në Cannes”, “Vera andrron detin” në Venecie, sukses i radhës i valës së re të Kosovë”, e shumë të tjerë.

Morina thotë se duhet të kujtojmë se ky vend ka më pak se dy milionë njerëz dhe një buxhet mjaft të vogël.

“Kjo ka ndodhur, sigurisht për shkak të punës së mirë që këta njerëz bëjnë, por gjithashtu edhe për shkak të një strukture të mençur për financim të filmit që ka arritur talent të rinj dhe i ka mbështetur të njëjtit”, thotë regjisori i cili këtë vit la gjurmë edhe si regjisor në teatër me “Psherëtima në trenat që nuk lëvizin”. Tregon se riorientimi për mbështetje filmike në QKK nisi me Fatos Berishën dhe më pas u udhëhoq dhe zhvillua në drejtimin e Arben Zharkut.

“Zgjoi” i mundësisë së artë

 

Image
Skenë nga filmi “Zgjoi”

Filmi për të cilin Basholli ka shkruar edhe skenarin, i bazuar në rrëfimin e Fahrie Hotit, që shpërfaq sfidat e grave në mungesë të burrave si pasojë e luftës së fundit në Kosovë, u bë kryelajm në “Koha Ditore” rreth 40 herë në 12 muaj. Ishte ai që bëri hapjen e epokës së re për filmin.

Një dekadë më parë, regjisorja dhe skenaristja, Blerta Basholli, do t’i rrekej punës që me historinë e Fahrije Hotit të endte fijet e projektit për një film. Mes vështirësive jo të pakta gjatë realizimit gjëllinte shpresa që të paktën filmi të kishte premierë në “Sundance Film Festival”. Guximi për të ëndërruar u shpërblye në edicionin e sivjetmë të më të madhit festival amerikan të filmit që mbahet në Utah. Nga aty, “Zgjoi” doli me tri trofe stolisur: Çmimin e Madh të Jurisë, atë të audiencës dhe Çmimin për regjinë. Ishin këto çmime që e shfaqën regjisoren nga Prishtina të përlotur e në emocione para audiencës së “Sundance”. E ky ishte veç fillimi i hapërimit.

Premiera kombëtare erdhi me lajmin se është kandidat për nominim në “Oscarin” e Evropës. Pati edhe gala-premierë nën organizimin e presidentes Vjosa Osmani që erdhi si festë suksesesh e shans për “Oscar” të Akademisë Amerikane. Theu rekorde për shikueshmëri në vend dhe u shfaq në rrjete kinemash në tri kontinente. Tuboi njerëz siç nuk bëri asnjë film nga Kosova. Në shfaqjen në Washington DC., nuk mungoi as Dua Lipa.

Ajo është veç një nga njerëzit që beson fuqishëm në film. “Kosova po shkon në ‘Oscars 2022’”, do të shkruante kur “Zgjoi” hyri në listë të ngushtë. Përzgjedhja e “Zgjoit” nuk ishte diçka befasuese. Kishte ditë që në parashikimet e mediumeve të ndryshme ishte thënë se do të ishte pjesë e 15-shes që e vazhdon garën për “Oscar” në kategorinë ndërkombëtare.

Për regjisoren Blerta Basholli ky është një moment historik si në karrierën e saj, ashtu edhe të kinematografisë së vendit.

“Jam gjithmonë falënderuese që kam mundur të takoja një grua të mrekullueshme si Fahrije Hoti, e cila më inspiron dhe më shtyn të punoj tutje sa herë që e shoh madje edhe sot. I them: ‘Faleminderit që e ke ndarë rrëfimin tënd me ne dhe botën’”, thotë ajo.

Se ka një të ardhme plot shkëlqim u vu re që në fillim. Pak orë pas premierës botërore, do të ishte në fokus si një prej filmave më të mirë jo vetëm në “Sundance”. Kritikë të huaj do ta quanin rrëfim frymëzues për të gjitha gratë në botë. Sipas tyre, performanca e aktores Yllka Gashi, si dhe aftësia e Bashollit si regjisore e skenariste japin në mënyrë sublime rastin e banores së fshatit Krushë e Madhe, Fahrije Hoti, e cila duke sfiduar konvencat shoqërore, merr fatin e saj në dorë dhe bashkë me gra të tjera hapin një biznes. Njëkohësisht me kritika të huaja do të vinte edhe e KOHËS.

