Kulturë

“Virgjëresha shqiptare” i kthehet Kosovës në kërkim të dashurisë

Luana, portretizuar prej Rina Krasniqit, është kryepersonazhi. Dashuron, por për të është shkruar tjetër fat diktuar prej zakoneve. Megjithatë, ajo nuk ndalet në kërkim të dashurisë. Pjesa tjetër është histori. Me bindjen se do ta gjejë “dashurinë” e publikut, filmi, nën regji të Bujar Alimanit, është rikthyer në Kosovë për të ndezur projektorët e kinemave në tri qytete. Një temë e trajtuar jo rrallë në art si rrëfim mbi Kanunin, megjithatë “Virgjëresha shqiptare” ka dashurinë në esencë

Posteri i “Virgjëreshës shqiptare” ka tetë vulat e çmimeve e mirënjohjeve që ka marrë anekënd dhe pas rrugëtimit të gjatë nëpër festivale do të ndezë projektorët e kinemave në tri qytete në Kosovë. Një ditë para se të futet në repertorin e kinemasë “Cineplexx” në Prishtinë e Prizren, si dhe në kinemanë “Hyrije Hana” në Gjakovë, filmi nën regji të Bujar Alimanit, me skenar të Katja Kittenddorf – i shfaqur premierë botërore në edicionin e 37-të Festivalit të Filmit në Varshavë, në tetorin e vitit 2021 – është shfaqur për mediat përderisa një pjesë e kastës së aktorëve dhe ekipit në konferencë ka shpalosur edhe detaje nga sheshi i xhirimeve, sikurse pritjet që kanë nga ky rikthim në Kosovë.

Pulsin e publikut vendor “Virgjëresha...” e kishte matur edhe në shtatorin e vjetëm, kur në edicionin e 14-të të festivalit ndërkombëtar të filmit, “PriFest” u shpall fitues i trefishtë. Mori çmimin kryesor “Vjosa Berisha” dhe atë për aktorin e aktoren më të mirë (Rina Krasniqi). Aktorja që u veçua edhe në arena ndërkombëtare bart barrën kryesore te “Virgjëresha...”, që në vijë paralele shtjellon temën e burrneshave dhe atë të dashurisë. Është një histori që zë vend në ‘50 e ’60. Luanës, martesa “tashmë e kryer”, ia mohon dashurinë për Agimin, si bindje ndaj kërkesave të babait të saj. Pasi kupton se në ligjin e Kanunit fitojnë vetëm burrat, ajo edhe bëhet e tillë.

Rina Krasniqi, që portretizon Luanën dhe betohet si burrë dhe bëhet Xhek, ka qenë e pranishme në konferencë për media. Ka thënë se është optimiste sa i përket interesimit të publikut shqiptar për të parë këtë film.

“Ka shumë dualitete brenda filmit, ka shumë ekstreme që përplasen e ku më mirë se me e pa publiku ynë që vetëndien dhe i di këto rrëfime, këto tradita, këto elemente të historisë sonë, kulturës sonë. Ka pasur gjithmonë interesim shumë të madh të publikut. Edhe kur ka qenë në ‘PriFest’, por edhe më herët. Mezi kanë pritur me pa publiku i gjerë që nuk ka mundur për shembull të jetë në ‘PriFest’, në dy kinematë që kanë qetë plot. Kështu që ne kemi shumë kuriozitet, interesim edhe dashuri dhe besojmë që do të kemi sukses”, është shprehur Krasniqi.

Janë peizazhe mbresëlënëse, por në fakt janë kontrasti i historisë së vrazhdët që trajton. Një histori mbase ekzotike për audiencën e huaj, jo fort e largët për atë shqiptare. “Virgjëreshat…” ka skena që thurin shumë ngjarje e ndodhi. Ndër to Luana martohet si pakt për shuarje gjakmarrjesh, dhëndrit të ri (Flamurit, portretizuar prej Nik Xhelilajt) i jepet fisheku me të drejtën që ta vrasë nëse ia prek nderin. Ajo arratiset me Agimin (Igli Zarka). Pikërisht dollia me raki, si dy burra, është njëra prej skenave të fundit. Pjesa tjetër i mbetet publikut ta zbërthejë.

Astrit Kabashi portretizon Sulon, xhaxhain e Luanës. Ndonëse tema e virgjëreshave është trajtuar edhe nëpër filma të tjerë vendorë e ndërkombëtarë, sipas Kabashit, regjisori dhe skenaristja e “Virgjëreshës shqiptare” kanë arritur të sjellin diçka më ndryshe.

“Zakonisht filmat që punohen shkojnë nëpër festivale dhe është shumë e mirë që mbërrimë me hy nëpër festivale shumë të mëdha, por në të njëjtën kohë jemi shumë të lumtur që më në fund vjen edhe për publikun këtu në Kosovë. Kjo temë tash trajton edhe dashurinë. Nuk është vetëm Kanuni. Ai vjen më pas edhe si pasojë e shumë gjërave që ndodhin brenda filmit. Janë bërë edhe shumë filma për Kanunin, po mendoj që këtu skenaristja bashkë edhe me regjisorin e kanë trajtuar pak më ndryshe sesa filmat e tjerë këtë temë”, ka thënë Kabashi.

Teksa ka folur për tematikën dhe nëntemat e shumta, të cilat trajtohen në film, Rina Krasniqi ka thënë se tema e filmit kishte zgjuar interesimin dhe kureshtjen e publikut të huaj. Përveç pjesëmarrjes nëpër festivale të ndryshme, gjatë muajit shkurt filmi ishte shfaqur edhe nëpër kinematë gjermane.

