Violina është instrumenti me të cilin hapi dyert e horizontit muzikor. Ishte një rekomandim që buroi nga një bisedë joformale me profesoreshën e tij që e shtyu drejt violës. Me të muzikanti nga Durrësi ka depërtuar kufijtë dhe është bërë një me gjuhën universale muzikore. Tingujt e tij kanë jehuar në orkestra prestigjioze evropiane e violisti Altin Tafilaj ka zbërthyer partiturat edhe në Prishtinë, duke e vënë në pah shkëlqimin e violës dhe zotërimin e tij padiskutueshëm në instrumentin fisnik.
Është mbrëmje e freskët e fillimpranverës në Prishtinë dhe një adresë e përhershme në qendër të kryeqytetit për koncertet e Filharmonisë së Kosovës. Salla pa kushte tashmë është bërë ikonë për institucionin që historinë botërore muzikore e rrëfimet më të çmuara i sjell në rrethana të jashtëzakonshme.
Imazhi është i njëjti edhe në koncertin e 28 marsit: ulëset përplot, entuziazmi i publikut shpërthen nja gjysmë ore para koncertit dhe një heshtje nja dyminutëshe është shenja e nisjes së një tjetër kapitulli muzikor. Violisti i shquar shqiptar është një prej solistëve. Bashkë me violinisten franceze Liza Kerob e kanë luajtur “Simfoninë koncertante” për violë dhe violinë të Mozartit.
Duartrokitjet e publikut shoqërojnë parakalimin e tyre deri tek ajo që dallohet si skenë. Vështrimet e tij fillimisht përplasen me partiturat, pastaj me publikun rreth e rrotull dhe përfundimisht me dirigjentin italian Marco Crispo për t’ia dhënë shenjën e gatishmërisë. Mjeshtërisht luan partiturat e veprës së famshme për ndjeshmërinë në timbër dhe sjelljen e nuancave më të errëta duke u shoqëruar me shkëlqimin e violinës.
Pjesa e tij e pasuron lojën e orkestrës. Viola sjell tingull më të mprehtë, ton të shkëlqyeshëm dhe rritje tensioni, përherë në dialog me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës.
Me tri kohë gjithsej - “Allegro maestoso”, “Andante” dhe “Presto” – publiku qe i papërmbajtshëm midis pjesëve, shpërtheu në duartrokitje sikur të ketë përfunduar vepra.
Në një bisedë me violistin Tafilaj një ditë pas koncertit, rreth gjysmë ore para se merrte rrugë për në Durrës, është shprehur se publiku ka qenë i ngrohtë dhe mirënjohës. Duartrokitjet midis veprës i konsideron motivuese dhe konfirmim se çdo gjë po shkon mirë.
“Duartokitjet pas kohës së parë e të dytë sinqerisht nuk më shqetësojnë, sepse publiku është i kënaqur. Unë jam muzikant i tillë dhe madje organizoj evenimente në Rivierën Franceze e më gjerë dhe i organizoj tamam në këtë format që publiku të jetë shumë më afër muzikantëve dhe që të thyhet kjo ngurtësia e muzikës klasike. Do të ishte mirë që publiku ta dinte, por është diçka e natyrshme që mua nuk më shqetëson, madje më ngroh sepse më jep një siguri që gjithçka po shkon mirë”, është shprehur ai.
Sipas tij, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës po bën progres të shpejtë dhe është shumë premtuese. Ka potencial të madh, sipas tij. Por kushtet mbesin përvojë e veçantë e, sipas violistit, kanë edhe anën dhe energjinë pozitive.
“Kanë shkëmbimin e kënaqësisë për të luajtur bashkë muzikantët, na kënaqin. Ndonjëherë preferoj një situatë të tillë sesa në një orkestër në një sallë shumë të mirë, por njerëzit janë të gjithë aty me depresion, si punë. Shkëmbimi harmonik që ndodh këtu më pëlqen shumë dhe kolegia ime franceze më tha që mezi pret të kthehet. Ka detaje si akustika e të tjera, por këto detaje pastaj kalojnë në plan të dytë në momentin që ne ndihemi të kënaqur. Salla ishte plot, njerëzit e përjetojnë këtë moment me shumë kënaqësi dhe ne i japim publikut atë me çfarë kënaqet dhe që ka etje për kulturë”, ka thënë Tafilaj i cili deri qershorin e vitit të kaluar qe violë kryesore në Orkestrën e Kanës, pozitë të cilën e mbajti për tre vjet.
Si solist me këtë orkestër ka interpretuar vepra të njohura si “Sinfonia Concertante” e Mozartit, krahas violinistit Tedi Papavrami dhe Koncertin për Violë të Béla Bartók-ut, duke marrë vlerësime të larta nga kritika muzikore.
Këtë periudhë të punës profesionale e konsideron edhe suksesin më të madh të karrierës së tij.
“Puna për 13 vjet në Orkestrën e Kanës ka qenë sukses i rëndësishëm si violë e parë, sidomos kur kam luajtur koncertin e Bela Bartok për violë. Në karrierë kjo është arritje e madhe të arrish ta performosh me sukses, me orkestër profesionale”, është shprehur violisti Altin Tafilaj për KOHËN.
Ai ka bashkëpunuar si violist kryesor me orkestra të njohura, duke përfshirë Orkestrën Filharmonike të Kopenhagës, Orkestrën Filharmonike të Malajzisë, Orkestrën e Auvergne dhe Orkestrën e Operës Kombëtare të Montpellierit. Në fushën e muzikës kamertale, Tafilaj ka performuar në salla prestigjioze koncertesh në duete me piano dhe në ansamble të ndryshme dhome.