Do të theksonte se duke qenë se mundësia për kapërcime të mëdha eksperimentale është më e vogël kur gjithçka diktohet nga një histori e vërtetë, prapëseprapë është aftësia e regjisores që përmes stileve e mënyrave të veçanta të kamerës të sjellë gjendjet emocionale të kryepersonazhes.

“Për t’u veçuar janë veçmas xhirimet e bëra nga një kënd, siç është dera gjysmë e hapur apo kabina e larjes me perden paksa të zbuluar”, do të shkruante “Koha Ditore”, kur producentët do ta shfaqnin filmin enkas për dy gazetarët e KOHË-s (Alberina Haxhijaj dhe Salih Mehmeti). Aty do të potencohej se ajo që i shkrep secilit në mendje gjersa zhytet në botën e “Zgjoit”, është se dhembja nuk mund të tejkalohet duke u zhytur në dhembje.

Për kritiken Alessandra Rangel, filmi është “portret realist e i ndjeshëm i jetës së grave në një mjedis tradicional dhe mizogjenist”, e për dikë tjetër si Stephen Saito është “një rreze shprese që ngrihet nga rrëfimi i një gruaje që fillon biznesin e saj përkundër të gjitha vështirësive”.

Kinematografët e vendit do të shihnin jo vetëm shpresën që projektet e tyre një ditë do t’ia dalin mbanë kudo në botë, por edhe nevojën që institucionet t’i mbështesin më shumë. Kur pyetëm se a mundet fituesi që bëri histori në kinematografinë e Kosovës, e madje edhe në atë të festivalit më të madh të filmit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, t’i ndryshojë gjërat, kinematografët e vlerësuan si mundësi të artë që Kosova duhet ta shfrytëzojë.

Regjisorja Blerta Zeqiri, ajo që për herë të parë do të shkonte në “Sundance” më 2012 me filmin “Kthimi” gjersa kishte folur për “Zgjoin”, kishte thënë se shteti duhet ta kapë këtë mundësi dhe të fillojë të investojë më shumë në këtë film dhe në industri të filmit në përgjithësi, sepse “me investime relativisht të vogla, po arrihen suksese të jashtëzakonisht të mëdha”. A do të bëhet një gjë e tillë, mbetet për t’u parë. E sigurt është se rrëfimi universal nga vendi u bë shembull për botë.

“Pa Vend” që kërkon vend për talentet

Image
Skenë nga filmi “Pa vend”

Gjersa “Zgjoi” çante rrugën në kategorinë e filmave të gjatë, në atë të filmit të shkurtër rekordin pa dyshim e mbante regjisori Samir Karhoda. Ai debutoi si regjisor me dokumentarin e tij “Në mes”. Me këtë projekt për herë të parë e vuri emrin e Kosovës në konkurrencën zyrtare të “Berlinales”, një prej festivaleve më të shquara të Kategorisë A., ku u shfaq premierë në shkurt të 2019-s.

Me të nisur xhirimet për projektin e dytë filmik të regjisorit Samir Karahoda, “Table Stories” – që më vonë do ta merrte titullin “Pa Vend” – u theksua se bëhet fjalë për një rrëfim mbi lojën e shtetit me ëndrrat e të rinjve. Me të përfunduar xhirimet, u vu në pah një lojë tjetër e shtetit: ajo me filmbërësit kosovarë. Produksioni u finalizua pa i pranuar mjetet financiare. Edhe kur ky dokumentar bëri histori si i pari produksion vendor që garon për “Palmën e Artë”, ekipi ishte në pritje të finalizimit të pagesave. Ato u kryen pas takimit që ekipi pati me ministrin e Kulturës, ku u diskutua pikërisht për suksesin e 15 qershorit kur u dha lajmi se “Pa Vend” u kualifikua në Festivalit e Filmit në Cannes. Gjithë kjo vuri në pah anën tjetër të medaljes. Deri te konkretizimi i projekteve filmike ekziston edhe një “skenar” paralel, e “skenat” e tij janë borxhet, burokracitë, procedurat e tejzgjatura, vonesat e alokimit të mjeteve. Jo rrallë ato realizohen edhe pa mjetet e zotuara të shtetit, si rasti i “Pa Vend”.

