Kulturë

“Virgjëresha shqiptare” në pushtimin e kinemave gjermane

Ndonëse ka gati dy vjet prej premierës botërore, “Virgjëresha shqiptare”, nën regji të Bujar Alimanit, tash ka nisur rrugëtimin nëpër ekranet e mëdha. Stacioni i radhës – Gjermania. Prej kësaj jave do të jetë në disa qytete, e Kölni ka qenë një test i kaluar me sukses. “Sa herë që e shfaqim filmin tonë, edhe nëpër festivale ndërkombëtare, edhe në premiera ekskluzive, është gjithmonë një ndjenjë shumë, shumë e veçantë…”, ka thënë aktorja në rolin kryesor, Rina Krasniqi

Pas sukseseve dhe pjesëmarrjes nëpër një sërë festivalesh të njohura ndërkombëtare, prej së enjtes të kësaj jave, filmi nën regji të Bujar Alimanit, “Virgjëresha shqiptare”, do të nisë rrugëtimin nëpër kinematë gjermane. Në një format të dubluar, filmi pritet të shfaqet edhe në njërin prej kanaleve më të njohura televizive “ZDF”.

Një test para audiencës në Gjermani, qe premiera gjermane në Köln, ku jeton edhe një numër i madh i shqiptarëve. Filmi i cili në gjermanisht mori titullin “Luanas schwur” në ditën dytë të shkurtit mbushi plot sallën e “Cinenovas”, ndërsa tash në itinerar ka kinematë e disa prej qyteteve më të njohura e më të mëdha gjermane, përfshirë Stutgartin, Münchenin, Ulmin, Bonnin, Dusseldorfin, Heidelbergun, Nurenbergun e të tjerë.

“Filmi ‘The Albanian Virgin’ prej datës 9 do ta kemi edhe nëpër kinematë e tjera gjermane dhe pas asaj do të ketë edhe projeksionin televiziv ku filmi do të shfaqet gjithashtu në një version të dubluar në gjermanisht. Pas kësaj presim me shumë ngazëllim që shumë shpejt të dalë edhe në platforma online, që filmi të përçohet dhe të ketë mundësi të shikohet edhe nëpër shtete e kontinente të tjera, gjë për të cilën kemi punuar fort dhe mezi po e presim”, ka thënë aktorja nga Kosova, Rina Krasniqi, e cila me rolin e Luanës është kryepersonazh i filmit.

Producentja e filmit, Anita Elsani, ka konfirmuar se filmi do të shfaqet në kanalin televiziv “ZDF ARTE”.

Me skenar të Katja Kittendorf, filmi trajton një temë tejet autoktone që në rend të parë lidhet me fenomenin e burrneshave e pastaj, pothuajse paralelisht me të, me temën e gjakmarrjes. Shpërfaq realitetin patriarkal pa gjykuar, duke e vënë publikun përballë figurës së femrës shqiptare të kohëve të vështira të jetës zakonore në Kosovë e Shqipëri.

Premiera botërore ishte dhënë në tetorin e vitit 2021 në kuadër të edicionit të 37-të të Festivalit të Filmit në Varshavë të Polonisë, si bashkëprodhim i Gjermanisë, Belgjikës, Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas sinopsisit, historia zë vend në vitet ‘50 e ‘60, kohë që shumëfishon vështirësinë e ekzistencës së femrës që bart dëshirat, vendimet dhe ëndrrat. Të gjitha këto i portretizon përmes personazhit kryesor, Luanës, së cilës martesa “tashmë e kryer” ia mohon dashurinë për Agimin, si bindje ndaj kërkesave të babait të saj. Pasi kupton se në ligjin e Kanunit fitojnë vetëm burrat, ajo edhe bëhet e tillë.

Në premierën gjermane në Köln ishin edhe disa pjesëtarë të ekipit, përfshirë producenten Anita Elshani, protagonisten Rina Krasniqi, aktorin Nik Xhelilaj që portretizon Flamurin, e të tjerë.

“Reagimi i publikut ishte fantastik. Njerëzit u prekën dhe u përfshinë emocionalisht nga filmi. Për dy orë u arratisën në një botë tjetër. Këto ishin reagimet që pashë. E gjithë atmosfera ishte shumë pozitive dhe e ngrohtë… një mbrëmje dhe premierë e mrekullueshme”, kanë qenë fjalët më të cilat producentja Elshani e ka përshkruar pritjen në Köln.

Për emocionet e kësaj premiere, për KOHËN ka folur edhe Rina Krasniqi, e cila mbrëmjen e ka cilësuar si të mrekullueshme dhe përmbushëse.