Fillimisht instrumenti me të cilin shkrinte tinguj për vepra madhore qe violina. Një bisedë me profesoreshën e tij bëri të ndërrojë kahe në rrugëtimin e tij muzikor.
“Në përgjithësi, violistët dhe zgjedhja e instrumentit të violës është e rrallë. Është një instrument pak më i madh se violina dhe normalisht ka barsoleta për violistët, sepse përpara njëqind vjetësh kalonin në violë ata që nuk arrinin të kishin sukses në violinë”, ka thënë Tafilaj me buzëqeshje.
“Por nuk qëndron më kjo, ka violistë shumë të mirë. Unë kalova në violë sepse kur isha në studime në Durrës, më dhanë një këshillë të artë. Isha violinist, dhe shumë i mirë, por më thanë se kishte vetëm dy vende në akademi. Profesoresha ime më tha ‘kalo në violë, sepse do të jesh rehat, kemi nevojë për violistë të mirë’”, ka vazhduar ai shpjegimin.
Ka thënë se pati fatin që kaloi në violë pasi kishte rastin të punonte me profesorë fantastikë si moment vendimtar në karrierë.
Ai është prej atyre muzikantëve që i është dashur me patjetër ta lërë vendlindjen për të gjetur pak dritë në perspektivën e muzikës klasike. Në vitin 1996, kur ishte 18 vjeç u zhvendos në Itali. Atje mori bursë shumëvjeçare prestigjioze nga shoqata “De Sono” për të ndjekur kurse të avancuara trajnimi me Danilo Rossin, violistin kryesor të prestigjiozit “Teatro alla Scala”.
Tafilaj shprehet se kohërat kanë ndryshuar, tani ka profesionistë të fushës dhe perspektivë edhe në Kosovë e në Shqipëri.
“Unë kam ikur në 1996-n në Itali dhe të imagjinosh që në atë kohë në Durrës nuk kishe kurrfarë perspektive, kurrfarë të ardhmeje. Gjëja më e mirë që mund të bëja ishte të ikja jashtë shtetit duke pasur nivelin e duhur. Ashtu edhe rrodhi, sepse më prezantuan një bursë studimi në Torino, të cilën e fitova që më financuan studimet për pesë vjet. Më dërguan në Akademinë e Baselit në Zvicër, që është akademi prestigjioze”, ka thënë ai.
Në Akademinë e Muzikës në Basel ka marrë mësimet në klasën e zviceranit Christoph Schiller. Nga aty, në vitin 2008, u transferua në Malmö të Suedisë duke iu bashkuar Orkestrës Simfonike atje.
Krejt këtë përgatitje të tij në Prishtinë e ka ilustruar në 30 minuta. Karakteristikë e veprës qe dëshmuar partneriteti i jashtëzakonshëm i solistëve, barazia dhe dialogu midis tyre. Derisa shpjegon violën, Tafilaj konsideron se ky instrument është zemra e harkorëve dhe orkestrës në përgjithësi.
“Nga violina e dallon tingulli, regjistri, po e them sepse viola është më afër zërit njerëzor, ndërsa violina është shumë larg, nuk mund të imitohet dot. Është më e thellë si tingull në krahasim me violinën. Shkon drejt tingullit të violonçelit, i cili është edhe më i fortë. Viola është në mes. Në kuartet mund të quhet se është zemra e kuartetit dhe orkestrës sepse është në qendër. Janë violinat të parat, viola, violonçeli dhe kontrabasi”, është shprehur ai.
Fondacioni Pirolo e mbështeti karrierën e Tafilajt duke ia ofruar një violë prestigjioze G. Testore të punuar në vitin 1760.
“E kam pasur për tetë vjet. Është një fondacion në Zvicër që ia kam dhënë emrin unë – ‘Pirolo.ch’. Ata patën kontribuar edhe në shkollën në Gjakovë. Ata për të më falënderuar për idenë e themelimit të fondacionit më blenë një violë, por nuk e kam më pasi e përdora për tetë vjet dhe e ridhashë që të përfitojnë të rinjtë”, ka bërë të ditur ai.
Në inaugurimin e fondacionit, Altin Tafilaj pati performuar me koncert-mjeshtrin e Filharmonisë së Kosovës, Festim Fanaj. Në tetorin e vitit të kaluar ai ka interpretuar në festivalin “KamerFest” në Prishtinë, bashkë me argjentinasin José Gallardo në piano, Xhafer Xhaferin në violinë, kroaten Jelena Oçiq në violonçel si dhe violinisten Sihana Badivuku. Patën interpretuar “Piano quintet in f-minor” të kompozitorit francez César Franck.
Aktualisht Altin Tafilaj është drejtor dhe themelues i “Sunsnote”, një kompani e specializuar në organizimin e ngjarjeve prestigjioze, kryesisht në Rivierën Franceze, prodhime muzikore ndërkombëtare dhe promovimin e artistëve. Sido që të jetë, muzika është pjesë e rrugëtimit jetësor të violistit.
“Në rrugëtimin tim të jetës, muzika është pjesë, por shpesh nuk ka qenë pjesa më e rëndësishme e jetës sime. Tani, duke mos qenë i rënduar nga orkestra, e vlerësoj shumë më tepër sepse më largon nga mendimet. Jam edhe në biznes, po zhvilloj kompaninë time dhe fakti që i jam rikthyer muzikës me kushtet e mia, si më pëlqen dhe kur më pëlqen, është diçka e çmuar. Është si një meditim, si lutje, më ndihmon që truri, mendja, rri diku tjetër dhe më ndihmon shumë. Ka rëndësi jetësore për mua”, është shprehur ai.
Ka thënë se me muzikë shërohet. Se për të muzika ka “efekt terapeutik”.