Filmi ndërtohet mbi suksesin e klubit prizrenas të pingpongut “Lidhja e Prizrenit”, duke përcjellë përpjekjet e vazhdueshme të Jeton Mazrekut dhe Ermegan Kazazit, të udhëhequr nga trajneri i tyre Rifat Rifati, që të mbajnë sportin e pingpongut gjallë, duke zhvilluar breza të rinj pingpongistësh.

Para udhëtimit të ekipit drejt Cannes, KOHA do t’i takonte personazhet e tij në Prizren.

“Tre sportistë, shumë ëndrra dhe një rrëfim për ‘Palmën e Artë’, ishte titulli i artikulli që përmblidhte sfidat e ëndrrat e tyre. Atëherë do të theksonim se një shtëpi siç duhet për sportistët do të ishte veç hapi i parë i përjetësimit të një fitoreje bashkë me “Palmën e Artë” për filmin që do ta vuloste një ëndërr të bërë realitet.

“Pa Vend” s’e mori “Palmën e Artë”, por la në Cannes emrin e Kosovës. Hapi derë të re për regjisorët vendorë. Ani pse nuk u shpërblye – në festivalin ku pati edhe premierën botërore më 16 korrik u bë filmi i parë nga Kosova që Festivali i Filmit të Cannes e kandidoi për Çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit. U bë filmi i parë i Kosovës i nominuar për filmin më të mirë evropian.

Trofeu mungoi edhe për filmin më të mirë të shkurtër nga Akademia Evropiane e Filmit, por kjo nuk çoi fort peshë për ekipin e “Pa Vend”. Edicioni i 34-t i “European Film Awards”, kishte ribashkuar një pjesë të ekipit në Prizren, prej nga do ta ndiqnin tok ceremoninë e transmetuar live nga Berlini.

“Ne vijmë nga një vend në zhvillim e sipër e konkurrojmë me vendet tepër të zhvilluara, prandaj pa marrë parasysh të gjitha ne si ekip jemi krenarë për suksesin e filmit dhe rrugëtimin e tij historik”, kishte thënë Karahoda.

Filmi i tij, posa ishte shpërblyer në një festival tjetër prestigjioz.

“Jemi duke e sjellë botën te ju”, ishte mbishkrimi i “Toronto International Film Festival” në artikullin ku bëri të ditur filmat e edicionit të vitit 2021. Midis tyre edhe filmi nga Kosova nën regji të Karahodës. Me çmimin në Toronto në shtator do të mbante ritmin e sukseseve, e do të nisej drejt “Oscarit”. Në pritje të biletës për “Oscars”, do të shfaqej në më shumë se 20 shtete. Gara e fortë e numri i madh i filmave veçanërisht në kategorinë për “Live action short film” do të bënte që “Pa Vend” të mos vazhdojë tutje. Por, regjisori nuk e ka hallin te trofeu.

“Për ne si ekip ‘Oscar’ do të ishte fillimi i ndërtimit të objektit të ekipit të pingpongut ‘Lidhja e Prizrenit’, pasi që qëllimi ynë prej fillimit ka qenë ajo, pra vetëdijesimi i institucioneve për fëmijët dhe talentet tona”, thotë ai.

Përkundër telasheve, rrugëtimi i filmit mbetet historik. Nga pesë festivalet më të mira në botë, u bë pjesë e tri prej tyre. Pas Cannes e Torontos, “Pa Vend” është në garë në “Sundance”. Edhe këtë herë vazhdojmë të themi se një shtëpi siç duhet për sportistët do të ishte veç hapi i parë i përjetësimit të një fitoreje bashkë me shpërblimin në Sundance për filmin që do ta vuloste një ëndërr të bërë realitet.