Image
I shfaqur premierë botërore në edicionin e 37-të të Festivalit të Filmit në Varshavë, në tetorin e vitit 2021, një pjesë e kastës së aktorëve dhe ekipit të filmit “Virgjëresha shqiptare” të mërkurën ka shpalosur edhe detaje nga sheshi i xhirimeve, sikurse pritjet që kanë nga ky rikthim në Kosovë

“Gjithmonë e kam pasur një empati shumë të madhe, një dashuri, kërshëri për t’ua shpjeguar edhe më shumë njerëzve, publikut, kur kemi pasur konferenca në botë, ku kemi qenë me film, sepse ka pasur shumë pyetje. U interesonte konteksti historik, social, ekonomik dhe në atë periudhë kohore që ka qenë se si është trajtuar, se si kanë jetuar këto gra dhe se sa aktuale është sot. Kështu që interesimi është jashtëzakonisht i madh dhe ne me shumë dashuri e kemi shprehur edhe përmes filmit, përmes rrëfimit të filmit që e kemi bërë me shumë pasion, por edhe besoj që filmi flet vetë”, ka thënë Krasniqi.

Bashkëproducenti i filmit, Besnik Krapi, ka thënë se filmave shqiptarë nuk u mungon asnjëherë publiku dhe nisur nga kjo shpreson se edhe filmi “Virgjëresha shqiptare” do të ketë publik të mjaftueshëm.

“Ka film të punuar mirë ose keq, sepse publik kemi pasur gjithmonë. Edhe në teatër, edhe në film. Unë nuk mendoj që nuk kemi publik. Kemi publik të jashtëzakonshëm. I kemi parë edhe rastet e fundit. Përveç pandemisë që ka qenë një mbyllje, ne kemi publik, kështu që shpresojmë që ia kemi qëlluar dhe do ta shohim tutje. Në ‘PriFest’ ka qenë kërkesë jashtëzakonisht e madhe. Nuk kemi pasur hapësirë për ta shfaqur dy herë, për shkak të programit. Shpresoj që do të kemi publik. Ne e kemi bërë punën tonë”, ka thënë ai.

Aktorja Rina Krasniqi ka folur edhe për punën dhe përkushtimin në portretizimin e burrneshës, e cila në thelb ka nënkuptuar dy role, njëherë si grua, Luanën, e pastaj si burrë, Xhekun. Për të arritur këtë rol, ajo kishte mësuar edhe gjëra të reja teksa i ishte dashur të bënte edhe transformime mentale e fizike.

“Secili projekt e ka atë pjesën e dedikimit dhe pjesën e studimit dhe atë që t’i e merr një përgjegjësi shumë të madhe për ta bartur edhe rrëfimin, edhe rolin, për ta ndërtuar një karakter të mirëfilltë komplet. Në këtë rast të Luanës dhe Xhekut, është thjesht një grua e cila varësisht prej përgjegjësive dhe mënyrës se si jeta i vjen, detyrohet të bëjë kësi lloj ekstremesh apo sakrificash të mëdha”, ka thënë ajo. Ka thënë se ka mësuar jo pak gjëra të reja. Njëra prej tyre, kalërimi. Është një skenë e fuqishme e Luanës në kalërim.

“Virgjëreshat...” e përcjell Luanën që nga mosha e re e deri në një moshë relativisht të vjetër dhe për këtë bashkëveprimi midis aktoreve ka qenë i domosdoshëm.

“Edhe me Shkurta Sulejmanin, që e luan Luanën e vogël, na është dashur të arrijmë të bëjmë një lloj kontinuiteti të karakterit prej kur është e vogël e deri diku në moshën 50-vjeçare që trajtohet në film. Puna me njerëz të tillë, aktorë të tillë, profesionistë të tillë mua ma ka lehtësuar punën dhe unë kam kaluar çdo sfidë shumë lezetshëm”, ka thënë Krasniqi.

Një bashkëpunim të tillë e ka pohuar edhe Shkurte Sylejmani. Teksa ka folur për bashkëpunimin me një kastë të tillë aktorësh, “Luana e vogël” ka theksuar ndihmën që Krasniqi ia ka dhënë në kapërcimin e vështirësive.

“Në fillimet e mia nuk është se kam qenë fort e dhënë në këtë lami, por falë aktorëve që kemi pasur, kastën e aktorëve, ka ardhur një ndihmë shumë e madhe. E kam ndier njëfarë lehtësimi të punoj me këta duke e ditur se çfarë karriere kanë, se çfarë njerëzish janë edhe jashtë kamerave. Por kisha dashur ta cekja që Rina ka qenë ajo dora që më ka shtyrë të vazhdoja tutje edhe kur nuk kam mundur apo kam menduar se nuk mundem. Ka qenë një lehtësim”, ka thënë Sylejmani me plot emocione.

Për Mimoza Ahmetin, e cila portretizon Lulen e vogël, motrën e Luanës, ka qenë roli i parë.

“Një eksperiencë shumë e mirë me këta aktorë tepër të mirë. Edhe për mua ka qenë një ndihmë shumë e madhe prej aktorëve si prej Rinës, Gresës, Jonidës, sepse ky ka qenë filmi im i parë. Unë kam qenë e vogël atëherë dhe i falënderoj shumë që ma kanë dhënë këtë ndjenjë kaq të mirë dhe këtë eksperiencë që s’mund ta harroj kurrë”, ka thënë Ahmeti.

Në rolet e tjera luajnë edhe aktorët Alban Ukaj, Gresa Pallaska, Kasem Hoxha, Jonida Vokshi e të tjerë, ndërsa skenat e filmit janë realizuar në Fushë-Arrëz, Pukë, Shkodër dhe në Kosovë.