“Filmi është pritur në mënyrë madhështore. Ka qenë një komunitet i madh i shqiptarëve që jetojnë në Gjermani dhe nga organizata kulturore të ndryshme të cilat e kanë përkrahur premierën e filmit tonë dhe kjo është një ndër ndjenjat më gjithëpërfshirëse dhe përmbushëse. Është një nder i madh për mua personalisht, por edhe profesionalisht që filmin tonë ta shfaqim në Gjermani, në një premierë tejet ekskluzive. Salla ka qenë e mbushur plot. Ka pasur interesim jashtëzakonisht të madh, saqë për njerëzit e tjerë që kanë shprehur interesim në momentet e fundit, nuk ka pasur më hapësirë”, është shprehur ajo.

Përveç pranisë së një numri të madh shqiptarësh, në të vërtetë edhe vetë shfaqja e filmi në Gjermani është mundësuar nga ndihma e dy organizatave shqiptare: “UraCult” dhe “Oda”

“Ka një interesim të madh të diasporës shqiptare në Gjermani. ‘UraCult’ në Köln dhe ‘ODA’ janë dy organizata kulturore shqiptare që po mbështesin filmin dhe ishin të pranishme në premierën në Köln”, ka thënë Elshani, teksa ka bërë të ditur se vetëm një ditë pas premierës në Köln, “ODA” ka organizuar një shfaqje speciale të filmit edhe në Hamburg. Për ta prezantuar filmin në këtë ndejë kishte qenë e pranishme vetë skenaristja, Katja Kittendorf.

Protagonistja e filmit, Rina Krasniqi, ka folur edhe për rëndësinë dhe ndjenjat pozitive që ajo së bashku me ekipin e “Virgjëreshës shqiptare” kanë përjetuar sa herë që kanë marrë pjesë nëpër premiera dhe festivale të ndryshme. Rol të rëndësishëm, sipas saj, ka luajtur tematika e filmit.

“Sa herë që e shfaqim filmin tonë, edhe nëpër festivale ndërkombëtare, edhe në premiera ekskluzive, është gjithmonë një ndjenjë shumë, shumë e veçantë, sepse filmi trajton një temë shumë tradicionale, shumë autoktone, shumë të veçantë dhe me përplot ndjeshmëri dualistike dhe komplekse. Njerëzit janë gjithmonë shumë të prekur dhe të ngazëllyer dhe kanë përjetime jashtëzakonisht eternale kur vjen puna te filmi dhe përjetimi e rrëfimi të cilin filmi e bart te publiku”, ka thënë ajo. Krasniqi gjithashtu ka bërë të ditur se pas premierës ishte organizuar diskutim midis publikut dhe ekipit të filmit, ndërsa menjëherë pas kësaj, me performancë muzikore ishte paraqitur edhe muzikantja e njëkohësisht vokalistja e filmit, Eda Zari.

Ndonëse “Albanian virgin” nisi rrugëtimin në vitin 2021, premiera e tij kosovare u dha tek në shtator të vitit 2022, në festivalin “PriFest” në Prishtinë. Filmi u shpall fitues i trefishtë në këtë festival. Pos çmimit kryesor, atë të garës ballkanike që mban emrin “Vjosa Berisha”, aktorja e këtij filmi, Rina Krasniqi, ishte shpallur fituese e Çmimit për aktoren më të mirë dhe të atij për aktorin më të mirë. “Albanian Virgin” ishte nominuar edhe për “Grand Prix” në Festivalin e Filmit në Cabourg në Francë, ku ndonëse nuk arriti të triumfonte, kishte qenë pjesë e listës së ngushtë të përbërë prej gjashtë filmave të metrazhit të gjatë.

Përveç Krasniqit, në rolet e tjera luajnë Astrit Kabashi, Gresa Pallaska, Alban Ukaj e të tjerë, ndërsa skenat e filmit janë realizuar në Fushë-Arrëz, Pukë, Shkodër dhe në Kosovë.

Por, pas sukseseve të shumta që pati me “Virgjëreshën shqiptare”, Krasniqi nuk e ka ndërmend të ndalet. Për KOHËN ajo ka bërë të ditur se është afër finalizimit të dy projekteve kosovare të cilat pritet të dalin gjatë këtij viti, ndërsa është duke punuar edhe në disa projekte të tjera.

“Për sa u përket projekteve në të ardhmen unë veçse i kam përfunduar edhe dy projekte të tjera gjatë vitit të kaluar në Kosovë dhe shpresojmë që sivjet të kemi premierën. Bëhet fjalë për filmin ‘Okarina’ nga Alban Zogjani dhe ‘Heshtja e Sirenave’ nga Gazmend Nela. Janë edhe disa projekte të tjera që do t’i bëj në Kosovë, por edhe në Gjermani dhe Belgjikë, por që nuk mund të jap shumë detaje. Është ndjenjë jashtëzakonisht e mirë që puna po e zë punën dhe që projektet po renditen njëri pas tjetrit. Ato po hapin dyer në botën ndërkombëtare edhe për të shprehur kulturën, edhe botëkuptimin tonë përmes projekteve shumë të veçanta”, ka thënë ajo.