Koha e grave

Image
Skenë nga filmi “Vera andrron detin”

Në vitin 2022 padyshim që do të vazhdohet të diskutohet edhe për një sukses tjetër i kinematografisë. Për filmin e metrazhit të gjatë debutues “Vera andrron detin” me skenar nga Doruntina Basha, në regji të Kaltrina Krasniqit që dha premierën në një ndër festivalet më të vjetra dhe më të mira në botë, në Festivalin e Filmit në Venecia. U largua pa trofe nga Venecia për në Egjipt e Japoni. Ishte në konkurrencë zyrtare në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Kajro dhe atë të Tokio ku triumfoi. U vlerësua vizioni dhe regjisorja Krasniqi u bë regjisorja e parë që mori çmimin kryesor të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tokio dhe bëri që herë të parë vendi të ishte në garën zyrtare të këtij festivali prestigjioz.

Me filmin e saj debutues në metrazh të gjatë, Kaltrina Krasniqi vazhdon valën e regjisoreve kosovare, që pas Bashollit u mbajt në qendër nga Norika Sefa e Luana Bajrami. Regjisorja nga Prishtina ka pranuar që gjatë dekadës së fundit ka pasur një zhvillim të hovshëm.

“Në princip ka qenë një gjeneratë e re kineastësh gra që e kanë përfaqësuar Kosovën vazhdimisht. Shpesh edhe duke korrur suksese e fituar çmime”, thotë Krasniqi.

Perla e radhës e Kosovës në kinematografinë botërore është “Në kërkim të Venerës”.

Image
Skenë nga filmi “Në kërkim të Venerës”

“Fill pasi që ‘Zgjoi’ i Blerta Bashollit fitoi çmimet në Sundance, debutimi madhështor i Norika Sefës konfirmon se kinematografia e Kosovës së vogël është aktualisht në rrjedhë”, do të shkruante Neil Young në “Screen Daily”. Regjisorja Norika Sefa kishte thënë për KOHËN se me këtë film ka dashur që të realizojë një rrëfim që hedh dritë mbi mënyrën se si jetohet në Kosovë. Regjisorja vë në pikëpyetje se si është të rritesh në një shtëpi ku jetojnë tri gjenerata, e që për shumë kultura tingëllon si diçka e pamundur. Sidoqoftë, nga kritikët ky film i metrazhit të gjatë po shihet si rrëfim universal. Një reflektim se çfarë do të thotë të jesh adoleshent, një përmbledhje e kërkimit drejt individualitetit.

“Në kërkim të Venerës” bëri që për herë të parë në historinë e Festivalit të njohur të filmit në Rotterdam të Holandës, një projekt kineast nga Kosova u përfshi në garën zyrtare. Vulosi edhe një sukses tjetër, kur u bë i pari që u shpërblye. Mori Çmimin special të jurisë për arritje të jashtëzakonshme artistike në kategorinë “Tiger Competition”.

Edhe 20-vjeçarja Luana Bajrami, e cila në Francë ku jeton e vepron njihet edhe si aktore, me “Luaneshat e kodrës” debutoi në metrazh të gjatë. Nga Kosova dërgoi në Cannes energjinë rinore. Rrëfimi i gjallë e freskues për një treshe vajzash që shndërrohen në një bandë hajdutesh ishte në garë në programin paralel ”Director’s Fortnight” dhe solli ngritjen e një ylli të ri në regji.

Këtë filma nisën edhe një valë të re, atë suksesit të aktoreve. Katërshja e luaneshave ndanë bashkë dy çmime për aktoren me të mirë. Atë të Festivalit të Filmit në Sarajevë dhe çmimin e “PriFest-it”. Kosovare Krasniqi me Venerën ka dy çmime: në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Hong-Kong dhe në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Valencia. Yllka Gashi ka tri çmime në sirtar me rolin e saj si Fahrije Hoti. Mirëpo, rrugëtimi i saj është një kapitull më vetë.

Tek aktorët theksohet Alban Ukaj me rolin e tij si Tariku, të “Qou vadis, Aida?” e Arben Bajraktaraj e Afrim Muçaj nga Kosova për lojën e tyre të “The Van” nën regji të Erenik Beqirit nga Shqipëria. Të dy këta filma ishin në listë të ngushtë për “Oscars 2021”.

Pushtimi i festivaleve

Mes sukseseve të filmave gjithandej, me 20 filma që bëri bashkë në programin “Country in Focus: Kosovo”, Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Shkurtër në Vintertur u bë i pari që shfaqi një numër kaq të madh të filmave me regjisorë shqiptarë. Por, nuk ishte veç ky festival ku filmat kosovarë po shfaqeshin a laureoheshin. Madje në disa prej tyre u shpërblyen dy e më shumë filma me regjisorë nga Kosova.

Image
Skenë nga filmi “Luaneshat e kodrës”

Të tilla raste pati në Festivalin i Filmit në Sarajevë ku përveç “Luaneshave të kodrës” me përmendje të veçantë nga juritë e festivalit kanë kaluar edhe dy filmat e tjerë: “Në kërkim të Venerës,” nën regjinë e Norika Sefës dhe “Pa Vend”, nën regjinë e Samir Karahodës. Se s’ka festival me nam që s’e ka një film nga regjisorë shqiptarë në program e dëshmoi edhe Festivali i Filmit në Varshavë. “Zgjoi” fitoi çmimin kryesor, “Luaneshat e kodrës” çmimin FIPRESCI, e “Virgjëresha shqiptare” nga Bujar Alimani, bashkëprodhuar me Kosovën, mori Çmimin Special të Jurisë në kategorinë kryesore dhe Çmimin e Jurisë Ekumenike. “Zgjoi” dhe “Pa vend” u zgjodhën filmat më të mirë edhe në edicionin e 43-t të festivalit mesdhetar të filmit “Cinemed”. Karahoda gjatë këtij viti pati çmime edhe me “Në mes”. U shpall filmi më i mirë në Festivalin ndërkombëtar të arkitekturës dhe filmit në Barcelonë “BARQ”.

Vlen të përmendet edhe “Four Pills At Night”, me regji dhe skenar të Leart Ramës që premierën botërore e dha në “Locarno Film Festival”, që ka namin e një prej festivaleve më të rëndësishme të filmit në Zvicër dhe Evropë. Pastaj filmi debutues i metrazhit të gjatë i More Raçës, “Galaktika e Andromedës”, që kritika e krahasoi me filmat e kohës së neorealizmit italian, me kryeveprën ‘Vjedhësit e biçikletave’ të Vittorio de Sicas, fitues i “Oscarit” si dhe projekti filmik “2000: A Post-war Odyssey” i regjisorit Zgjim Terziqi që ka marrë tri çmime ende pa nisur xhirimet. Shto këtu edhe serinë “Welcome to Utmark” në tetë episode – ku luajnë edhe dy aktoret nga Kosova, May-Linda Kosumovic dhe Rozafa Çelaj që konsiderohet një rrëfimtari nordike në më të mirën e saj.

Duke u kthyer te hapi më i madh, “Oscari”, diskutimin për këtë çmim fillimisht e kishte nisur animacioni i Ilir Blakçorit, “Clara me mustaqe”. Ani pse nuk arriti te kjo ngjarje kryesore, në “Annecy International Animation Film Festival”, festivalin francez të kategorisë A që njihet si njëri ndër festivalet më të mëdhenj të animacionit në botë, mori “Çmimin e qytetit Annecy” (City of Annecy Award).

Gjithë kjo tregon se nëse viti i kinematografisë së vendit do të ishte skenar filmi, ai do të ishte diçka kësisoj: një rrëfim suksesi po se po. Personazhet kryesore: “Zgjoi”, “Pa vend”, “Vera andrron detin”, “Në kërkim të Venerës”, “Luaneshat e kodrës”, “Klara me mustaqe”, “Galaktika e Andromedës”, “Four Pills at Night” e besa edhe i pa xhiruari “2000: A Post-War Odyssey”.

Ky projekt filmik do të ishte një “roller coaster” emocional. Në “movie cut”, do të shkruante: “Mundësia për ‘Oscarin’ e parë të Kosovës”. Kështu kishim shkruar edhe më 14 shkurt në artikullin me titullin “Pesë yje për kinematografinë e Kosovës”. Me këtë shpresë për “Zgjoin” përmbyllet edhe viti 2021!